Ne rrjet

Një valë e re trazirash po merr jetë në Europë

Jelekverdhët në Francë dhe Belgjikë mund të jenë vetëm maja e ajsbergut të trazirës të madhe shoqërore që pret Bashkimin Europian në 2019-ën, vit gjatë të cilit do të mbahen edhe zgjedhjet europiane. Të gjitha këto trazira duket se kanë një forcë lëvizëse të përbashkët: njerëzit që protestojnë kundër përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe që nuk duan të përfaqësohen nga forcat ekzistuese politike.

"I dyshuari i zakonshëm" për lëkundjen e “anijes” vetëm pak përpara zgjedhjeve europiane të 26 majit, ishte kriza e refugjatëve. Ardhja masive e emigrantëve në Europë ndikoi fillimisht tek britanikët përpara referendumit të Brexit në vitin 2016. Edhe pse "mençuria" e kryeministrit David Cameron për të mbajtur një referendum gjatë kulmit të një krize të paprecedentë ishte faktori kryesor. Suedia është ende pa qeveri, pasi ekstremi i djathtë fitoi 17% të votave në zgjedhjet e shtatorit, ndërkohë që partitë e tjera po përpiqen të përjashtojnë nga koaliconi i ardhshëm qeveritar.

Dhe në Belgjikë, kryeministri Charles Michel dha dorëheqjen pasi partneri i tij i koalicionit braktisi anijen, duke dalë me një platformë të re kundër emigracionit.

Por në vendet e tjera të BE-së, kataklizmat politike ndodhën për arsye të ndryshme nga emigracioni. Në Sllovaki, kryeministri u zëvendësua si rezultat i një trazire për shkak të vrasjes së gazetarit Ján Kuciak. Në Spanjë, kryeministri Mariano Rajoy humbi pushtetin pas skandaleve të korrupsionit.

Protesta në Francë

Italia është një rast i veçantë, pasi pas ardhjes së populistëve në pushtet, duket se është kthyer në një laborator për projekte të reja politike. Qeveritë e tjera të BE-së nga ana tjetër nuk e vunë mirëqenien e qytetarëve në krye të agjendës së tyre politike dhe e paguan shtrenjtë këtë gabim.

Shkëndija që “ndezi” trazirat ishte rritja e çmimeve të karburantit, të shkaktuara nga luhatjet globale por edhe nga politikat tatimore që synonin përmirësimin e cilësisë së ajrit duke reduktuar përdorimin e naftës. Njerëzit dolën në rrugë për të protestuar duke filluar nga Bullgaria dhe Kroacia (Bullgaria është vendi me pagat më të ulëta në BE) deri në Francë dhe Belgjikë (ku pagat janë shumë më të larta mbi nivelin mesatar të BE-së)

Në Portugali, Francë dhe Belgjikë, protestuesit paralajmëruan krijimin e një lëvizje të re politike, e cila do të kishte si flamur jelekun e verdhë që kishin veshur manifestuesit

Është interesante të theksohet se në Hungari, pavarësisht motiveve të shumta që njerëzit kanë për të protestuar kundër politikave të Viktor Orban, kauza që arriti të bashkonte qytetarët ishte ligji që i lejonte punonjësit të punonin deri në 400 orë në vit jashtë orarit.

'Një sinjal universal'

Analisti polak Piotr Kaczyński thotë se protestat në vendet e Bashkimit Europain sinjalizojnë se njerëzve u ka ardhur në “majë të hundës” nga globalizimi. Ai argumenton se ata që kanë përfituar nga globalizimi nuk janë njerëzit e zakonshëm, të cilët janë shpesh të papunë, ose paguhen me rroga minimale.

Protesta në Hungari

"Paga mesatare në Poloni është 1,100 euro ndërkohë që Eurostat thotë se papunësia është nën 4%. Por 60% e punonjësve polakë nuk llogariten për mesataren. Dy vjet më parë paga dominante në Poloni ishte vetëm 350 euro. Ky është vendi që zgjodhi një qeveri nacionaliste tre vjet më parë ", thotë ai.

Ekspertja franceze, Aline Robert thotë se Franca është një nga vendet më të mira në BE dhe në botë, kur bëhet fjalë për shëndetësinë, sigurimet shoqërore dhe mënyrën e jetesës. "Por shumë njerëz ndjejnë të kundërtën. Fuqia blerëse ka rënë për vite me radhë. Punëtorët nuk arrijnë të kenë të drejtë vendimarrjeje në vendin e punës, ata nuk votojnë për zgjedhjet e sindikatave dhe mbeten pa përfaqësi," thotë ajo. “Si rezultat, hendeku midis menaxhimit dhe punëtorëve po thellohet dhe po kështu edhe boshllëqe të tjera: midis politikanëve dhe qytetarëve, qyteteve të mëdha dhe fshatrave, rrethinave dhe qendrave të qytetit.

Sipas saj, protestat e jelekverdhëve kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet europiane, pasi do të fuqizonin ekstremistët e djathtë në të gjithë kontinentin. Robert thotë se në kontinent është rritur fryma se demokracia dhe liderët aktualë po dështojnë të përmbushin nevojat e popujve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë