Muzike

Natë magjike me muzikalin ‘Notre-Dame de Paris’, mijëra spektatorë në ‘Air Albania’

Nga Gazeta Si - Publiku shqiptar shijoi mbrëmjen e së dielës muzikalin e famshëm francez “Notre Dame de Paris”, që u ngjit në skenën e stadiumit “Air Albania” për herë të parë në Tiranë (dhe rajon).

Muzikali “Notre Dame de Paris” u luajt nga trupa profesioniste ndërkombëtare, ndërsa rolin e Esmeraldës e luajti këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani.

Të shumtë kanë qenë ata (njerëz të artit dhe jo vetëm) që kanë ndarë video nga shfaqja “Notre Dame de Paris” duke e cilësuar si mjaft emocionuese.

Drama e Kuazimodos dhe ciganes Esmeralda, që prej më shumë se dy dekadash ka lënë gojëhapur spektatorët në katër anët e globit, ka mbajtur peng për më shumë se 2 orë edhe publikun shqiptar.

E frymëzuar në romanin e Viktor Hygos, muzikali erdhi në versionin fillestar në frëngjisht, me titrat në shqip nën muzikën e kantautorit italian, Riccardo Cocciante.

Kompozitori Riccardo Cocciante, popullor për shqiptarët edhe për këngët e tij si “Margherita” tregoi një ditë para shfaqjes se çfarë e bindi përpos këmbënguljes së Elhaidës të pranonte ftesën, pavarësisht kohës së shkurtër.

“Elhaida ka një zë fantastik, një amplitudë fantastike zëri dhe gjithashtu ndjenjë. Ky është një vend që e meriton është një vend që ka jetuar me një të shkuar të vështirë më parë me pushtimin italian gjithashtu, pastaj me një diktator dhe tani po hapet është një vend që mbase më në fund fillon të jetojë. I thamë vetes mbase është momenti që ‘Notre Damme’ të vij në Shqipëri”, tha Cocciante.

Ndërkohë, këngëtarja Elhaida Dani do të rrëfente se vënia e këtij muzikali që mban rekord Gines për shikueshmërinë në vendin e saj këtë i dhuron emocione të veçanta.

“Artistikisht të luaj rolin dhe të fitoj audicionet për të luajtur Esmeraldën ka qenë një arritje e madhe për mua si artiste, ndërsa nga ana humane e kam jetuar edhe vetë kur 19 vjeç shkova në Itali dhe provova të jetoj në një vend ku nuk dija gjuhën dhe doja të ndihesha si të tjerët. Por ndihesha e huaj prapë si Esmeralda mundohesha të krijoja identitetin tim sa herë mundohem të ringjall këtë rol në skenë mundohem të kem emocionet e mia që kam jetuar, por edhe nga të afërm dhe bashkatdhetarë të mi”.

Elhaida u ftua nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror, i cili është pjesë e librit Guinness.

Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, po udhëtojnë anekënd botës duke e prezantuar përpara artdashësve në Francë, Lebanon, Russi, Taiwan, Kanada, etj.

Gjithashtu, duke njohur terren të gjerë nëpër botë, vepra është e përkthyer në 7 gjuhë të tjera.

“Notre-Dame de Paris” është një shfaqje muzikore (musical) e cila e bëri debutimin e saj të parë më 16 shtator 1998 në Paris. Historia bazohet në romanin Notre-Dame de Paris (i njohur në anglisht si The Hunchback of Notre-Dame) nga shkrimtari francez Viktor Hygo.

Muzika u kompozua nga Riccardo Cocciante ndërsa teksti mban vulën e Luc Plamondon.

Që nga debutimi i parë shfaqja është luajtur në Belgjikë, Kanada, Kinë, Francë, Itali, Japoni, Liban, Luksemburg, Poloni, Rusi, Singapor, Korenë e Jugut, Spanjë, Zvicër, Tajvan, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dhe është përkthyer në dhjetë gjuhë.

Disa këngë nga spektakli, si “Vivre”, “Belle” dhe “Le temps des cathédrales”, janë publikuar si single, duke korrur kështu një sukses të jashtëzakonshëm.

Notre-Dame de Paris, sipas Librit të Rekordeve Guinness, është shfaqja më e suksesshme ndonjëherë në vitin e parë të debutimit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë