Ekonomi

Një “kartolinë” për Ahmetaj nga të huajt në emër të shqiptarëve

Sabina Veizaj - Ministri në ikje i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj të premten e 4 janarit siç ia ngarkon tradita, doli në një konferencë për shtyp dhe renditi gjithë sukseset e punës së tij gati 6 vjeçare.

Duke marrë pikë referimi krahasues vitin 2013 kur kjo qeveri nisi të drejtonte timonin e vendit, për ministrin, puna e tij dhe e kësaj qeverie është për t’u lavdëruar në aspektin e rritjes së mirëqënies së shqiptarëve.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj

“Shikoni vitin 2013-të që metaforikisht do ta quaja si “lugina e errët e ekonomisë shqiptare”, me një rritje statistikore 1%. Siç e shikoni, 9-mujori i vitit 2018 është me rritje 4.35% dhe tremujori i tretë i vitit 2018-të është 4.45%, që është më i larti në rajon, rritja ekonomike më e lartë në rajon.

Janë vende pune, vende pune reale në ekonominë reale dhe në tre vitet e fundit, 2016, 2017, 2018, punësimi është rritur me 10.7%. Jemi me papunësinë 12.2%, është më e ulëta në shumë e shumë vite në fakt dhe pjesëmarrja në forcat e punës po arrin në 60%.”- do të thoshte Ahmetaj 4 ditë më parë.

Rritja ekonomike, grafik

Të dhënat e tij zyrtare numërojnë 684,614 të punësuar në sektorin jo-bujqësor, me një rritje prej 234,019 më shumë të punësuar, në sektorin jo-bujqësor dhe 262 mijë në total të punësuar të rinj; 31,750 më shumë të punësuar që nga shtatori 2017.

Por çfarë perceptojnë qytetarët? Indeksi i vrojtimit të mendimit të publikut në Ballkan 2018 (Barometri i Ballkanit), tregon se gjendja e tregut të punës në ekonomitë e Europës Juglindore vazhdon të influencojë në masë mendimin dhe pritshmëritë e njerëzve.

Shumica dërrmuese e të anketuarve në rajonin e EJL-së (83%) përshkruajnë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve si në zgjerim e sipër. Shqipëria është në krye të tabelës me 15% të të anketuarve që kanë humbur punën e tyre gjatë 3 viteve të fundit. Për këtë, në Shqipëri, të anketuarit kanë thënë në një masë më të madhe se pjesa tjetër e rajonit (28%) se kanë prioritet sektorin privat të punës për arsye të sigurisë së punës.

Por, gjatë prezantimit të punës së tij Ministri Ahmetaj, duke iu rikthyer krahasimit me 2013-ën theksoi që “patjetër që Shqipëria nuk është një vend i pasur, patjetër që ka shumë për të bërë, patjetër që kemi shumë për të luftuar varfërinë, por e kemi lënë mbrapa vitin 2013, edhe 2015-ën si një vit i vështirë, ku korrektimi ekonomik sigurisht ishte i ngarkuar.”

Të dhënat e ministrit për borxhin publik neto shënojnë 63.6% në fund të dhjetorit 2018 me gati pak më pak se 10% më i ulët nga ç’u trashëgua sipas tij. Por ministri në këtë llogaritje nuk ka marrë parasysh humbjet nga çbalancimi i kursit të këmbimit që mund të jenë gati 2% e PBB-së.

“Borxhi bruto, për shkak të parave që kemi në llogari nga Eurobondi është 66% që edhe sikur të ishte vetëm kjo shifër, do ishte shumë e ulët në krahasim me çfarë e morëm. Unë besoj se ulja e borxhit do të vazhdojë, se është detyrë patriotike.

Arben Ahmetaj gjatë konferencës

Në 5 vite mblodhëm 1.2 miliardë dollarë më shumë sesa momenti që e morëm. E mbani mend Saliun që thoshte në 5 vite 500 milionë? 1.2 miliardë dollarë më shumë ka mbledhur Qeveria Rama 1 dhe Rama 2 dhe besoj që do të vazhdojë të rritet. Sigurisht që puna nuk ka fund, por unë në momentin tim personal, kam kënaqësi që e ndaj me ju dhe me qytetarët këtë shifër. Ka bërë të mundur të zgjerohemi në investime.”- do të pasqyronte Ahmetaj në ditët e para të janarit.

Por të dhënat e institucioneve ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë si vendi me borxhin publik më të lartë në rajon dhe vendin e fundit për mbledhjen e taksave.


Sipas raportit të KE-së në fundgushtin e vtitit që lamë pas, niveli i borxhit publik të Shqipërisë në 2018 në raport me PBB-në është 68, 7 % e ndjekur nga Maqedonia 66, 5% dhe Serbia 62, 8 %. Raporti parashikon se deri në 2020 borxhi i Shqipërisë do të bjerë me 5 pikë përqindjeje, por përsëri do të mbetet më i larti në rajon.

Sipas raportit të KE-së, Shqipëria mbledh më pak taksa e tatime nga të gjitha vendet e rajonit përveç Kosovës. Vendi ynë rezulton të mbledhë të ardhura vetëm sa 28.2% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, shumë më pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Edhe Banka Botërore në tetor po të vitit që lamë pas, i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare për Borxhin Publik. Sipas Bankës Botërore, pavarësisht performancës së mirë ekonomike dhe parashikimeve pozitive në afatshkurtër, Borxhi Publik i Shqipërisë mbetet ende shumë i lartë dhe më i larti në rajon.

Për BB, ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5 për qind në 2019-2020.
Duke iu rikthyer arritjeve të qeverisë, ministri deklaroi se janë 11,123 biznese të reja neto në vitin 2018 dhe në tre vitet e fundit 2016-2017-2018, janë 38 mijë biznese të reja neto. Në vitin 2014, fitimi i kompanive ishte 160 miliardë lekë; në vitin 2017 është 196 miliardë lekë.

“Pra çdo vit rritet fitimi i kompanive me nga 10%. Por me sipërmarrjet që praktikisht kanë xhiron dhe fitimin më të lartë vit pas viti, kjo është domethënëse, për të treguar që ekonomia sigurisht që nuk është e mjaftueshme kurrë, por ekonomia ka 5 vite vetëm rritje. Ndërkohë, kam një narrativë shumë të gjatë për uljen e taksave. Në vitin 2016, zero taksë biznesit të vogël me qarkullim 0 deri në 5 milionë dhe 5% taksë për bizneset me qarkullim 5 deri në 8 milionë. Në vitin 2017, ulja e rentës nga 4 në 3. Akciza e duhanit të prodhimit vendas nga 4,400 lekë/ kg në 2,500 lekë/kg. TVSH 6% për strukturat akomoduese, dhe lehtësimi I proçedurave gjithashtu.”

Por, vetë statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në katër vjet barra fiskale për ekonominë është rritur me 1 miliardë dollarë dhe gjysma e kësaj fature është rritje e drejtpërdrejtë e taksave.

Në vitin 2017 biznesi dhe qytetarët paguan 430 miliardë lekë ose 4 miliardë dollarë taksa dhe tatime për qeverinë. Krahasuar me katër vjet më parë, shuma e taksave dhe tatimeve që qytetarët kanë paguar për buxhetin është rritur me 33 për qind ose rreth 1 miliardë dollarë.

Ndonëse gjysma e kësaj fature është rezultat i luftës ndaj informalitetit, rritjes natyrale ekonomike dhe asaj të çmimeve, plot 500 milionë dollarë janë rritje e drejtpërdrejtë taksash mbi qytetarët dhe biznesin.

Në fund të vitit 2013, qeveria e sapoardhur në pushtet prezantoi paketën e saj të parë fiskale. Paketa përmbante katër ndryshime të rëndësishme. Ato ishin rritja e tatim fitimit nga 10 në 15 për qind, rritja e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër, rritja e akcizave për pijet dhe cigaren si dhe rikthimi i taksës progresive.

Në total, efektet e kësaj pakete ishin rritje e barrës fiskale me 200 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilës ju faturua qytetarëve përmes taksave të konsumit.
Një vit më pas, qeveria prezantoi një tjetër rritje masive taksash me efekt rreth 180 milionë dollarë. Sërish taksa me ndikimin më të madh ishte ajo e qarkullimit, që vendoset mbi karburantet, e cila u rrit me 10 lekë të tjera për litër duke arritur në 27 lekë për litër nga 1 janari i 2015-ës.

Paralelisht u rrit tatimi mbi të gjitha të ardhurat dytësore, si dividentët, të ardhurat nga interesi, qiratë, të ardhurat nga pronësia industriale etj. Taksa për këto të ardhura nga 10 për qind u bë 15 për qind, ndërkohë që edhe në vitin 2015 qeveria vazhdoi rritjen e akcizave mbi duhanin dhe alkolin.

Nga 500 milionë dollarë që u rritën taksat në periudhën 2014-2017, rreth 400 milionë dollarë në vit janë paguar nga qytetarët dhe vetëm 100 milionë dollarë janë paguar nga fitimi i bizneseve të mëdha për shkak të rritjes së tatimit mbi fitimin dhe rikthimit të TVSH-së për lëndët e para që përdoren në sektorin hidrokarbur.

Rritja e ndjeshme e barrës fiskale për qytetarët pati efekte të drejtpërdrejta mbi koston e jetesës. Në vitin 2015, Shqipëria u përball me rënie të konsumit për herë të parë nga 1997-a dhe shkaku kryesor, sipas analizave të vetë Ministrisë së Financave ishte pikërisht rritja e barrës fiskale.

Sipas Bankës Botërore, sistemi fiskal i Shqipërisë është kontributor në rritjen e varfërisë, pasi vetëm si pasojë e taksave, pjesa e popullsisë shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë rritet nga 22 për qind në 29 për qind. Sipas BB-së, kjo e bën Shqipërinë një nga vendet ku sistemi fiskal ka efektin më të madh në rritjen e varfërisë, në një kohë që në vendet e tjera ai përdoret si zbutës i saj.

Edhe të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në Vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit për Tremujorin e katërt 2018-ës, tregojnë një pesimizëm në rritje për ekonominë në vend. Situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend ka shënuar rënie me 1.1 pikë përqindje, sipas raportit të BSH-së.

Pavarësisht shifrave të ministrit të suksesshëm që tregojnë një përmirësim të dukshëm të ekonomisë shqiptare krahasimisht me luginën e errët të 2013-ës, një sondazh i muajit tetor të vitit të kaluar për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.

Vrojtimi qe i profesorëve Gëdeshi-King dhe zbuloi trende të reja të emigrimit, ku vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë