Politike

Njohu si palë Alibeajn në ankimin kundër Zhukrit, ‘Rithemelimi’ kërkon shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça

Komisioni i Rithemelimit i ka dërguar letër ankesë kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për gjyqtaren Blerina Muça që pak kohë më parë njohu si palë Enkelejd Alibeajn në ankimin për vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

‘Rithemelimi’ kërkon fillimisht hetimin dhe më pas shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça me argumentin se, “ka shpërdoruar rëndë detyrën”.

 Përmes vendimit të fund Prillit gjyqtarja Muça rihapi çështjen duke pranuar ankimin e Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet statutore sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të drejtuar nga Sali Berisha.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeaj duke e legjitimuar atë si ankues, dhe duke konstatuar që ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe se “nuk është abuziv dhe i paligjshëm”, një argument ky që është hedhur poshtë nga juristët e Rithemelimit.

Ivi Kaso që ka ndjekur çështjen është shprehur se  e vetmja pale që mund të bënte ankimin ishte vetëm “Rithemelimi”.

Alibeaj, sipas tij, nuk ka qenë palë në procesin ku u dha vendimi.

Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD përfaqësuar nga Alibeaj  ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel.

Çështja ka kaluar në këtë gjykatë, ndërsa me herët Alibeaj është shprehur se do të njohë çdo vendim që do të vijë nga Apeli dhe jo nga gjykata e shkallës së Parë.

Ankesa e “Rithemelimit” paralajmëron shumëçka që mund të ndodhë në Apel rreth vendimit të Zhukrit.

Rrëzimi i vendimit të gjykatës së Shkallës së Parë do të trazonte mjaft ujërat në PD, aty ku kontrollin e ka marrë “Rithemelimi” si nga ana organizative ashtu edhe nga pikëpamja politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë