Rend dhe Ligj

Operacioni ‘Fijet’, hiqen dhjetëra kamera të paligjshme në disa zona të Tiranës

Gazeta Si - Pas një jave aksion në disa qytete për çmontimin e kamerave të paligjshme në rrugë, operacioni ka vijuar me Tiranën.

Këtë të hënë, oficerë të policisë në kryeqytet, kanë nisur heqjen e dhjetëra kamerave që shkelin privatësinë e të tjerëve e që mund të shfrytëzohen nga eksponentë të krimit.

Rezultatet e operacionit “Fijet” në 6 komisariatet e Tiranës janë: Në Komisariatin nr. 1 janë çmontuar 12 kamera në zonën “Ali Demi”, Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës e më gjerë.

LEXO EDHE:
- Përdoreshin nga grupet kriminale për të vëzhguar policinë! Sekuestrohen 16 kamera sigurie të vendosura në 6 lagje të Vlorës
- ‘Big Brother’ kriminal në çdo qytet! Pas Korçës e Pogradecit, edhe në Durrës e Shijak kamera ‘spiune’. 8 ‘të fortë’ nën hetim

Në Komisariatin nr. 2 janë çmontuar 4 kamera, 2 prej të cilave nga vetë subjektet që i kanë vendosur, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.

Në Komisariatin nr. 3 janë çmontuar më shumë se 10 kamera deri tani, kryesisht në rrugën “Fortuzi”, “Laprakë”, “Institut” dhe “Don Bosko”.

Në komisariatin nr. 4, sipas burimeve, deri tani janë çmontuar më shumë se 20 kamera të paligjshme në zonat “Xhamlliku”, “5 Maji”, “Fresku” dhe “Myslym Keta”. Në Komisariatin nr. 6 janë çmontuar 2 kamera, njëra në Yzberisht dhe tjetra në Fushë Mëzez.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, forcat e policisë janë duke hequr kamerat që janë vendosur në kundërshtim me ligjin në zonën e Freskut.

Operacioni i koduar “Fijet” po vazhdon prej ditësh në të gjitha qytetet e vendit, ku deri më tani janë çmontuar rreth 200 kamera në Shkodër, Vlorë, Korçë, Pogradec, Durrës, Krujë, Shijak, Fier dhe Lushnjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë