Rend dhe Ligj

‘Big Brother’ kriminal në çdo qytet! Pas Korçës e Pogradecit, edhe në Durrës e Shijak kamera ‘spiune’. 8 ‘të fortë’ nën hetim

Gazeta Si - Kamerat e paligjshme të sigurisë, duket se kanë qenë të pranishme në të gjitha rrugët dhe zonat e Shqipërisë, ku krimi i organizuar vepron prej dekadash.

Vetëm në 10 ditët e fundit, në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë e Pogradec, janë gjetur 153 kamera "spiune" që kontrollonin çdo lëvizje të policisë.

Në Durrës, janë proceduar personat e parë për vendosjen e këtyre kamerave, ndërsa ato janë eksponentë të njohur të botës kriminale.

LEXO EDHE:
- Përdoreshin nga grupet kriminale për të vëzhguar policinë! Sekuestrohen 16 kamera sigurie të vendosura në 6 lagje të Vlorës
- Shkodër, çmontohen 38 kamera sigurie në rrugë, përdoreshin nga grupet kriminale për të spiunuar rivalët dhe policinë

Fenomeni i zbuluar fillimisht në Shkodër me gjetjen e kamerave që monitoronin qytetin,  dhe që ishin vendosur nga krimi i organizuar, ka marrë përmasa shqetësuese në të gjithë vendin.

Këtë të premte, 47 kamera u zbuluan në rrugët dhe sheshet e Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Kamera u gjetën edhe në Nikël, një zonë e njohur për eksponentë të krimit të organizuar.

Në lagjen 17 të Durrësit u gjetën 11 kamera, ndërsa ky qytet u bë i pari që policia vuri nën hetim 8 persona që dyshohet t’i kenë vendosur.

Plarent Dervishak dhe Dejvid Karaboja janë personat e proceduar në Durrës, ndërsa Dervishaj është një person me precedent të mëparshëm kriminal i njohur ndryshe edhe si anëtar i Bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim për trafik droge dhe organizatë kriminale.

Në Shijak, janë proceduar Albert Muharremi vëllai i "Rrumit të Shijakut" (i shpallur në kërkim), Xhulio Vora,  Astrit Balliu Avdyli, Jasin Kala Avdyli, Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali.

Fenomeni shqetësues është shtrirë edhe në Korçë dhe Pogradec mëngjesin e kësaj të premteje. 31 kamera janë gjetur deri më tani në këto qytete, ndërsa aksioni vijon për të krehur zonën.

Ndërkohë një ditë më parë në Vlorë u gjetën dhe shkatërruan 16 kamera. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Ndërkohë në veri të vendit, në Shkodër, në dy operacione të ndryshme, janë gjetur 59 kamera të vendosura në pikat kyçe të qytetit. Kamerat ishin me ‘wairles’, sistem që bën të mundur kontrollimin e tyre nga aparatet celulare.

Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit.

Identifikimi i personave të cilët kanë vendosur këto kamera është një mision tejet i vështirë për policinë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.

Sipas policisë qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e uniformave blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë