Shendet

Pacientët me kancer janë tre herë më të riskuar të ndërrojnë jetë nga COVID-19

Pacientët me kancer veçanërisht ata që e kanë në gjak e mushkëri kanë risk më të lartë vdekjeje apo mundësi për të patur komplikacione më të rënda nga koronavirusi, krahasuar me ata që nuk vuajnë nga kanceri, sipas një studimi të publikuar të martën.

Studimi i cili përfshinte 14 spitale në provincën e Hubei-t, në Kinën qëndrore, pa nga afër 105 pacientë që vuanin nga kanceri dhe 536 pacientë që nuk vuanin prej tij. Të tërë  pacientët e marrë në studim ishin pothuajse të së njëjtës moshë dhe ishin të infektuar me koronavirus.

Bashkëautorët e këtij studimi, të cilët janë nga Kina, Singapori dhe ShBA-ja, gjetën se pacientët me kancer që u sëmurën nga koronavirusi kishin normë fataliteti tre herë më të madhe nga covid-19 krahasuar me ata që u sëmurën nga koronavirusi e nuk vuanin nga kanceri. Pacientët me kancer u pa gjatë studimit se ishin më të prirur që të përjetonin simptoma të rënda e si rezultat të kishin nevojë për kujdesje intensive shëndetësore apo për pajisjet e ventilimit (pra të frymëmarrjes artificiale). Tek faktorët që influenconin shumë në riskun e jetës të pacientëve me kancer përfshiheshin mosha, lloji i kancerit dhe stadi i përhapjes së kancerit në trup.

“Këto gjetje tregojnë se pacientët me kancer janë shumë vulnerabël aktualisht nga shpërthimi i koronavirusit”, konkludojnë autorët.

Pacientët me kancer janë më vulnerabël për disa arsye, sipas autorëve dhe ekspertëve të tjerë. Kanceri në vetvete ul sistemin imunitar dhe zakonisht pacientët me kancer janë në moshë madhore e këto në vetvete përbëjnë risk për komplikacione më serioze nga covid-19. Kancerët e gjakut si leucemia, limfoma dhe mieloma (në terminologjinë angleze janë leukemia, lymphoma, myeloma) sulmojnë sistemin imunitar duke i bërë kështu ata më të prirur ndaj infeksioneve të rrezikshme.

Një burrë ndihmon me përgatitjen e aparaturave për pacientët me covid-19 në Romë të Italisë. Foto: Antonio Masiello / Getty Images

Një grup tjetër me risk të lartë janë pacientët që vuajnë nga kanceri i mushkërisë. Sipas studimit, këta individë janë më vulnerabël pasi funksionet e mushkrive i kanë të reduktuara. Ndërkohë, disa trajtime si kimioterapia dhe kirurgjia gjithashtu e ulin sistemin imunitar. Kështu, studimi gjeti se dhe pacientët me kancer që e kishin përfunduar trajtimin e tyre mjekësor kishin risqe më të lartë të përjetonin komplikacione nga covid-19 krahasuar me ata që kurrë më parë nuk kishin pasur kancer. Por ata që i kishin metastazat e kancerit në fazë fillestare kishin rezultate të njëjta me pacientët që nuk kishin kancer.

Studimi është publikuar në revistën e Shoqatës Amerikane për Kërkime ndaj Kancerit (ShAKK) “Cancer Discovery”. Studimi i vetëm i mëparshëm i pacientëve me kancer dhe atyreve me covid-19 përfshinte veçse 18 pacientë.

J Leonard Lichtenfield, drejtuesi i ShAKK-së, i cili nuk është marrë me këtë studim e quan të rëndësishëm e shton se reflekton atë çfarë ne kemi dëgjuar më parë, që pacientët me kancer janë më delikatë nga virusi e si rezultat infektimi është më i rëndë. Zoti Leonard shton se studimi përsëri konsiderohet relativisht i vogël e se të dhëna nga mijëra pacientë të tjerë duhen shqyrtuar.

J Leonard Lichtenfield drejtues i Shoqatës Amerikane për Kërkime ndaj Kancerit

Rreziku i dukshëm më i lartë i vdekjes dhe komplikimeve të tjera serioze nga virusi janë ndër rreziqet me të cilat përballen pacientët me kancer teksa ata përpiqen të përballen me një pandemi që ka shkaktuar vonesa në disa trajtime e mbylljen e shumë provave klinike (pra mjekime që janë në fazë eksperimentale) te pacientët e rinj, shprehet Howard Burris, drejtuesi ekzekutiv i Institutit Kërkimor të Sarah Cannon në Nashville dhe njëkohësisht presidenti i Shoqatës Amerikane i Onkologjisë Klinike.

“Ne jemi duke u përballur me sfida marramëndesë përsa i përket sigurimit të kujdesit optimal të pacientëve tanë”, shprehet ai. Zoti Burris shton se disa spitale i kanë gjykuar si jo esenciale kirurigjitë ndaj kancerit duke i shtyrë ato për më vonë. Por këto vonesa ndonëse bëjnë sens për shumë pacientë me kancer në fazë fillestare janë shkatërrues për pacientët me kancer në fazë të agravuar, paralajmëron ai.

Onkologët gjithashtu janë të shqetësuar përsa i përket vonesave që po bëhen me testimet e kancerave të cilat janë esenciale për monitorimin e tyre. Numri i testimeve ka rënë në mënyrë të konsiderueshme në ShBA që prej mesit të marsit, sipas një raporti të ri nga “Komodo Health”, firmë që merret me statistika në lidhje me shëndetin.

Më shumë se 1.8 milionë raste të reja me kancer priten që të diagnostikohen në ShBA gjatë 2020-ës sipas Shoqatës së Kancerit në Amerikë dhe më shumë se 606 mijë pritet që të ndërrojnë jetë.

Zoti Lichtenfeld shprehet se pret nga sistemi shëndetësor amerikan që të nisë të trajtojë më shumë pacientë që nuk vuajnë nga covid-19 gjatë muajve të ardhshëm. “Sigurisht që kjo nuk do të jetë e njëjtë për të tërë vendin tonë”, shprehet ai “por ne po nisim të përparojmë avash avash”.

Për Deborah Silverman, 29 vjeçe kandidate MD/PhD në qëndrën e trajtimit të kancerit MD Anderson në Hjuston, shpërthimi i koroanvirusit ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë në trajtimin e saj. Deborah është diagnostikuar me kancer në gji vitin e kaluar (madje me njërin prej kancerave të gjirit më vdekjeprures, i quajtur ndyshe triple negative breast cancer) e ka bërë kimioterapi e proçedura të shumta kirurgjie e rrezatimi.  Por përsëri ajo ka një probabilitet prej 50-60% që kanceri t’i rishfaqet.

Për të reduktuar riskun e saj ajo ka planifikuar të hyjë në një fazë eksperimentale të imunoterapisë e kurimit ndaj këtij kanceri e cila stimulon sistemin imunitar që ta sulmojë kancerin.

Por eksperimenti si shumë të tjerë në ShBA është ndërprerë përkohësisht për shkak të pandemisë, kështu që ajo është detyruar të zgjasë periudhën e kimioterapisë. Një efekt anësor që ka sjellë për të zgjatja e kimioterapisë ka qënë krijimi i flluckave me ujë e acarimi i lëkurës në këmbët e saj duke ia bërë të vështirë asaj ecjen.

Zonja Silverman shpreson që sa më shpejt të mund të kalojë në fazën eksperimentale të imunoterapsië pasi ka më pak efekte anësore se kimioterapia. “Kjo është e vetmja provë klinike (pra eksperimentale) për dikë në pozicionin tim. Dëshiroj të provoj ç’të jetë e mundur”, shton ajo.

Burimi: Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë