Drejtësia

Vrasja e Azem Hajdarit, prokuroria kërkon 25 vite burg për Izet Haxhinë

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite burgim për Izet Haxhinë, ish-truprojën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar si bashkëpunëtor për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari në vitin 1998.

Gjykata e Tiranës, njofton se seanca ku është lexuar pretenca e Prokurorisë, është zhvilluar këtë të enjte dhe prokurori i çështjes, Drian Nushi, ka kërkuar shpalljen fajtor të Haxhisë për tre vepra penale.

Seanca e radhës do të mbahet në 21 janar 2022 ora 14:00, pasi mbrojtja ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e prokurorisë.

Pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi, ku u arrestua në vitin 2006, për t’u ekstraduar më pas në 8 maj 2018.

Në periudhën që përgatitej dosja e ekstradimit të tij nga autoritetet shqiptare, Haxhia kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta.

Atij nuk iu miratua azili, po përfitoi një leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar, me kushtin që të mos dilte jashtë Turqisë.

Për 12 vjet me radhë, autoritetet turke kishin refuzuar transferimin e tij në Shqipëri, por në 2018-ën, Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin dhe ky vendim u pranua edhe nga Ministri Turk i Drejtësisë.

52 vjeçari nga fshati Babinë i Tropojës u dënua në mungesë me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Azem Hajdarit në 29 prill të vitit 2002.

Pas ekstradimit nga Turqia, ai nisi betejën me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të bujshme të këtyre 30 viteve, duke u cilësuar si "vrasja e shekullit", ku shkak u bë kërkesa e Haxhisë për rigjykim.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës pas relatimit të çështjes nga prokurori

Izet Haxhia, dikur ish-truprojë e Sali Berishës, kërkoi të përballet në gjyq me dëshmitarët, mes tyre edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, për të hedhur dritë sipas tij me të vërteta të papublikuara më herët në lidhje me vrasjen.

Ka qenë Gjykata e Tiranës ajo që rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të detyruar ish-kryeministrin Berisha të përballet në procesin gjyqësor ndaj Haxhisë. Prej thuajse 4 vitesh, seancat gjyqësore me drejtësinë shqiptare kanë qenë të panumërta për Haxhinë, i cili ka kërkuar pafajësinë, duke pretenduar se nuk ka bashkëpunuar në vrasjen e Hajdarit.

Prokuroria arsyetoi se bazuar në mënyrën sesi janë zhvilluar ngjarjet, ka prova për të provuar fajësinë në krim të ish- truprojës së Berishës.

Në vendimin final të gjykatës, thuhej se Haxhia është personi që nxori në pritë Azem Hajdarin, edhe pse ai i ka hedhur poshtë këto akuza gjithnjë.

Për ngjarjen, janë dënuar edhe dy vëllezërit e Haxhisë si bashkëpunëtorë, Ismet e Isamedin Haxhia, të cilët tashmë kanë shlyer dënimin e dhënë ndaj tyre. Ish-deputeti Azem Hajdari, u vra jashtë godinës së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998.

Për vrasjen e liderit historik të PD-së, është dënuar me burgim të përjetshëm vetëm Jaho Mulosmani, i cili ka pretenduar gjithnjë se përfshirja e tij ishte vetëm udhëtimi në një prej mjeteve me Fatmir Haklajn, nga Tropoja në Tiranë.

Mulosmani nuk e ka pranuar kurrë implikimin e tij në vrasjen e Hajdarit, duke rrëfyer se ai ka qenë vetëm shoferi i mjetit dhe se ishte Fatmir Haklaj, ai që qëlloi mbi Azemin, duke e lënë të vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë