Histori

“No pasaran”, shqiptarët që luftuan në tokën spanjolle

Përse shqiptarët vendosën të shkonin në Spanjë? Çfarë i shtyu ata të sakrifikonin rininë e tyre për të luftuar për një popull tjetër. Mos vallë kërkonin të mbronin idetë e kuqe që kishin filluar të pushtonin pak nga pak vendet e botës? Apo ishin antifashistë, të cilët nuk donin që ajo e keqe të përhapej më tej?

Në parathënien e librit “Dëshmorët Shqiptarë në Luftën e Spanjës” të Veiz Bajos , citohet ajo që Skënder Luarasi, njëri prej vullnetareve shqiptarë që luftuan në Spanjë, thotë në atë kohë në emisionin shqip të Radio Barcelonës: “Nuk ka në Shqipëri, një qytetar me pesë para mend në kokë që të mos kuptojë se pas Abisinisë dhe Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e fashizmit. Mjerë Shqipëria po ta fitojnë gjeneralët fashistë luftën që i kanë shpallur Republikës në Spanjë”.

Vetë Luarasi, djali i patriotit të madh të gjuhës shqipe dhe hapësit të shkollës së parë shqipe Petro Nini Luarasit, ishte një nga ata që pas luftës mundi të kthehej në Shqipëri dhe që arriti të japë dëshmitë e tij nga Lufta e Spanjë. Ai vdiq më 1982, ndoshta i fundit nga shqiptarët që kishin thënë “no pasaran”.

Në kujtimet e tij ai thekson bindjen e tij se fashizmi ishte një rrezik i madh për të gjitha vendet. Një bindje që detyroi mjaft shqiptarë të ndërprisnin studimet apo jetën e qetë dhe të shkonin si vullnetarë për të luftuar. Vullnetarët shqiptarë ishin ne pjesën më të madhe oficerë që kishin mbaruar akademitë ushtarake dhe ishin të aftë që në situata lufte të merrnin përsipër edhe komandën. Ata luftuan së bashku në një kompani të batalionit të katërt të Brigadës së 12-të Ndërkombëtare që quhej edhe brigada “Garibaldi”, për shkak se në të bënin pjesë shumë italianë.

HISTORIKU

Spanja u shpall për herë të parë Republikë më 1873. Më 1923 në u vendos diktatura e Primo de Riverës. Tre vjet më vonë nënshkroi një traktat me Italinë fashiste të Benito Musolinit dhe më 1928 edhe me Hitlerin. Një gjë e tillë shkaktoi protesta të fuqishme në të gjithë vendin dhe që e detyroi Primo Riverën të jepte dorëheqjen. Vazhdimi i protestave bëri që në zgjedhjet bashkiake të vitit 1931, të fitonin partitë e majta. Atëherë mbreti Alfons i 13 u detyrua të largohej menjëherë nga Spanja. Periudha 1931-1934 do të ishin për Spanjën një luftë e pandërprerë midis Republikës dhe përpjekjeve të forcave monarkike për të rikthyer pushtetin absolut. Disa përpjekje të organizuara për grushte shteti dështuan vetëm në sajë të gatishmërisë së vetë popullit. Vitet 1934- 35 janë vite të vështira për popullin spanjoll. Në pushtet tashmë kishin ardhur fashistët, të cilët gëzonin një mbështetje të hapur nga ana e Musolinit.

Në këto kushte populli organizohet përsëri dhe shpërthejnë luftimet e para. Në rrugët e Madridit demonstrojnë 400.000 punëtorë dhe fshatarë. Këta të fundit jetonin në kushte tepër të këqija: ata zinin 45 përqind të popullsisë por zotëronin vetëm 14 përqind të tokës. Megjithatë, si pasojë e bashkëpunimit politik të komunistëve me socialistët, forcat e majta marrin përsëri pushtetin. Dhe kësaj here fashistët, të përkrahur hapur nga Gjermania dhe Italia, u betuan se nuk do të toleronin më. Lufta civile ishte në prag. Shkurt 1936. Fronti popullor fiton zgjedhjet parlamentare. Në korrik gjeneralët spanjollë të ndihmuar edhe nga 300.0 trupa që u dërguan nga Musolini dhe Hitleri nisën bombardimet. Një luftë në të cilën erdhën gjithashtu 5.560 vullnetarë nga 53 vende të botës, mes të cilëve dhe 60 shqiptarë. 16 prej tyre u vranë në luftime.

SHQIPTARËT

Shqiptarët e parë që arritën në Spanjë ishin studentët e Akademisë Ushtarake të Torinos të cilët mbërritën nëpërmjet Francës. Ishin Dhimitër Lito, Zef Hoti, Xhelal Bajrami, Ramiz Varvarica dhe Urfi Agolli, të cilët nën pretekstin për t’i kaluar pushimet e vitit të ri në Francë dhe arritën në Albacetë në janar.

Shqipëria me 800.000 banorë përbënte në atë kohë vetëm 4 përqind te popullsisë së Spanjës. Në vend ekzistonte një klimë e tillë ku monarkia e Ahmet Zogut eliminonte me dhunë çdo përpjekje të forcave republikane. Sapo kishte dështuar revolta e Fierit dhe qeveria zogiste kishte vendosur një censurë të ashpër, duke penguar deri edhe njerëz të veçantë të dilnin jashtë vendit. Por pati edhe nga ata që arritën të gjenin mënyrën për të kaluar ilegalisht kufirin. Vullnetarët shqiptarë nuk vinin vetëm nga Shqipëria, por edhe nga SFIBA, Kosova, Çamëria, Franca, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia. Sipas dëshmive të vetë pjesëmarrësve, në tokën spanjolle arritën 60 shqiptarë, por u mundën të evidentoheshin vetëm 41 prej tyre.

Disa nga vullnetarët antifashistë të Luftës së Spanjës (1936-39) me banim në Shqipëri. Nga e majta në të djathtë: Zef Prela, Veli Dedi, Justina Shkupi, Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Iljaz Pashaj, Mane Nishova, Petro Marko. (Foto e vitit 1959).

“U nisa nga Shqipëria për në Spanjë më 12 dhjetor 1936”, tregon Skënder Luarasi në librin e tij “Në Brigadat Internacionale në Spanjë”. “Shkova për në Follorinë më 14 dhjetor ku viza greke mu vonua një javë. Pas Pashkëve të vogla u nisa për në Marsejë”. Aty pasi takon Ymer Dishnicën dhe merr prej tij një letër rekomandimi, Luarasi merr kontakt me shqiptarë të tjerë, të cilët jo të gjithë ishin të gatshëm të shkonin në Spanjë. Në ditët e para të janarit 1937, pasi vihet në krye të rreth 200 vullnetarëve të mbledhur në Paris, Skënder Luarasi niset me grupe të vogla dhe në mënyrë të fshehtë drejt Madrid- it. Kalojnë kufirin franko-spanjoll me këmbë në kodrat jugore të Pirenejve. Në qytetin Figureas bashkohen me shumë vullnetarë të tjerë që kishin arritur aty që më përpara. Pasi çlodhen disa ditë në kështjellën mesjetare, zgjedhin një komandant dhe një komisar politik dhe nisen me tren drejt Barcelonës.

Në qytetin katalanas, vullnetarët u gjendën mes një pritjeje entuziaste nga ana e popullit, dhe anarkistëve te cilët kishin stolisur ballkonet e shtëpive me flamurin e tyre me breza kuq e zi, i ngjashëm me atë të flotës shqiptare. Një italian e fton Skënder Luarasin në zyrën e Radios që të japë një intervistë në shqip për t’ia transmetuar shqiptarëve nga kryeqytetin i Katalonjës. “Unë fola për shkaqet që na detyronin edhe ne, të një vendi të vogël dhe të largët, që të vraponim në ndihmë të Republikës Spanjolle”, kujton Luarasi. “Ne shqiptarët vinim aty si vullnetarë për të përmbushur një detyrë patriotike, se kështu do të kishte sy e faqe kombi ynë të kërkonte ndihmën e popujve të tjerë liridashës në rast të një agresioni fashist kundër atdheut tonë”.

Petro Marko, Skënder Luarasi, Emrush Myftari; poshtë Mehmet Shehu dhe Iljaz Pashai

Pas një pushimi të shkurtër në Valencia, udhëtimi i shqiptarëve, vazhdoi me tren për në Albaceta, një qytet ndërmjet Valencias dhe Madridit. Albaceta ishte caktuar si baza e Brigadave Internacionale. Edhe pse në mes të dimrit, ngjyrat e bregdetit mesdhetar me ullinjtë, agrumet dhe kaltërsinë e detit, i jepnin një pamje të mrekullueshme natyrës. Kësaj i shtoheshin edhe kështjellat e moçme, tek ngjiteshin drejt Mançës, vendit të Kalorësit fytyrëvrenjtur, Don Kishotit të famshëm. Përfytyrimet e shqiptarëve ndërpriteshin herë pas here nga bombardimet e junkerëve dhe kapronëve.

Gjatë tre ditëve qëndrim në Albacetë, shqiptarët u takuan edhe me Andre Marty, komandanti i brigadave internacionale. “Pasi na dhanë rroba ushtarake, na pyetën se në cilën brigadë donim të merrnim pjesë. Unë kërkova të më dërgonin në çdo njësi ku qenë ballkanasit”, thotë Luarasi.

Ndërkaq në maj të 1937 në Spanjë kishin arritur shqiptarë të tjerë: Oficeri kosovar Asim Vokshi dhc Teni Konomi me profesion artizan. Emisionet në shqip të radios nga Barcelona dhe Valencia e kishin bërë punën e tyre. Duke udhëtuar me anije nga Marseja për në Barcelonë, vapori i tyre silurohet nga flota fashiste spanjolle dhe Konomi vritet pa arritur akoma në tokën spanjolle. Asim Vokshi mezi arrin në Albacetë ku u tregon të tjerëve për ngjarjen tragjike. Vokshi sjell me vetë edhe dëshirën e shqiptarëve për të dëgjuar më shumë minutazh në emisionet nga toka spanjolle.

“Shpresoja që me ndihmën e Asimit të realizohej kjo gjë, por si oficer karriere që ishte ai shkoi drejt e në front, në brigadën Garibaldi, në të cilën shërbeu si komandant kompanie dhe ra hero në Fuente del Firo më. 4 tetor 1937”, shkruan në kujtimet e tij Luarasi.

Shqiptarët që u vranë në tokën spanjolle. Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Teni Ikonomi, Thimjo Gogozoto, Zef Hoti, Zihni Çami, Xhelal Abaz Bajrami (Çami)

Shqiptari i parë që u vra në tokën spanjolle ishte 30 vjeçari Zef Hoti nga Malësia e Shkodrës. Ai ra në frontin e Haramës për mbrojtjen e Madridit në janar l937. Pas tij humbi jetën po duke luftuar edhe 23 vjeçari Urfi Agolli nga Dibra e Madhe.

Më 28 shtator, batalioni ku bënin pjesë edhe shumica e shqiptarëve bëri një nga betejat më të ashpra në brigjet e lumit Ebro. Aty u vranë më shumë se 10 shqiptarë, mes të cilëve dhe Musa Fratari. Pas këtyre luftimeve ky batalion u riorganizua përsëri dhe shqiptarët ndihmuan në drejtimin e njësive të tij. Deri më 23 mars kur Madridi, qendra më e madhe e rezistencës spanjolle, ra në duart e Frankos. Një luftë që i kushtoi spanjollëve dy milion të vrarë.

Gjatë një udhëtimi të shpejtë që Skënder Luarasi bën në ato ditë. Në Paris, ai njihet me Justina Shkupin. Ajo ishte një femër që ishte nisur nga Shqipëria për të luftuar si vullnetare në Spanjë, por që disa të emigracionit shqiptar në Francë e kishin ndaluar. Duke qenë infermiere, ajo dha ndihmën e saj në spitalet spanjjolle, duke mjekuar të plagosurit e shumtë.

Që në fillim shqiptarët u treguan ushtarakë të zotë, edhe sepse shumë prej tyre vinin nga bankat e Akademive Ushtarake. Për këtë ata preferoheshin të viheshin në krye të njësive luftarake. Por shqiptarët pranuan më shumë të luftonin në vijën e parë se sa të urdhëronin të tjerët për të bërë luftë. Një nga këta ishte dhe Mehmet Shehu, i cili pas çlirimit të Shqipërisë arriti të bëhet Nr. 2, pas Enver Hoxhës. Ai arriti në postin e lartë Kryeministrit, deri kur vrau veten, të paktën sipas versionit zyrtar. Edhe për Shehun shkruan Luarasi në kujtimet e tij. “Ata të shtabit “Linkoln” do të formonin një batalion të ri dhe kërkuan për komandant një oficer shqiptar që të fliste anglisht. Ne atë behar erdhi në Spanjë si me porosi Mehmet Shehu. E nxita që ta bisedonte këtë gjë vetë me komisarin amerikan. Mehmeti nuk e pranoi postin. Ai shkoi direkt në front me brigadën “Garibaldi”, ku u dallua si një luftëtarët më trima të saj.

Botimi i “Vullnetarit të Lirisë”, organ i shqiptarëve të Brigadave Internacionale, erdhi si një nevojë për të informuar në gjuhen shqipe' atë që ndodhte në Spanjë. Këtë ide, e përkrahën edhe anëtarët e tjerë të komitetit ballkanas. Në atë kohë në Albacete vjen Petro Marko, i cili do të bëhej më vonë edhe një shkrimtar i njohur, sidomos për romanin “Hasta la vista”, që tregon pikërisht aventurën e tij në Luftën e Spanjës. Petro Markoja kishte mbaruar shkollën tregtare të Vlorës dhe që ishte dalluar më pas në 1 i- ranë si një publicist përparimtar. Ai kontribuoi fuqishëm në përgatitjen e revistës, e cila u vendos të botohej me rastin e 28 nëntorit 1937. Dhe meqenëse Petro Marko dinte italisht, ai mund të shkonte fare mirë në Barcelonë tek vullnetarët italianë të radios. Por edhe shkrimtari i ri shkoi të luftonte me armë në dorë.

Ndërkaq “Vullnetari i Lirisë” u përgatit në një kthinë gjysmë të shkatërruar nga predhat e aviacionit fashist dhe tipografia në të cilën u shtyp ajo, nuk qe veçse nja 200 hapa nga llogoret e luftës. Numri i parë i revistës u shpërnda në të gjitha vendet ku kishte shqiptarë: Francë, Austri, Egjipt, Rumani, Itali dhe SHBA. Letrat përshëndetëse filluan të vinin nga të gjitha këto vende. “Në një prej tyre - thotë Luarasi në librin e tij - që vinte nga Filadelfia nga njerëz të panjohur, gjetëm një letër dhe një çek 50 dollarësh. Në letër shkruhej: “Të ‘dashur shokë, pranoni këtë dhuratë të vogël nga punëtorë që ju duan dhe u dridhet zemra për jetën tuaj”.

Numri i dytë i “Vullnetarit të Lirisë” nuk shkoi dot tek lexuesit. Ajo mbeti nën gërmadhat e tipografisë Diana Larra 6, në Madrid.

Përgatiti Mendrit Shehu, Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë