Interviste

Pandemia na tregoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk është më një matës i mirë

Për fituesin e Çmimit Nobel në Ekonomi, Joseph Stiglitz, pandemia e coronavirusit tregoi që ekonomia botërore punon pa një rrjet sigurie dhe, në një intervistë me AFP, mbron idenë për të zëvendësuar Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) me një tregues më të mirë të shëndetit ekonomik të një vendi.

Pyetje (P): Diskursi i sotëm politik është i mbërthyer me idenë e një rikuperimi "të gjelbër". Cila duhet të jetë baza për këtë zhvendosje drejt një ekonomie më të qëndrueshme?

Përgjigje (PR): Të gjithë duhet të mendojnë se çfarë lloj ekonomie duam pas kësaj pandemie. Dhe ne nuk duhet të kthehemi atje ku ishim. Ne e dinim atëherë dhe edhe sot e dimë edhe më mirë se kishte shumë pabarazi.
Ajo që duhet të bëjmë është të çojmë ekonominë në një drejtim që pasqyron të gjitha këto shqetësime. PBB nuk është një masë e mirë matëse. PBB nuk merr parasysh pabarazitë.
Treguesi më i rëndësishëm është ndikimi i emetimeve të gazrave serë. Jo vetëm CO2, por edhe metani. Secila prej tyre ka dimensione të ndryshme, siç është jeta dhe fuqia e tij e dobishme.

Vitet e fundit, ne kemi mësuar më shumë rreth manifestimeve të shumta të ndryshimit të klimës, për shembull, se si do të ndikojnë në ngjarjet ekstreme të motit. Ajo që kemi mësuar është vetë kompleksiteti i ndryshimit të klimës.

P: PBB mbetet treguesi kryesor për vlerësimin e suksesit të çdo politike. Ndryshimi në një model të ri rritjeje ndikohet nga mjetet që ne përdorim për ta matur atë?

PR: Unë mendoj se treguesit janë të rëndësishëm në dy aspekte. Nëse do të kishim masa më të mira matjeje, do të kishim një ide më të mirë për dëmet që shkaktoi kriza e vitit 2008.
Në terma më të përgjithshëm, ne duhet të punojmë për të matur më mirë shëndetin e ekonomisë, për të parë se deri në çfarë pike politikat tona stimuluese po përmirësojnë vërtet shoqëritë tona.
Përqendrimi ynë tek PBB nuk na ka bërë të kuptojmë se shoqëria që kemi krijuar nuk është elastike. Nuk na ka lejuar të llogarisim fuqinë e ekonomisë sonë.
Për ta shpjeguar atë në një mënyrë tjetër, ekziston një ndryshim i madh midis faktit nëse një automjet ka një gomë rezervë apo jo. Por në mënyrën se si ne matim PBB-në, një automjet pa gomë rezervë është më efikas se një automjet me një rrotë rezervë sepse kushton më pak.
Ne kemi krijuar një ekonomi pa një gomë rezervë, pa shtretër spitalor shtesë, nuk jemi përgatitur për pandeminë, nuk kemi bërë shumë gjëra që do të na lejonin t’i përgjigjeshim më mirë pandemisë.
Jo se ne mund ta shmangnim atë, por mund të kishim një ekonomi shumë më elastike, një ekonomi shumë më të përgjegjshme dhe nuk mendoj se statistikat tona na e tregojnë këtë.

P: A besoni ju, në një rikuperim "të gjelbër"?

PR: Kam shpresa, veçanërisht tek Evropa. Por ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Bota është e angazhuar që të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050. Unë mendoj se është e mundur. Është një hap shumë pozitiv, por nuk mjafton të kesh atë aspiratë, duhet të fillosh të harxhosh para. Dhe pandemia është duke na shtyrë të fillojmë t'i shpenzojmë ato para.
Ne duhet t'i ndihmojmë njerëzit të rimarrin jetën, t'i drejtojmë ata në punë të tjera, si shitja e paneleve diellore. Mosbërja e këtij tranzicioni do të vinte me një kosto jashtëzakonisht të lartë për botën. Ne duhet të pranojmë se disa njerëz do të jenë më keq. Ne do të duhet të sigurohemi që ata janë të mbrojtur siç duhet dhe t'i ndihmojmë ata të drejtohen në zona të tjera prodhimi.

Burimi AFP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë