Muzike

“Notre Dame de Paris”, një shfaqje e kompletuar në Tiranë, por ‘kishte probleme me organizimin’

Nga Gazeta Si - Pa i hequr asnjë detaj mrekullisë që ofron vepra, "Notre Dame de Paris" pati gjëra që shkuan mirë por edhe gjëra që dështuan. Publiku shqiptar e shijoi mbrëmjen e së dielës muzikalin e famshëm francez që u ngjit në skenën e stadiumit “Air Albania” për herë të parë në Tiranë (dhe rajon). “Notre Dame de Paris” u luajt nga trupa profesioniste ndërkombëtare, ndërsa rolin e Esmeraldës e luajti këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani.

Të shumtë kanë qenë ata (njerëz të artit dhe jo vetëm) që janë emocionuar nga shfaqja. Por sipas muzikologes Holta Sina ka pasur edhe elementë që kanë çeduar.

LEXO EDHE:
Natë magjike me muzikalin ‘Notre-Dame de Paris’, mijëra spektatorë në ‘Air Albania’

Muzikologia thotë për Gazetën “Si” se shfaqja nuk ishte live, ose tërësisht live, pasi ishin vërtet shumë kualitativë për sa i përket pastërtisë intonative.

“Ishte një shfaqje vërtet e kompletuar në të gjitha drejtimet, por për mua nuk ishte Live, ishte playback. Kjo nuk mund të merret tamam si vërejtje sepse është një shfaqje shumë komplekse. Nuk mund të jetë një opera që detyrimisht është live sepse muzikali ka diçka specifike, ti lëviz më shumë në skenë, dhe nga lëvizja zëri nuk mund të jetë gjithë kohës në të njëjtin nivel. Nuk ka mundësi të mbash potencën të dy orëve pa ndjerë frymëmarrjen e këngëtarit, ne muzikantët e kuptojmë shumë mirë”, shprehet muzikologia dhe pedagogia në Universitetin e Arteve, Holta Sina për Gazetën “Si”.

Ajo thotë se në tërësi muzikali erdhi bukur sepse ishte në stadium dhe parametrat për një stadium ishin shumë optimale.

“Ishte punuar me kujdes në pikëpamje teknike, për të ardhur mirë te publiku. Ishte e realizuar mirë nga ana koreografike. Në koncertin e Nikos Vertis dhe fonia na mbyti sa zëri i këngëtarit nuk u dëgjua fare”, thotë ndër të tjera muzikologia.

Muzikologia dhe pedagogia në Universitetin e Arteve, Holta Sina

Sa i përket zërit, Sina thotë se prifti ishte më potenti, ndërsa Kuazimodo vinte i sforcuar.  

“Prifti për mua anonte më shumë jo nga muzika pop se muzikali ka diçka të tillë që përzgjidhen kryesisht këngëtarë pop, dhe dukej kryesisht si këngëtar operistik. Për mua ishte më potenti, Kuazimodo kishte pak sforcim. Vinte pas priftit dhe pas Esmeraldës, e prisja dhe më mirë. Elhaida e interpretoi Esmeraldën me shumë profesionalizëm si vokalisht ashtu edhe nga ana interpretative”, shprehet muzikologia. Ajo shton se e njeh mirë muzikalisht veprën: “Im shoq (Endri Sina) e ka vënë këtë shfaqje në Teatrin e Operës në 2006, dhe njoh çdo notë se është punuar dhe orkestruar në shtëpi”.

Sipas saj kishte prurje të reja nga ana e skenografisë, imazhit dhe kurimit.

“Skenografia ishte shumë interesante. Ishte një moment i bukur që Esmeralda këndonte sipër dhe është ndonjëherë e frikshme që ti të jesh duke kënduar dhe të të lëvizë toka nën këmbë. Kishte dhe prurje të reja nga ana e imazhit, kurimit dhe çdo gjëje. Ata janë një trup i konsoliduar tashmë. Ishin të lidhur me njëri tjetrin në mënyrë të natyrshme”, thotë muzikologia por shton se “përveç Elhaidës që e dinim, që në poster nuk kishim të dhëna se cilët ishin këngëtarët. Dikur treshja e famshme ishin: Julie Zenatti (Esmeralda), Pierre Garou (Kuazimodo), Patrick Fiori (prifti Frolo)”.

Një tjetër problem sipas saj ishin titrat dhe portretet e personazheve që duhet të vinin më afër për të kuptuar mimikat dhe dramacitetin e tyre.

“Titrat kishin probleme, por jo gjithmonë. Njëherë zmadhoheshin dhe njëherë zvogëloheshin, ishin më të pjerrët. Nuk e di a ishte teknika jonë kjo apo ishte e ardhur prej tyre që çedonte. Për mua edhe portretet duhet të vinin më nga afër për të perceptuar portretet dhe mimikat e tyre, dramaticitetin e tyre. P.sh Esmeralda kur këndonte vetë, duhet të ishte më afër”, thotë muzikologia Sina.

Ajo që çedoi ishte edhe pritja për të nisur shfaqja. “Një vërejtje për organizimin në të dyja koncertet e fundit (edhe te Nikos Vertis) duhet të prisnim dy ore që të fillonte shfaqja. E kuptoj që stadiumi do kohën e vet që të mbushet dhe të sistemohet publiku, por jo kaq gjatë", thotë Sina.

Një gjë e bukur sipas saj ishte tejmbushja e stadiumit, duke dhënë idenë që publiku po u kthehet vlerave, pasi kjo shfaqje është vërtet elitare.

“Stadiumi ishte i tejmbushur. Njerëzit e pritën me shumë entuziazëm. Aq më tepër pashë edhe të vegjël, pra kjo është një kulturë që faktikisht është shumë e mirë që të ndiqen koncerte që kanë vlerë. Kishte grupmosha të ndryshme, edhe të moshuar. Për mua është gjë e mirë që të ndjekim të tilla koncerte, dhe jo të dëgjojmë veç tallava që po na vjen vërdallë gjithandej, t’u kthehemi vlerave. Nuk e mendoja që një shfaqje që do publik elitar, të kishte kaq shumë pjesëmarrje’, shprehet ndër të tjera muzikologia.

Për të një moment emocionues ishte dalja e kantautorit të njohur në fund, Riccardo Cocciante.

“Një moment i bukur ishte dalja e Riccardo Cocciantes në fund, ishte një moment shumë emocionues. Ardhja e tij do të thotë që e ka vlerësuar shumë vendin tonë”, përfundon ajo.

“Notre-Dame de Paris” është një shfaqje muzikore (musical) e cila e bëri debutimin e saj të parë më 16 shtator 1998 në Paris. Historia bazohet në romanin Notre-Dame de Paris (i njohur në anglisht si The Hunchback of Notre-Dame) nga shkrimtari francez Viktor Hygo.

Muzika u kompozua nga Riccardo Cocciante ndërsa teksti mban vulën e Luc Plamondon.

Që nga debutimi i parë shfaqja është luajtur në Belgjikë, Kanada, Kinë, Francë, Itali, Japoni, Liban, Luksemburg, Poloni, Rusi, Singapor, Korenë e Jugut, Spanjë, Zvicër, Tajvan, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dhe është përkthyer në dhjetë gjuhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë