Politike

“Rithemelimi”/ Ivi Kaso: Vendimi i Apelit, nul  

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, tha se Apeli nuk duhet të pranonte ankimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri.

Ky i fundit mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

Kaso tha se askush tjetër nuk mund të bëjë ankim përveç palës që beri kërkesën.

“Desha të shpjegoj se përse asnjë etnitet tjetër përveç Komisionit të Rithemelimit është i vetmi që mund të përfaqësojë Partinë Demokratike.

E para personi që ka bërë ankimin nuk është palë për të bërë ankimimin.

Gjykata duhet të bënte një kontroll formal dhe jo të japë të drejtën se kush e përfaqëson Partinë Demokratike”, tha Kaso.

Ai nënvizoi se vendimi është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe për rrjedhojë ai është nul.

“Vendimi i sotëm i gjyqtares Blerina Muça jo vetëm që është i atakushëm, por është një vendim i marrë në kundërshtim me dispozitat e ligjit dhe si rrjedhojë është nul”, tha Kaso.

“Këtë standard që e ka imponuar ligji, gjykata sot nuk e ka zbatuar. I njëjti standard është mbajtur nga Blerina Muça për ndryshimet statutore të korrikut të vitit të kaluar.

Nuk i është përgjigjur kërkesës së Rithemelimit për të marrë pjesë në proces. Gjykata e Tiranës e ka të konsoliduar praktikën e mospranimeve të ankimeve nga palët. Është një standard nga kjo gjykatë.

Këtë dhe vendimmarrje të tjera ia kemi paraqitur gjyqtares dhe i ka pasur sot në tavolinë.

Çështja e legjitimit të palës që është ankimuese e vendimit të gjyqtarit Zhukri është zgjidhur me vendimin 191 të gjyqtar Arben Konstandinit që rrëzon kërkesën e kësaj pale për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Ky është vendimi i gjyqtarit Arben Konstandini. Për efekt të gjyqtares që ka marrë vendimin e sotëm, ankimimi është zgjidhur nga një gjyqtar tjetër” u shpreh Kaso.

Ai theksoi se Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të përfaqësuar Partinë Demokratike pasi aktualisht nuk ka asnjë post zyrtar në PD.

“Vlen të theksohet se Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të përfaqësuar Partinë Demokratike pasi zyrtarisht nuk ka asnjë funksion në PD.

Për të qenë kryetar i komanduar në PD, duhet të ketë një vendim të Këshillit Kombëtar të PD e cila njërin nga nënkryetarët ta komandojë si kryetar.

 Ai nuk është as nënkryetar pasi vetë ka ngritur pretendimin se vendimi i gjyqtares Blerina Muça nuk ka marrë formë të prerë.

Këtë kontradiktë të madhe juridike gjykata e ka pasur të zgjidhur në tryezën e saj të punës.

Një fakt i fundit që ka ndodhur tre ditë përpara ka qenë për një kërkesë proceduriale që ne kemi paraqitur.

Gjyqtarja nuk duhet të ishte përfshirë në procesin e shortit. As Zhukri nuk është përfshirë në procesin e shortit.

Nëse një gjyqtar përjashtohet nga shorti, edhe gjyqtarja që ka gjykuar sot duhet të ishte përjashtuar...”, tha Kaso.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë