Një refuzim për të shtrënguar dorën e intervistuesit pasohet me ndërprerjen e intervistës dhe djegien e kandidaturës për vendin e punës si përkthyese, e më vonë me një proces gjyqësor që vendos në favor të palës së dëmtuar.
24-vjeçarja Farah Alhajeh refuzoi të shtrëngojë duart me intervistuesin e saj. Arsyeja ishte se nuk ja lejonte feja që të takonte persona të gjinisë mashkullore. Në vend të kësaj, Farah vendos dorën në zemër në shenjë falenderimi.
Pas kësaj, e reja vendosi që të padisë kompaninë me akuzën e diskriminimit. Procesi gjyqësor nuk zgjati shumë dhe në përfundim të tij, gjykata i dha të drejta Farah dhe urdhëroi kompaninë që të paguajë 40 mijë krona, ose 4350 dollarë si kompensim.
Disa besimtarë myslimanë nuk u japin dorë personave të gjinisë së kundërt, me përjashtim të rasteve kur ata janë pjesë e rrethit të ngushtë familjar.
Megjithëse në Europë shtrëngimi i duarve është një traditë e vjetër, ligjet antidiskriminim në shumë vende të Bashkimit Europian ndalojnë kompanitë dhe institucionet shtetërore që të trajtojnë me diferencime persona për shkak të gjinisë, apo besimit fetar të tyre.
Farah Alhajeh u mbrojt në gjykatë nga Avokati i Popullit në Suedi.
“Vendimi i gjykatës njohur të drejtën e punëkërkueses, interesat dhe të drejtën e saj për të vendosur për integritetin e trupit të saj. Vendimi ishte gjithashtu i rëndësishëm për të treguar se Suedia mbron të drejtën dhe lirinë fetare për të gjithë qytetarët e saj”, deklaroi në fund zyra e Avokatit të Popullit suedez.
Si u luftua çështja në gjykatë?
Kompania ku kishte aplikuar për përkthyese Farah Alhajeh, e ndodhur në qtyetin Uppsala u mbrojt duke deklaruar se nuk mund të përfshinte si pjesë të stafit të saj një persona, interesat e së cilës binin ndesh me bindjen e kompanisë për të trajtuar meshkujt dhe femrat në mënyrë të barabartë.
Avokati i 24-vjeçares me origjinë arabe theksoi se klientja e tij, në përpjekje për të mos shkaktuar asnjë pakënaqësi dhe asnjë keqinterpetim, vendosi dorën në zemër në shenjë falenderimi, mirënjohjeje dhe përshëndetjeje për punonjësit e tjerë të kompanisë.
Refuzimi i Farah për t’i dhënë dorën mbrohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, tha avokati, duke shtuar se kërkesa specifike e kompanisë, në këtë rast shtrëngimi i dorës, ishte diskriminues ndaj myslimanëve.
Gjykata rrëzoi gjithashtu edhe pretendimin e kompanisë, që deklaroi se qasja dhe parimet e 24-vjeçares do të ndikonin për keq në punën e saj si përkthyese me klientët e mundshëm në të ardhmen.
Çështja u shqyrtua nga trupa me pesë gjyqtarë. Tre vendosën në favor të Farah dhe dy të tjerë kundër saj.
Çfarë thotë Farah?
“Ka shumë rëndësi që të mos dorëzohemi kurrë kur jemi të bindur që kemi të drejtë, edhe në rastet kur jemi anëtarë të një pakice. Unë besoj në Zot, gjë që është shumë e rrallë në Suedi dhe duhet të pranohem kështu siç jam përsa kohë nuk lëndoj njeri”, thotë ajo për BBC.
Farah e quan Suedinë vendin e saj të vetëm.
“Unë e respektoj që në vendin tim burrat dhe gratë nuk mund të trajtohen me të drejta të ndryshme. Prandaj, edhe unë refuzova kontaktin fizik me dorë si me burrat, ashtu edhe me gratë e kompanisë. Mund të jetojë me rregullat e besimit tim fetar dhe në të njëjtën kohë të respektoj edhe rregullat e vendit tim”, vijon ajo.
Kjo nuk është hera e parë e një rasti të tillë në Suedi. Në vitin 2016, dy djem të dy familjeve myslimane refuzuan që t’u japin dorën stafit arsimor femra, çka pasoi më vonë me pezullimin e procesit të dhënies së shtetësisë për të dyja familjet në fjalë.
Por jo vetëm në Suedi. Në Francë, një gruaje algjeriane iu refezua shtetësia franceze pasi refuzoi që t’i japë dorën zyrtarit gjatë ceremonisë së dorëzimit të pasaportës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.