Futboll

Një libero që ndryshoi futbollin me klas dhe lidership, askush si Franc Bekenbauer!

Gazeta Si – Ka qenë pa dyshim libero më i mirë në historinë e futbollit, pas nisjes së karrierës si mesfushor. Falë tij shumë klube europiane dhe sidomos italiane ndryshuan mënyrën e lojës, duke i dhënë lamtumirën ‘katenaços’.

Ai ishte një mesfushor, që duhej të ndërtonte manovrën: këmbë të rafinuara, vizion loje, pasime të sakta të gjata, personalitet i jashtëzakonshëm, falë të cilit ‘frikësonte’ kundërshtarët dhe u jepte siguri shokëve. Pastaj, me aftësitë mjaft të mira taktike, u transformua në një libero të mrekullueshëm, pa dyshim më i miri në historinë e futbollit.

Që aty prapa ai tregoi se mund të qeverisej një skuadër e tërë, ekzaktësisht ashtu siç bën një perandor nga kështjella e tij. Franc Bekenbauer, i mbiquajtur ‘Perandori’, nuk ishte vetëm një lojtar i jashtëzakonshëm, por një ikonë. Në vitet ’60-70 emri i tij bashkohet me atë të gjigantëve të epokës, nga Krojf te Pele.

Për të kuptuar rëndësinë e ‘Kaiserit’ në evoluimin e futbollit është e nevojshme të shpjegohet në çfarë pike ishte arritur para Botërorit të 1966-ës në Angli. Pas lojës mbrojtës dhe kundërsulmit, ‘katenaços’ së famshme italiane, erdhi kthesa e madhe atletike.

I jepej rëndësi e madhe stërvitjes fizike, kërkoheshin lojtarë me një konstrukt të mirë fizik, ndaj dhe ndeshjet ktheheshin në beteja autentike, ku muskujt peshonin shumë. Anglia dhe Gjermania, që u ndeshën në finalen e ‘Wembley’ në 1966-ën para syve të Mbretëreshës Elisabeth II, ishin dy interpretueset më të mira të këtij stili.

Dhe në këtë ambient reformues u lind gjeniu Bekenbauer. Në 1966-ën ishte mesfushor, me fanellën numër 4. Edhe në gjysmëgfinalen mitike të ‘Aztecas’ në Meksikë 1970, kundër Italisë, ku luajti gjithë kohën shtesë me krahun e djathtë të lidhur pas qafës për shkak të dëmtimit të shpatullës. Ishte katalizatori i lojës, shokët e kërkonin atë që të liroheshin dhe e shoqëronin përpara, si shërbëtorë besnikë.

Nuk kishte asgjë në skuadër që mund të bëhej pa lojën e Kaiserit. Në vitet ’70 ndodhi kalimi vendimtar. Bekenbauer u bë libero. Nuk ishte një kapriço, por një zgjedhje e studiuar mirë. Thuajse të gjitha skuadrat luanin me skemën klasike 4-4-2 dhe ishte thelbësore të kishe të paktën një mbrojtës qendror, ekzaktësisht liberon, të aftë të fillonte aksionin dhe të ndihmonte mesfushorët.

Në këtë mënyrë, në fazën e zotërimit të topit, do të ishte ai superioriteti numerik, që skuadrat, ende të lidhura pas markimit një për një, vuanin të gjenin. Në substancë, Bekenbauer ishte mbrojtës kur topin e kishte kundërshtari dhe mesfushor kur topin e kishte skuadra e tij.

Luante në prapavijë për të mbyllur vrimat, duke u marrë kohën sulmuesve kundërshtarë që ishin drejtuar zonës, pastaj ndërtonte lojën si një arkitekt perfekt. Bashkëpunonte me mbrojtësit e krahut dhe pasonte për sulmuesit me një precizion milimetrik, thuajse gjithmonë me të jashtmen e këmbës së djathtë (goditja e famshme alla hungareze).

Ishte praktikisht mesfushori i shtuar pa zvogëluar forcën e skuadrës në mbrojtje. Kishte sensin e ndërhyrjes, kohës, dinte kur ishte koha për t’u futur dhe kur ishte koha për të pritur. Dhe ajo që është më e rëndësishme kur mbulon këtë rol, ishte efikas në orientimin e ndonjë shoku, duke i thënë se çfarë duhej të bënte.

Elegant në lëvizje, rrallë në vështirësi në lojën një kundër një, i ndershëm dhe korrekt në dyluftime. Jo i jashtëzakonshëm në lojën në ajër, por për këtë mendonte stoperi që për të ishte një kolonë, ku mund të mbështetej. Shvarzenbek, në Botërorin e 1974-ës, ishte një shok reparti si te Bajerni. Merreshin vesh në mënyrë perfekte. Nëse hynte njëri, tjetri priste dhe asnasjelltas. Kur Kaiseri dilte para, Shvarzenbek ishte gati t’i mbulonte shpatullat.

Shumë elozhe janë bërë me të drejtë për Holandën e Krojfit, për lojën moderne, presingun, për të ashtuquajturën taktika e pozicionit jashtë loje dhe influencën që pati në zhvillimin e futbollit, por pak u duartrokit ajo Gjermani me Bekenbauerin kapiten.

Ishte një skuadër fantastike: Maier në portë, Vogts dhe Sharzenbek në mbrojtje, Breitner në të majtë; Bonhof, Overat dhe Hënes në emsfushë; Grabovski në të djathtë, Holzenbein në të majtë dhe Myler në qendër të sulmit.

Vështirë të gjesh interpretues të këtij niveli në ditët e sotme. Leksioni i Bekenbauer, pra kalimi i tij nga mesfushor në libero, u kopjua pak me vonesë në vendet e tjera. Falë atyre shumë skuadra braktisën lojën mbrojtëse.

Bekenbauer në karrierën e tij tregoi se ishte një futbollist praktik: mbronte nëse duhej dhe nuk e kishte për turp, por kur kishte mundësi udhëhiqte shokët në sulm. Me topin në këmbë ishte një zotëri i vërtetë. Një Perandor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë