Propozim i SI

Një sistem që kthen shiun në ujë të pijshëm

Kur Carmen Luna u transferua në një lagje në periferi të Meksiko Siti në 1975, nuk kishte asnjë sistem kanalizimi. Për konsumim ajo mbushte kova me ujë nga një rubinet në rrugë. Në fund të viteve 1980 gjërat ndryshuan dhe familja e saj kishin ujë tri ditë në javë.
Vitin e kaluar, Luna nënshkroi për një program të ri që kishte të bënte me ujërat e shiut që do konvertoheshin në ujë të pijshëm, i udhëhequr nga kryetarja e Bashkisë së Meksiko Sitit si dhe shkencëtare mjedisi në të njejtën kohë. Ajo ishte bashkuar me organizatën jofitimprurëse "Isla Urbana" për të instaluar 100,000 sisteme që mbanin ujërat e shiut në rrethet e Xochimilco dhe Iztapalapa.

Carmen Luna

Sot, 20% e ujit të përdorur në familjen e tetë anëtarëve të zonjës Luna vjen nga një rezervë grumbullimi prej 2.500 litrash në katin e parë. Edhe pse akoma nuk është i pijshëm, uji është i disponueshëm shtatë ditë në javë dhe mund të përdoret për punët e shtëpisë dhe tualetin.
Mbledhja e ujërave të shiut është një praktikë shekullore, por sistemi i Isla Urbana është më i lirë, më i shpejtë dhe më i lehtë për t’u instaluar.
Megjithatë, edhe para krizës aktuale, qytetet po përpiqeshin të siguronin ujë të rrjedhshëm për banorët e tyre. Sipas Kombeve të Bashkuara, Qyteti i Meksikës, Kajro, Bangalore dhe vende të tjera ka të ngjarë të mbarojnë ujin deri në vitin 2030. Këto qytete u rritën në mënyrë të shpejtë në fund të shekullit të 20-të dhe qeveritë nuk mund të vazhdojnë ndërtimin e infrastrukturës së centralizuar. Ndryshimi i klimës vetëm sa do ta përkeqësojë këtë situatë, me reshje më të çrregullta dhe temperaturat më të nxehta që avullojnë më shpejt ujin në rezervuarë, sipas një raporti të fundi.

Një mënyrë sesi shpërndahet uji i pijshëm në Meksikë

Rasti i Meksiko Sitit është tragjik sepse, ndryshe nga qytetet e tjera, ai ndodhet në një rajon ku ka shumë ujë, ”thotë Manuel Perló, sociolog në Universitetin e Meksikës.
Sipas tij, qyteti ka më shumë reshje vjetore se Londra por burimi është keqmenaxhuar. Shumica e ujit të qytetit pompohet nga digat deri në 125 milje larg dhe 40% humbet nga rrjedhjet në tubacione dhe kontejnerë, sipas Perlós. Në Meksiko Siti, kur bie shi, uji përzihet me ujërat e zeza dhe nuk mund të përdoret.

Përzierja e ujit të shiut me mbeturina që e bën ujin e shiut të papërdorshëm

Që nga fundi i viteve 1990, vende si Australia dhe Santa Fe, e kanë bërë të detyrueshme që rezidencat e reja të kenë sisteme të mbledhjes së ujërave të shiut. Brazili ka instaluar 650,000 sisteme në rajonin verior, sipas Johann Gnadlinger, një inxhinier i burimeve të ujit i cili ka punuar në projekt. Në vitin 2015, Kina nisi iniciativën e saj Sponge City për të instaluar trotuarin në mënyrë të tillë që të përthithë ujërat e shiut përpara se të përzihet me ujërat e kanalizimeve.
Sot, 2% deri 3% të popullsisë së botës grumbullojnë ujërat e shiut për tu përdorur për punët e shtëpive, por kjo mund të rritet në 8% deri në vitin 2030, sipas Han Heijen, presidenti i Aleancës Ndërkombëtare të  Mbledhjes së Ujërave të Shiut, një organizatë joqeveritare zvicerane.
Nëse mbledhja e ujërave të shiut mund të jetë një pjesë e zgjidhjeve afatgjata të furnizimit me ujë varet nga suksesi i eksperimenteve të tilla si Isla Urbana.

Sistemi i Isla Urbana në shtëpinë e Carmen Luna

Sistemi kushton mesatarisht 750 dollarë. Ai është bërë nga plastika 'PVC' dhe nuk ka nevojë për njohuri të specializuara për ta instaluar atë, thotë Isla Urbana.
Nga ana tjetër, një sistem standard i mbledhjes së ujërave të shiut për një shtëpi tipike me një familje të vetme do të kushtonte përgjithësisht midis 8000 dhe 10,000 dollarë, sipas Bordit të Zhvillimit të Ujit në Teksas, një agjenci shtetërore.
Në sistemin e Isla Urbana, tubat mbledhin ujë nga çatia.
Së pari, gjethet dhe mbeturinat filtrohen. Pastaj uji kalon përmes një filtri të quajtur 'Tlaloque 200' përpara se të mblidhet në një rezervuar. 'Tlaloque 200' bën pastirimin e ujit nga balta.
Prodhimi përfundimtar nuk është ujë i pijshëm, por mund të përdoret për pastrim, lavanderi, tualete dhe dushe.
Mund të shtohet një pastrues dhe filtri i karbonit për ta bërë ujin të pijshëm dhe një shije më të mirë.
Mbetet të shihet se sa i qëndrueshëm është sistemi, një konsideratë e rëndësishme sepse mirëmbajtja është thelbësore për cilësinë e mirë të ujit.
Z. Gnadlinger thotë se sistemi i Brazilit, i cili u bë nga çimento, mund të zgjasë dhjetëra vjet. Pjesët kryesore të sistemit të Isla Urbana mund të zgjasin 30 vjet, thotë bashkëthemeluesi David Vargas. Një pengesë për zbatimin më të gjerë global të mbledhjes së ujërave të shiut është besimi nga qytetarët, zyrtarët dhe shërbimet komunale se është më pak higjenike sesa sistemet e centralizuara të ujit të qytetit.
Po sikur të mos bjerë shi?
Në Meksiko Siti mund të jetë sfiduese të zgjerohet sistemi Isla Urbana për shkak të reshjeve, thotë Perló. Disa muaj janë të lagësht, shumica janë të thata.
"Pesë deri në gjashtë stuhi të mëdha mund të përbëjnë 50% të mbledhjes së ujit të shiut gjatë gjithë vitit, por nuk është aq e lehtë të parashikosh se ku do të bien," thotë ai.

Sistemi i Isla Urbana

Brazili mund të ofrojë të dhëna. Në shtetin e Bahia, sezoni i thatë zgjat të paktën tetë muaj. Që nga viti 2012, një thatësirë ka prekur rajonin, duke ndryshuar shumë modelet e shiut. Në 2017, reshjet e shiut ishin një e pesta e mesatares vjetore. Sistemet e mbledhjes të ndërtuara para thatësirës morën shiun që binte, që do të thotë se njerëzit kishin ujë të paktën një pjesë të kohës, thotë Gnadlinger.
"Arsyeja kryesore pse planifikuesit nuk e pranojnë mbledhjen e ujërave të shiut është se nuk është e besueshme për sa i përket një furnizimi shumëvjeçar," thotë Heijen i Aleancës Ndërkombëtare të Mbledhjes së Ujërave të Shiut.
Në të ardhmen, pasi moti të bëhet më pak i parashikueshëm, familjet në disa pjesë të botës mund të duhet të mësohen të kenë burime të ndryshme të ujit në sezone të ndryshme.
Burimi: WallStreetJournal. Përktheu:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë