Njerez

Një patriot europian si Ismail Kadare 

Suadela Balliu - Një burrë i moshuar udhëtoi drejt Parisit, i ftuar nga e bija. I magjepsur me qytetin, burri, në mënyrë krejt të çiltër do të thoshte: “Mbase e kam dëgjuar gabim, por më kanë thënë se kjo...Europë, kjo Europë e bukur, mund të shkatërrohet.” Këtë ndodhi me shqiptarin e moshuar, shkrimtari i shquar, Ismail Kadare do ta ndante në një bashkëbisedim me atëherë  ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi, në tetor të vitit 2012 , mbi perspektivën europiane të Shqipërisë. I bindur në të tijën, tezë që e ka  artikuluar fort dhe zëshëm për vite, Kadare do të thoshte se Europa, ishte gjendja natyrore e  Shqipërisë. Në fakt, e vetmja.

Pak ditë më parë, tridhjetë intelektualë europianë, në një manifest udhëhequr nga filozofi Henry Bernard Levy , titulluar “Libération” (Çlirim), iu bashkuan me firmat e tyre nevojës urgjente për të luftuar mbi idenë e Europës – sot më në rrezik se kurrë ndaj populizmit dhe sulmeve nacionaliste. “Europa po shkërmoqet para syve tanë”, ishte rreziku  që këta intelektualë, shkrimtarë e filozofë, mes tyre emra si Milan Kundera, Salman Rushdie, Orhan Pamuk  e Elfriede Jelinek, e artikuluan si një kambanë alarmi. Të nënshkruarit, që e identifikonin veten si patriotë europianë, duke refuzuar dorëzimin përpara asaj që e cilësojnë katastrofë, pasoja e para të së cilës sipas tyre do të shihen shpejt, në zgjedhjet parlamentare europiane në maj të këtij viti, bëjnë thirrje për rezistencë ndaj sulmeve gjithnjë e më të ashpra të atyre që nuk besojnë më tek ideja e Europës dhe duan të ndahen prej saj.   

Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë.

Mes intelektualëve të shqetësuar, nuk mund të mungonte firma e shkrimtarit shqiptar, me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.  Nuk ishte habi qëndrimi i njeriut që përmes veprës së tij, letrare dhe eseistike ka mbrojtur gjithnjë idenë e identitetin europian të shqiptarëve. Përpara rrezikut të populizmit, forcave të ekstremit të djathtë që nisën të gjenin përkrahje në zemër të kontinentit të vjetër që çuan në pasoja si “Brexit” –referendumi  i britanikëve për ta nxjerrë vendin e tyre jashtë Bashkimit Europian – tek rreziqe si pothuajse fitorja e ekstremit të djathtë  në Francë, udhëhequr nga Marine Le Pen, tek ministri i brendshëm i ekstremit të djathtë në Itali, Matteo Salvini, i konsideruar si një euroskeptik i ashpër, me politikat e tij kundër emigrantëve që kërkojnë azil nga zonat e luftës, tek rikonfirmimi i konservatorit Viktor Orban, si kryeministër i Hungarisë, i pari që vuri gardhet me tela për refugjatët e zonave të luftës në Lindjen e Mesme apo te sundimi i parlamentit polak nga partia nacionaliste e konservatore , “Ligj dhe Drejtësi” e Jarosław Kaczyńskit – shkrimtari shqiptar kishte ngritur zërin ndaj rreziqeve që shqiptarët kishin hasur historikisht për ruajtjen e këtij identiteti, me të drejtë lindjeje, europian.

Në vitin 2006, shtëpia botuese “Onufri” do të botonte “Identiteti evropian i shqiptarëve”, një sprovë e  Kadaresë, ku arsyeton, mes pikash se përse shqiptarët janë historikisht europianë dhe jo siç do të thoshte akademiku Rexhep Qosja, nga ana tjetër e kufirit se identiteti i shqiptarëve është i lidhur më së shumti me besimin fetar, konkretisht atë mysliman. “Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë”, shkruan Kadare, në sprovën e tij. Sipas Kadaresë, thelbi i shkrimit të Qoses, “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qoses shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik,  hiç më pak se qytetërimit të krishterë”.“Kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!”, shkruan Kadare, duke argumentuar se një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik, e po aq sa një ortodoks.

“Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor... Kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet”, shkruan Kadare, duke e quajtur të pavërtetë dhe të gabuar klishenë që e sheh Shqipërinë si një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit. “Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë. Popujve ballkanas, e midis tyre shqiptarëve, pa e ditur as ata vetë, madje pa e ditur as Evropa, fati u caktoi të jenë komando të Evropës, mu në qendër të botës osmane. Si të tillë ata kanë qenë përherë, ndonëse me dhembje, në rrënjët e Evropës”, shkruan Kadare, në librin “Identiteti europian i Shqiptarëve”.

Përtej diskutimeve mbi të ardhmen e Europës, apo nëse Europa do të ndryshojë, do të kthehet në një federatë shtetesh apo një komunitet politik e të tjera, më pëlqen të marr në konsideratë shqetësimin e një shqiptari të thjeshtë për Europën, si shqetësim për telashet në shtëpi. Shtëpinë tonë të madhe” -Ismail Kadare

Megjithëse shkrimtari shqiptar e kishte artikuluar që herët këtë identitet të shqiptarëve si europianë, po aq sa çdo popull tjetër më të zemër të  kontinentit, kur shteti francez e nderoi shkrimtarin, i cili u shpërngul në Paris, më 1990-ën, me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, presidenti i atëhershëm François Hollande, do ta cilësonte Kadarenë si avokat të zjarrtë të kulturës së Europës, duke thënë “Për fat të mirë ka evropianë që nuk i përkasin Evropës dhe që e duan Evropën”, ku me gjithë lëvdatat për një shkrimtar europian në zemër dhe universal në shpirt, ish-presidenti Hollande do ta përjashtonte Shqipërinë – siç edhe kishte bërë Europa për një kohë të gjatë e ashtu siç e kishte parashtruar vetë shkrimtari në tezat e tij sesi Shqipëria ishte lënë jashtë nocionit të Europës po aq sa edhe kontinentit, të cilit i përkiste jo vetëm gjeografikisht, por edhe në kulturë dhe rrënjë. Rrënjët europiane, Ismail Kadare i gjen tek Homeri. Kështu e sheh profesori i Sociologjisë në Universitetin e Tuentes, në Holandë, Marinus Ossewaarde,   i cili ka shkruar një ese mbi Idenë e Kadaresë mbi Europën. Sipas tij,  kjo ide e shkrimtarit shqiptar,  duhet kuptuar si një “rilindjes” së Europës, në kontekstin e asimilimit osman dhe stalinist të kulturës europiane.

Shkrimtari, Ismail Kadare duke dhënë libra me autografe, në stendën e shtëpisë botuese Onufri, në ditën e tretë të Panairit të Librit 2018, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Foto:LSA

Këto rreziqe Kadare i ka parashtruar në sprovën e tij “Identiteti Europian i Shqiptarëve” , ku fillimisht flet rreth rreziqeve otomane e më pas atyre staliniste.  “Kadare, bardi i Shqipërisë, mbron tezën se  legjendat e recituara nga rapsodët ilirë, kanë qenë me më shumë ndikim në formësimin e Shqipërisë se çdo regjim, që është edhe arsyeja pse ata që u përpoqën të pushtojnë vendin i konsideruan këto legjenda shumë të rrezikshme. Shqiptarët janë trashëgimtarët e Homerit, rojtarët e kulturës europiane që janë tradhtuar dhe lënë jashtë Europës, duke u burgosur në regjime anti-europiane për më shumë se gjysmë mijëvjeçari. Për Kadarenë, ngjashëm, pajtimi mes letërsisë dhe politikës në Shqipëri është e mundur vetëm në Europë, në të cilën ligjet e letërsisë njihen dhe respektohen”, shkruan Ossewaarde, në esenë e tij  “Ideja e Europës së Ismail Kadaresë: Dialektika mes Regjimit dhe Kulturës”, botuar më 2015-ën.

Na de-europianizuam le të themi, nuk na shpërngulën në zona të tjera, në një zonë internimi, por mu aty ku ishim, në mes të Europës. Pikërisht aty u shkëputëm nga Europa dhe u rrethuam me tela me gjemba, si njerëz të mallkuar” -Ismail Kadare

Edhe frymëzimet letrare, shkrimtari shqiptar i ka gjetur gjithnjë brenda kontinentit të vjetër. Në një intervistë për gazetarin Luke Sampson, në  “Financial Times”, Kadare do të thoshte se ndikimet letrare i gjen në tre gadishujt e Europës: Apeninet, me Danten, Ballkani me tragjeditë Greke dhe baladat mesjetare shqiptare dhe Gadishulli Iberik me Don Kishotin. Ndërsa në ishujt britanikë, ndikim kishte pasur Shekspiri dhe nga letërsia ruse dhe e Europës Qendrore,  ishte Kafka. “Për shumë shekuj, Europa u bë aq e huaj për gadishullin e Ballkanit, sa u duk se kishte ndodhur një çarje tektonike”, i përgjigjej shkrimtari shqiptar, në tetor të 2012-ës, ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, ndërsa shtonte “Në fakt Ballkani nuk ka lëvizur gjëkundi; aq më pak Europa. Megjithatë, distanca e brendshme, mendore e shpirtërore, ishte e tillë sa çoi në krijimin e një largimi të ri për Shqipërinë në shekullin e 20-të.”Europa u bë “imperialiste”, një tokë e ndaluar, dyfish e largët, shumëfish armiqësore.  

“Tani e përdorim natyrshëm shprehjen kthim në Europë, si për të folur për një udhëtim mbrapsht drejt kontinentit që e lamë pas dhe po pret për ne”, shprehej Kadare, duke i qëndruar besnik ideve që kishte artikuluar dhe mbrojtur, prej viteve ’90 – edhe pse më parë ishte munduar ta shfaqte kamufluar pas veprave që sillnin një Shqipëri para-osmane me fisnikë e kryezotër. “Na de-europianizuam le të themi, nuk na shpërngulën në zona të tjera, në një zonë internimi, por mu aty ku ishim, në mes të Europës. Pikërisht aty u shkëputëm nga Europa dhe u rrethuam me tela me gjemba, si njerëz të mallkuar”, i thoshte ai Sequit. “Çfarë përfaqëson Europa për Shqipërinë? Përfaqëson veten ose gjithçka. Dhe ndoshta do të shtoja fjalët: është gjendja natyrore e Shqipërisë. E vetmja gjendje”, thoshte i sigurt.  

I pyetur nga Sequi se  cilat ishin shenjat, por edhe kërcënimet e identitetit europian të shqiptarëve dhe nëse ai besonte tek një identitet i përbashkët europian, ku Europa shihej si frymë, Kadare do të përgjigjej “Ajo që ishte e vlefshme për një komb, ka vijuar të jetë e vlefshme  për një familje kombesh. Kështu e ngjizën Europën etërit shpirtërorë, si një familje.”Themelimi i Europës së bashkuar, si lajm i mirë për europianët e vjetër, ishte dyfish i mirë për të tjerët, do të thoshte Kadare, veçanërisht  për ne që e kishim humbur. “Europa për ne, përpara se të ishte luks, një përshkallëzim drejt progresit, një përsosje, ka qenë një nevojë. Një jetë e munguar. Për popullin shqiptar, populli më i vetmuar në kontinent, ishte më shumë se kaq:ishte një vatër.”Për të parën herë në 600 vitet e fundit –para  të cilave Kadare  e ka gjurmuar identitetin europian të shqiptarëve –Shqipëria  po bëhet gati të hyjë në një kontinent pa vetminë e saj.

Dhe kjo fazë, sipas Kadaresë kërkon një doktrinë të re. “Ishte Rilindja Shqiptare, bijë e të largëtit,  Iluminizmit Europian  që përkufizoi orientimin e ri shqiptar. Sintagma si “Liri” dhe “Europa” po bëheshin gjithnjë e më të afërta. Sipas figurave të Rilindjes, një Shqipëri e lirë dhe e moralshme, mund  të ekzistonte  e tillë, vetëm brenda kontinentit të saj.”Shqipërinë, për të parën herë në historinë e saj, një shekull pas pavarësisë, sipas shkrimtarit e bashkoi qëllimi europian. Shqiptarët e lënë jashtë kontinentit, e kërkuan ta bënin vendin “si e gjithë Europa!”. Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi, shkruan Kadare në librin e tij mbi identitetin europian të shqiptarëve. Ndërsa kujton momentin historik kur ushtria euroatlantike ndërhyri për çlirimin e Kosovës, u duk  “sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur”.

Por, kjo Europë, kjo ide e Europës, aq e dëshiruar nga shqiptarët që duan të kthehen sërish të bëhen pjesë e saj, po shkërmoqet, thonë kolegët e shkrimtarit shqiptar, që para pak ditësh u bashkuan një zëri duke u  bërë thirrje kujtdo që ndihet patriot europian të luftojë për Europën.  Duke iu kthyer edhe njëherë asaj ndodhie që shkrimtari Ismail Kadare  ia rrëfente ambasadorit të BE-së, në Tiranë, shtatë vjet më parë të atij burri të moshuar shqiptar që vizitoi për herë të parë Parisin, Kadare thoshte se shprehja “mund të shkatërrohet” apo “kam frikë se do të shkatërrohet”, njihet mirë nga brezat e vjetër të vendit tonë, e  përdorur për të shprehur një makth të vazhdueshëm për të ardhmen e Shqipërisë. A do t’ia dalë apo jo Shqipëria? A do të qëndrojë më këmbë Shqipëria apo do të shkatërrohet? “Është e pabesueshme që në shekullin e 21-të një burrë i vjetër shqiptar përdor të njëjtën shprehje për Europën dhe me të njëjtat ndjenja. Përtej diskutimeve mbi të ardhmen e Europës, apo nëse Europa do të ndryshojë, do të kthehet në një federatë shtetesh apo një komunitet politik e të tjera, më pëlqen të marr në konsideratë shqetësimin e një shqiptari të thjeshtë për Europën, si shqetësim për telashet në shtëpi. Shtëpinë tonë të madhe”. Ajo shtëpi e madhe, së cilës shkrimtari shqiptar, gjithnjë ka pretenduar se shqiptarët i përkasin, me të drejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë