Histori

Pa macen, Stambolli do kishte humbur një pjesë të shpirtit të tij 

“Pa macen, Stambolli do të kishte humbur një pjesë të shpirtit të tij”, shpjegon një banor. Në kryeqytetin kulturor të Turqisë, macet janë një simbol i gjallë i 16 milionë ithtarëve të qytetit. Qindra mijëra mace rruge, as të egra as të zbutura, jetojnë mes banorëve të Stambollit. Kafshët ndihen rehat duke u shtriqur me konsumatorët e çajit në një kafene, po aq sa edhe kur ndalin automjetet, në rrugët plot trafik. Stambollinjtë shpesh vendosin tasa me ushqim dhe ujë në trotuare në përpjekje të përbashkëta, që i lejon maceve të bredhin të lira.

Paratë në kutitë e bakshishit, në një restorant, shkojnë për faturat veterinare për kafshët e sëmura dhe të lënduara; në stendën e një peshkatari, macet degustojnë sardelet e nxjerra nga Bosfori. Njerëzit shpesh e ndjejnë detyrë të kujdesen për kafshët,  që sillen rreth shtëpive të tyre apo në vendin e punës, pavarësisht moskokëçarjes së vetë maceve. “Macet e dinë se njerëzit veprojnë si ndërmjetës së vullnetit të Zotit”, thotë një banor i Stambollit në filmin dokumentar, “Kedi”, (Macja).

“Ato nuk janë mosmirënjohëse, thjesht e dinë më mirë këtë punë.” Regjisorja  e filmit , Ceyda Torun, e cila ka jetuar në Stamboll nga mosha 11 vjeç, shqyrton jetën në metropol nga perspektiva e shtatë felinëve me emra si “Hustler” dhe “Psycho”. Sjelljet e tyre groteske nxjerrin reflektime nga thuajse-pronarët e tyre mbi jetën, dashurinë dhe Zotin. Stambolli është i fiksuar pas maceve. Faqja e Facebook-ut  “Cats of Istanbul” ka mbi 80 mijë ndjekës dhe në Instagram, pamjet tipike të Stambollit kanë gjithnjë në tablo, felinë fotozhenikë. Më 2016-ën, një statujë bronzi për të nderuar macen me emrin Tombili, u ngrit në distriktit e Kadikoit. Tombili u bë i famshëm pas një fotografie, në një pozë të rehatuar me njërën putër të mbështetur në shkallën e trotuarit. Xhamitë shpesh bëjnë tituj lajmesh, ku macet shfaqen mes besimtarëve.

Ashtu si qyteti në dy kontinente, macet ekzistojnë mes dy botëve – të zbutura dhe të egra – por me një personalitet krejt të tyrin.

Turqia nuk është unike mes vendeve me dominancë myslimane që nderojnë macet, që konsiderohen si kafshë ritualisht të pastra në Islam. Në hadithet, thëniet dhe veprimet e përmbledhura të Muhamedit, ka shembuj të panumërt të lidhjes së fortë që Profeti kishte me macet. Në një rrëfenjë, Muhamedi preu mëngën e tij kur iu desh të ngrihej për lutje për të mos shqetësuar një felin që ishte mbështjellë në rrobën e tij për t’u kotur. Në një tjetër rrëfenjë, macja e tij me emrin Abu Hurayrah ( që do të thotë fjalë për fjalë “baba i koteleve”) e shpëtoi Muhamedin nga një gjarpër shumë helmues. Muhamedi e bekoi macen, në shenjë mirënjohjeje, duke i dhënë maceve aftësinë për të rënë në këmbë. Macet janë konsideruar rojtarë edhe në aspekte të tjera të botës islame: ata kanë mbrojtur biblioteka nga minjtë dhe shumë mund të kenë ndihmuar  në mbrojtjen e popullsisë së qytetit nga epidemitë e përhapura prej minjve.

Dashuria e Stambollit me macet  i pararend Republikës së Turqisë. Në Perandorinë Osmane, fetarët kujdeseshin për macet përmes fondacioneve bamirëse, ose vakëfit; ndërsa krejt në të kundërt, macet shpesh shiheshin me frikë ose si të liga në qytetet mesjetare të Europës. Karikaturisti Bulent Ustun – krijues i Serafettin,  një mace karikaturë – përshkruan në dokumentarin “Kedi”, sesi lagjja Cihangir, u bë shtëpi për shumë raca, kur anije të epokës osmane nga e gjithë bota do të ankoroheshin dhe kështu pasagjerët felinë do të zbarkonin. Anadolli është gjithashtu shtëpi e racave Angora dhe Van, mace të bardha, që shpesh  kanë Heterochromia iridium, ose irisë me ngjyra të ndryshme. Macet e racës Van kanë një lidhje të pazakonte me ujin, që i bën shumë të përshtatshme për shtëpinë e tyre, pranë liqenit më të madh të Turqisë. Sipas legjendës, një çift prej tyre ishte në arkën e Noes; kur anija u ul në malin Ararat, macet dolën prej aty dhe notuan drejt bregut.

Statuja e Tombilit

Megjithatë, macet nuk janë të pacenueshme ndaj radhëve politike në shoqërinë e polarizuar të Turqisë. Më 2014-ën, ministri turk  i Energjetikës fajësoi për terrin gjatë zgjedhjeve bashkiake një mace të kuqe, duke pretenduar se ai kishte hyrë në një stacion elektrik. Episodi i çuditshëm gjeneroi barsoleta të hidhura mes kundërshtarëve të qeverisë, që pretendonin për një shkelje të ligjit. Pavarësisht pamjeve që të ngrohin zemrën, realiteti mund të jetë edhe i egër  për këto mace. Një banor thotë se popullsia e Stambollit përballet me të njëjtat sfida si ato të maceve endacake: një popullsi në rritje dhe zhvillimi urban e kanë shndërruar qytetin vitet e fundit. Megjithëse mijëra emigrantë ekonomikë nga periferitë e Anadollit, projektet masive infrastrukturore dhe ndarjet politike po i japin formë të re metropolit, macet e rrugës janë konstante. Ashtu si qyteti në dy kontinente, macet ekzistojnë mes dy botëve – të zbutura dhe të egra – por me një personalitet krejt të tyrin. *Marrë nga The Economist

 

Më Shumë