Ismail Kadare është gjithmonë i gatshëm të flasë dhe japë mendimet e tij për gjithçka ndodh në Shqipëri dhe hapësirën mbarëshqiptare në rajon. Së fundmi, ai ka folur për debatin e ndezur në dialogun Kosovë-Serbi për kufijtë dhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Shkrimtari shqiptar me famë botërore për dialogun i ka të qarta idetë. Shqiptarët dhe serbët duhet të flasin me njëri-tjetrin, por me një kusht.
“Duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje në dëm të sovranitetit te Kosovës! Askush s’ka të drejtë, aq më pak Serbia që të cenojë integritetin e Kosovës”, thotë Kadare në një intervistë për agjencinë e lajmeve Presheva Jonë.
Kadare njeh vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, por si zgjidhje propozon reciprocitetin dhe zbatimin e të drejtave të tyre njësoj me të drejtat që gëzojnë serbët në veri dhe në gjithë Kosovën.
“Situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, ashtu si viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës”, vijon ai.
Diskutimet për shkëmbime territoresh i quan “pazare” dhe “maskarallëqe” që trazojnë rajonin dhe hedhje në erë të të gjithë investimit që ka bërë komuniteti ndërkombëtar dhe vetë populli shqiptar për përparim dhe paqe në rajon.
Kolosi i letrave shqipe shton se nisur nga sakrificat që kanë bërë shqiptarët, sidomos ata në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, është bërë shumë pak për ta. Fajëson deri diku edhe politikën ndër vite, por shigjeton edhe komunitetin ndërkombëtar.
Kadare kërkon reciprocitet në të gjitha fushat. Si shembull thotë se shqiptarët e Luginës kanë të drejtë që të vizitohen dhe të shprehin shqetësimet e tyre nga politikanë si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina.
Ai vlerëson se sot, situata e përgjithshme në Ballkan është më favorizuese për kombin shqiptar, por kërkon përqendrim tek sfidat e së ardhmes.
“Përfaqësuesit e popullit tonë dhe jo vetëm ata, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari. Duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, citohet Kadare nga Presheva Jonë.
Burimi: Presheva Jonë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.