Ngjarje

Odiseja e dosjes “Hajdari”, gjykimi i Izet Haxhisë në Gjykatën e Lartë

Dosja “Hajdari” dhe rigjykimi i Izet Haxhisë do të vendoset nga Gjykata e Lartë. Ky ka qenë vendimi i dhënë së fundmi nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që i është drejtuar për interpretim se kush e ka të drejtën të shprehet për dosjen e cilësuar si të shekullit, atë rihapjes së çështjes së vrasjes së ish-liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdarit. Do jetë pikërshit kjo Gjykatë do të zgjidhë mosmarrëveshjet mes Gjykatës së Tiranë dhe asaj të Krimeve të Rënda, të cilat nuk kanë ndarë ende se e kujt është kompetenca për të shqyrtuar dosjen në fjalë.
Dosja e Izet Haxhisë aktualisht ndodhej te Krimet e Rënda pas shpalljes së mos kompetencës nga Gjykata e Tiranës. Por në seancën e sotme Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon gjykatës ta çojë çështjen për interpretim në Gjykatën e Lartë me arsyetimin se kjo gjykatë nuk është kompetente për ta gjykuar.
Izet Haxhia, i dënuar për vrasjen e lideri të dhjetorit ’90 ka kërkuar lirinë derisa të shprehet Gjykata e Lartë, që aktualisht nuk funksionon, pasi anëtarët e saj u shkarkuan nga Vettingu. Një kalim i kësaj dosjeje mund të sillte një ngërç në rigjykimin e Haxhisë. Avokatët e Haxhisë i kanë kërkuar gjykatës lirimin e klientit të tyre, me argumentin se derisa të shprehet gjykata e Lartë, Haxhia se paku të mbahet në arrest shtëpiak. Avokatët thanë se Izet Haxhia ka kaluar një kohë të gjatë edhe në paraburgim në Turqi.

Izet Haxhia në sallën e gjyqit. Gazeta Si, 7 tetor 2019


Por, gjyqtari Klodian Kurushi vendosi që t’ia delegojë për dhënie mendimi i Gjykatës së Lartë. Vendimi i dytë i dhënë ishte që Haxhia të mbahej në qeli, si i pandehur, përkundër kërkesës së avokatëve të tij për ndryshim të masës, me argumentin se ka bërë shumë paraburgim dhe se nuk paraqet rrezikshmëri. Prokurori Besnik Muci, kërkoi më tej caktimin e masës “Arrest me burg” për Haxhinë, gjë që u pranua nga gjyqtari Kurushi. Lënia sërish në burg për Haxhinë është argumentuar nga gjyqtari me faktin se çështja “Hajdari” është rihapur dhe se i tillë ai konsiderohet si i pandehur.
Më 30 shtator, pas refuzimit të Gjykatës së Tiranës, u rihap çështja ndaj Haxhisë i cili akuzohet për "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", e kryer në bashkëpunim, "Vrasje me paramendim", e kryer në bashkëpunim, "Vrasje me paramendim", e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25, 78-25-22 të Kodit Penal.
Dërgimi i çështjes për t’u shprehur në Gjykatën e Lartë e fut në ngërç, pasi ky institucion ka vetëm një anëtar të Gjykatës së Lartë, nga 19 që duhet të ketë gjithsej. Të gjithë anëtarët janë dorëhequr ose janë shkarkuar nga procesi i Vettingut. Duhet të paktën që kjo gjykatë e Lartë të jetë me tre anëtarë për t’u shprehur mbi “fatin” e Izet Haxhisë.

Izet Haxhia si truproje e ish-presidentit Sali Berisha. Gazeta Si, 7 tetor 2019


Izet Haxhia u shpallur fajtor në mungesë dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të vitit 1998. Haxhia ka qenë truproja i parë i Sali Berishës, njeriut që ka drejtuar më shumë Shqipërinë që nga viti 1992. I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berishën dhe ju “ngjit” duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë. Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998. Në vitet e qeverisjes së PD-së del në pah një konflikt i hapur ndërmjet tij dhe Azem Hajdarit, kreut të Lëvizjes Studentore dhe deputet i PD-së. Edhe ai nga Tropoja. Izet Haxhia nuk ishte thjesht një oficer i Gardës në ato vite, por një mekanizëm force politike që ka vepruar ndaj shumë personazheve që kanë kritikuar apo sulmuar Sali Berishën, përfshirë dhe Edi Ramën, kur ky i fundit ishte thjesht pedagog.

Foto arkiv, Izet Haxhia duke u përplasur me Azem Hajdari gjatë kohës lideri dhjetorit kontestonte qeverinë e PD-së. Gazeta Si, 7 tetor 2019


Në vitin 2005, Izet Haxhia u arrestua ne Turqi. Ka mbetur enigmë fakti se pse Izet Haxhia u mbajt në Turqi dhe nuk u ekstradua, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë bërë vetëm një kërkesë për ekstradim, por edhe ajo u la në harresë. Prej kohësh Izet Haxhia është aktiv në media dhe rrjetet sociale, ku nuk ka reshtur së akuzuari ish-kryeministrin Sali Berisha si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Vite më parë, ai ka dhënë një version të ndryshëm të vrasjes së Azem Hajdarit, ku thekson se nuk ka qenë fare në vendngjarje, duke kërkuar hapjen e çështjes. Ai akuzoi Fatos Klosin dhe Sali Berishën në manipulimin e ngjarjes. Kur autoritetet turke nuk po vepronin për ekstradimin e tij, Haxhiaj në prill të vitit 2018 u vetëdorëzua dhe kërkoi që të ekstradohej në vendin tonë. Këtë akt ai e bëri publik nëpërmjet rrjeteve sociale. Pas 17 vitesh, në maj të vitit 2018, Haxhia u ekstradua nga Turqia. Dosja e bujshme për vrasjen e Azem Hajdarit, për të cilën Izet Haxhia ka rihapur dhe ai pretendon se ka prova të forta që do të tronditin opinionin e do të ndryshojnë rrjedhën e asaj historie. Ai nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën për vrasjen e ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari.
Në shtator të vitit 2019, Gjykata e Tiranës shpalli mos kompetencën për çështjen e shumë diskutuar për Izet Haxhinë. Ajo shkoi të Krimeve të Rënda, ku pritet që të bëhet dhe rigjykimi. Kalim i dosjes tek Krimet e Rënda është bërë nga Prokuroria, pasi kërkoi nga Gjykata shpalljen e mos kompetencës, për shkak se vrasja e funksionarëve publik.
Një vit pas ekstradimit nga Turqia, Izet Haxhija do të fitonte betejën e parë me drejtësinë shqiptare për t’u rigjykuar pas dënimit të marrë në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e Azen Hajdarit. Gjykata për Krime të Rënda pranoi më 18 mars, kërkesën e Izet Haxhisë për hapjen e dosjes ‘Hajdari’. Tre gjyqtarët e Krimeve të Rënda Dhimitër Lara, Nure Ndreni dhe Sokol Binaj vendosën të prishin dy vendimet që kishin dënuar Haxhinë për ta rihapur procesin me një tjetër trup gjykuese në Shkallën e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë