Njerez

‘Nuk jemi kopsht zoologjik’ – Pse po protestojnë punonjëset e seksit në Amsterdam

I mbingarkuar nga popullariteti i tij, Amsterdami po shton përpjekjet për të rregulluar imazhin e tij si "një qytet pa rregulla". Britanikët e dehur nuk do të lejohen të shkojnë më atje dhe ka lëvizje për të frenuar kanabisin dhe dritat e kuqe mund të shuhen në shtëpitë publike në qendër të qytetit.

Rregullat e reja për punonjëset e seksit hynë në fuqi më 1 prill, sipas zyrtarëve, duke kërkuar që bizneset të mbyllin dyert e tyre në orën 3 të mëngjesit dhe jo në orën 6 të mëngjesit për të luftuar atë që autoritetet lokale e përshkruajnë si sjellje shqetësuese për njerëzit që vizitojnë lagjen e dritave të kuqe.

Orët e reduktuara vijnë në mes të një fushate të vazhdueshme nga këshilli i qytetit për të zhvendosur punonjëset e seksit në një “qendër” jashtë zemrës së qytetit. Disa punonjëse seksi thonë se reformat e synuara ndaj tyre po rrisin stigmën dhe thanë se po diskriminohen në mënyrë të padrejtë dhe po përdoren si një kok turku për problemin e qytetit me turizmin masiv.

Një zëdhënës i nënkryetarit të bashkisë së Amsterdamit, Sofyan Mbarki, thotë se paketa e masave është krijuar për ta mbajtur qytetin të jetueshëm, duke argumentuar se “ne tani duhet të zgjedhim kufizimin në vend të rritjes së papërgjegjshme”.

Felicia Anna (jo emri i saj i vërtetë për arsye privatësie) është një ish-punonjëse seksi që ka jetuar në Amsterdam për 13 vjet dhe tani është kryetare e Red Light United, një sindikatë për punonjëset e seksit në lagjet e dritave të kuqe në Amsterdam.

Anna thotë se ulja e orëve të punës do të ulë në mënyrë drastike të ardhurat për punonjëset, duke bërë që shumë prej tyre të mos jenë në gjendje as të mbulojnë shpenzimet e tyre si qiraja.

“Shumica e punonjësve fillojnë punë pas orës 12 dhe me rregullat e reja i bie të punojnë shumë pak”,  thotë Anna.

Violet është një punonjëse seksi dhe koordinatore për Qendrën e Informacionit të Prostitucionit e cila thotë se orët e reduktuara do të ndikojnë veçanërisht në komunitetin transgjinor, duke deklaruar se shumë klientë që vijnë nga ora 03:00 deri në orën 06:00 kërkojnë punonjës seksi transgjinorë.

Ajo foli gjithashtu për shqetësimet e mirëqenies për të gjithë punonjëset e seksit, duke shpjeguar se si mund të ndikojnë rregullat në sigurinë e tyre për t’u kthyer në shtëpi të sigurta.

“Nëse shkon në shtëpi në orën 3, kur gjithçkaa është e mbllur, është shumë rrezik, sidomos kur je punonjëse seksi”, thotë Violet, duke e krahasuar atë me orën 6 të mëngjesit, ku bizneset janë hapur dhe ka transport.

Një protestë e organizuar nga punonjëset e seksit ndërpreu një mbledhje të këshillit të qytetit të enjten ndërsa po diskutoheshin opsionet e vendndodhjes për qendrën e tyre.

Protestueset i dorëzuan kryebashkiakes së Amsterdamit, Femke Halsema, një peticion të nënshkruar nga 266 punonjëse seksi, sipas Red Light United, i cili kërkonte më shumë polici në distriktin e dritave të kuqe në vend të mbylljes herët dhe zhvendosjen.

Halsema ka deklaruar më parë se disa vizitorë i shohin punonjëset e seksit vetëm si një atraksion turistik, duke argumentuar se një qendër jashtë qytetit do të reduktojë mbipopullimin në zonën e dritave të kuqe dhe do të krijojë një vend ku punonjëset e seksit mund të punojnë të sigurta dhe të pashqetësuara.

Punonjëset e seksit nuk pajtohen, me Red Light United që argumenton se qendra mund të krijojë një mjedis për më shumë krim dhe sjellje “të dyshimta”.

Violet u bëri jehonë shqetësimeve të sigurisë, duke argumentuar se zhvendosja e punonjësve të seksit do të hiqte gjithashtu disa mbrojtje sociale.

“Nëse punonjëset dërgohen në një zonë tjetër, do jenë më të rrezikuara pasi nuk do ketë monitorim”, thotë Violet.

Kufizimet për punonjëset e seksit janë vetëm një pikë kryesore në përpjekjen e riorganizimit të Amsterdamit. Siç u përshkrua, kufizime të tjera janë vendosur gjithashtu, të tilla si kufizimet e shitjes së alkoolit dhe ndalimi i pirjes së duhanit në rrugë.

Këshilli i qytetit ka prezantuar gjithashtu disa fushata, duke përfshirë fushatën "Stay Aëay", e cila fillimisht synonte të rinjtë britanikë.

Zëdhënësi i nënkryetarit të bashkisë së Amsterdamit, Sofyan Mbarki, thotë se fushata filloi në Mbretërinë e Bashkuar sepse “kanë më shumë sjellje shqetësuese”.

Megjithatë, zëdhënësi vuri në dukje se ky është vetëm hapi i parë i fushatës, duke thënë se "nuk është specifike për një vend" dhe “brenda muajve të ardhshëm kjo fushatë do të fillojë edhe në vendet e tjera të BE-së”.

Felicia Anna dhe Violet thanë se nga përvoja e tyre personale, burrat britanikë nuk sillen më keq se turistët e tjerë. Ato të dyja shtuan se nuk janë vetëm turistët që shkaktojnë probleme me sjelljen e bezdisshme, por edhe vendasit.

Anna beson se problemi më i madh është në qëndrimin pa rregulla, për të cilën ajo pranon se duhet të ndryshojë.

“Mund të ketë fushata që mbajnë larg njerëzit por nuk do funksionojnë. Njerëzit duhet të mësohen si të sillen. Nëse nuk bëhet kjo, asgjë nuk do ndryshojë”.

“Nuk jemi në kopësht zoologjik. Ejani tek ne por mësoni si të silleni”.

Violet gjithashtu bëri thirrje për më shumë edukim.

“Trajtojeni këtë vend ashtu siç trajtonit qytetin tuaj”, përfundon Violet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë