Libra

‘Pata ndjesinë e një lloj përmbushjeje’, Luljeta Lleshanaku flet si Poete Laureate: Duhen investime për krijuesit

Nga Gazeta Si- Luljeta Lleshanaku është Poetja e dytë Laureate në Shqipëri. Poetja Laureate ka një mandat dyvjeçar dhe gjatë kësaj periudhe do të jetë në krye të një fushate për njohjen dhe leximin e poezisë shqipe.

Për Luljeta Lleshanakun ky çmim është kurorëzim i një pune tridhjetëvjeçare ku sfida më e madhe ka qenë të impresiononte lexuesin vendas.

“Kam filluar të shkruaj që herët. Kam botuar nëntë vëllime me poezi në shqip, të cilët janë përkthyer dhe botuar në 17 libra në gjuhë të huaj. Por nëse ia kam dalë të fitoja simpatinë e lexuesit shqiptar, çdo sfidë e mëtejshme ka qenë më e lehtë për t’u përballuar. (Me ndjesë për mungesën e modestisë), ky çmim vjen pas një serie recensionesh vlerësuese në mediat shqiptare dhe të huaja, pas çmimeve të marra në vite në Shqipëri dhe jashtë, siç qe çmimi evropian në Poloni vitin e fundit dhe jo më pak i rëndësishëm edhe zgjedhja finaliste për ‘PEN America 2019’ dhe për çmimin ‘Griffin 2019’, i cili jepet për vëllimin më të mirë në poezi në gjuhën angleze brenda një viti”, shprehet poetja Lleshanaku për Gazetasi.al, ndërsa shton se “edhe fort i papritur nuk mund të ishte ky vlerësim. Madje mund të konsiderohet ‘i vonuar’, duke cituar kështu disa nga komentet publike”.

E gjendur mes emrave të njohur të poezisë e letrave shqipe teksa mori këtë çmim, emocionet për të ishin mjaft të mëdha.

“Pata ndjesinë e një lloj përmbushjeje, natyrisht. Si në një film, më dolën para syve të gjithë ata njerëz që më kanë inkurajuar dhe mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve, që me mend i falënderova. Por një shije akoma më të mirë, më ka dhënë reagimi publik aq pozitiv, nga të njohur e sidomos të panjohur, pas marrjes së çmimit. Kjo vërtet që më la pa fjalë, me mbushi me mirënjohje”, vijon më tej poetja.

Poeti Laureat 2 u zgjodh pas shumë debatesh kundër komisionit përzgjedhës, herë-herë edhe me tone të larta. Luljeta Lleshanaku ndonëse ka qenë e painformuar mbi këto debate, thotë se e gjithë kjo është pasojë e mënyrës se si kanë vepruar juritë e çmimeve letrare deri tani, pasi kanë lënë vend shpeshherë për paragjykim.

“Duke mos pasur një profil në rrjetet sociale, unë kam qenë totalisht e painformuar mbi debatet, madje edhe emrat e anëtarëve të jurisë i mora vesh gjatë ceremonisë. Dhe nuk kam pse i di dhe aq më pak të komentoj përmbi ta. Por për një gjë jam e bindur: mënyra se si kanë vepruar juritë e çmimeve letrare deri tani ka lënë shumë vend për paragjykim dhe për ekstremizim të situatës si në këtë rast. Pra bëhet fjalë për një fenomen, dhe ky rast është thjesht një pasojë”.

Sipas saj, shkrimtarët kanë nevojë t’u kthehet besimi tek institucionet, siç janë edhe juritë në këtë rast.

“Shkrimtarët kanë nevojë që vepra e tyre të bjerë në duar të besuara dhe kjo fillon nga përzgjedhja e anëtarëve të jurisë, integriteti i tyre profesional dhe moral, kriteret dhe zbatimi i kritereve. Por e gjitha kjo është më shumë një çështje morale mendoj, sepse nuk është e vështirë të bësh dallimin cilësor midis veprave (gjë që mund ta bëjë lehtësisht çdo anëtar jurie pavarësisht background-t), por është e vështirë të mbash një qëndrim objektiv, të drejtë e parimor. Pra, është një përgjegjësi e madhe në duart e anëtarëve të çdo jurie, por po u zbatua kjo formulë, asnjë vendimmarrje nuk kontestohet. Dhe për krijuesit, ka shumë rëndësi krijimi i një klime të shëndetshme promovuese”, thotë ndër të tjera Poetja Laureate.

Si Poete Laureate, Luljeta Lleshanaku thotë se gjatë këtij mandati 2-vjeçar do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesit dhe krijuesit mbi poezinë, ku përfshihen leximet letrare, bisedat e hapura publike, master-classet.

“Në fakt që nga viti 2013 deri në vitin 2019 kam drejtuar në Shqipëri një workshop praktik mbi shkrimin krijues për shkrimtarët e rinj të quajtur ‘Sabbat’, një projekt që është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe mendoj që ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Pra, bëhet fjalë për një lloj angazhimi që më është besuar edhe më parë, por këtë herë nga pozicioni i Poetit Laureat. Por ky projekt do të jetë vetëm një pjesë e programit; nuk do të mungojnë komunikimet me lexuesit dhe masterclasset. Pra e gjithë strategjia do të jetë të afroj sa më shumë të jetë e mundur lexuesin dhe krijuesin me poezinë, e sidomos me poezinë shqipe: të mësoj lexuesit se si të gjejnë kënaqësi dhe kuptim tek poezia dhe të asistoj autorët e rinj në procesin e tyre krijues”.

Ajo i përgjigjet kureshtjes se si do ia dalë të promovojë poezinë shqipe në dy vite, ndërsa jeton në Amerikë.

“Angazhimi si ‘Poet Laureat’ nuk është një angazhim me kohë të plotë, siç e kanë disa vende të tjera. Unë kam udhëtuar dhe udhëtoj rregullisht në Europë për ture leximi dhe prezantime publike, kështu që vendndodhja nuk përben ndonjë problem, mjafton të planifikohet dhe menaxhohet mirë. Nga ana tjetër, mundësitë e jashtëzakonshme që na krijon teknologjia e informacionit sot, e lehtëson mjaft komunikimin me audiencat nga çdo vend e në çdo kohë. Ajo që ka rëndësi është të ngjallësh kureshtje dhe interes, në mënyrën se si i afrohesh këtyre grupeve. ‘Si’ ka më shumë rëndësi se ‘çfarë’ mendoj”, shprehet Lleshanaku për Gazetasi.al.

Duke qenë deri diku më afër krijuesve të rinj përmes projektit “Sabbat”, Luljeta Lleshanaku thotë se ka personalitete letrare vërtet interesante në rritje, por që ‘paralizohen’ nga klima social-kulturore.

“Kur një artist në fillimet e veta, i bën vetes pyetjet ‘E pse të shkruaj? A ia vlen?!!’, duke shtruar kësisoj një çështje ekzistenciale, kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Këshilla mund të jap sa të duash, por krijuesit nuk kanë nevoja për këshilla më shumë se sa për kohë dhe mundësi pune. Janë grantet për shkrimtarët, që u krijojnë mundësinë të shkëputen së paku një muaj në vit dhe të merren me veten”.

Përpos çmimeve letrare që jepen në vendin tonë, rreth katër çmime në vit, për Luljeta Lleshanakun shqetësues mbetet mosinvestimi në procesin krijues.

“Po nuk mbolle sot, nuk ke se çfarë të vjelësh nesër, e lëre pastaj se çfarë të festosh, sepse çmimet janë festa pas të vjeli. Unë vetë, pothuajse të gjithë librat i kam shkruar në këtë formë, duke gjetur një mundësi shkëputjeje përmes rezidencave të artit, granteve, bursave të përfituara jashtë vendit. Nuk është një luks kjo që po propozoj, por një investim normal që çdo shoqëri bën për të ardhmen dhe identitetin e saj”, përfundon Poetja Laureate për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë