Menaxhim

Nisma e qeverisë për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti tremb kompanitë private

Nga Gazeta ‘Si’ - Pas tragjedisë që shkakton një tërmet, shqetësimi i menjëhershëm që merr udhë është kostoja për dëmet e tij.

Por megjithatë, ky nuk është rasti për Shqipërinë.

Të dhënat historike deri tani kanë treguar që shqiptarët nuk kanë mësuar nga krizat dhe interesi pas ngjarjes mbetej deri në informim, jo në praktikë.

Një vit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare treguan se numri i kontratave të sigurimit të dëmeve në pronë ishte në nivele të përafërta me 2018-n, me një rritje modeste prej 2%.

Në raportet e fundit të tregut të sigurimeve, vihet re një rritje në vlerë e sigurimeve të pronës por megjithatë kontributin kryesor në treg vazhdojnë ta japin sigurimet e detyrueshme motorike.

Sipas AMF-së, në portofolin e sigurimit nga “Zjarri dhe Forcat e Natyrës” gjatë periudhës janar-qershor për këtë vit, vihet re një rritje me 3.46% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Por projektligji i prezantuar sëfundmi nga qeveria shqiptare, dikton sigurimin e detyrueshëm të të gjitha banesave nga tërmeti përveç atyre me përbëje allçie apo qerpiçi, me strukturë fibër si dhe objekteve të përkohshme.

Ideja nuk është e re.

Një nismë e ngjashme u propozua që në vitin 2019 pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, por hasi në kundërshtime pasi nuk arriti që të bindë qytetarët mbi përfitimet që do të sillte.

A ‘rrezikohen’ kompanitë e sigurimit?

Sipas parashikimeve ligjore, sigurimi nga tërmetet nuk do të ofrohet nga kompanitë e sigurimeve, por nga vetë shteti nën menaxhimin e Fondit Kombëtar për Tërmetet.

Skema e ngritjes së një Fondi të posaçme publik për këtë qëllim duket se nuk po iu pëlqen shumë kompanive të sigurimit të cilat e kanë kundështuar këtë nismë edhe në 2019-n.

Ndonëse projektligji thekson se Fondi mund të menaxhohet edhe nga kompani private, burimet nga kompanitë e sigurimeve thonë për Gazetasi.al se i druhen një ikje të klientelës.

Ata deklarojnë se situata mund të krijojë një ngërç dhe se duhet t’u lihet qytetarëve në dorë që ta zgjedhin vetë ku iu leverdis më mirë.

“Fondi mund të delegojë menaxhimin dhe administrimin operacional pranë një Operatori Teknik Ndërkombëtar,” thuhet në draft.

Projektligji përcakton se Operatori Teknik Ndërkombëtar duhet të jetë një shoqëri sigurimi ose risigurimi nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik(OECD)/BE-së dhe të ketë së paku nivel të cilësisë së kreditit A, sipas përcaktimit të agjencive kryesore klasifikuese.   

Sa do të jetë kostoja që do paguajnë qytetarët?

Projektligji nuk përcakton çmim, por çmimet referencë që ofrojnë kompanitë e sigurimit tregojnë se familjet do të paguajnë rreth 5000 lekë në vit për banesën e tyre, rreth 1 euro për metër katror. 

Aktualisht sipas opsionit që zgjedhin qytetarët, çmimi për sigurim të pjesshëm ose të plotë varion nga 3500 deri në 10 000 lekë.

Formula që llogarit policën është e lidhur me zonën ku gjendet shtëpia dhe me sipërfaqen, çka do të thotë se kartoni mund të blihet më shtrenjtë ose më lirë, por megjithatë, çmimi për një apartament me sipërfaqe 100 m2 arrin 5000 lekë.

Detyrimin për blerjen e policës nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira dhe banesat në proces legalizimi. Për shtresat sociale në nevojë, kartonët do të paguhen nga buxheti i shtetit.

Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë duke përjashtuar dëmin tjetër pasuror (mobiljet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, kompensim të dëmeve morale; shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave apo dhe humbjet financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar.

Çfarë ndodh në vendet europiane?

Në shtetin fqinj Itali ku rreziku sizmik është ngjashëm me tonin, ekziston vetëm ligji për emergjencat civile. Edhe në vendet e tjera evropiane nuk ka një detyrim ligjor për të siguruar shtëpitë.

Në përgjithësi, nuk ka asnjë rregull/ligji ose hapësirë në kushtetutë që e angazhon shtetin të ndihmojë të pastrehët pas tërmeteve. Për më tepër, mbështetja për ata që preken nga tërmeti duhet në çdo rast të paraprihet nga një deklaratë e një gjendjeje katastrofe natyrore, ashtu siç ndodh edhe në Shqipëri sipas ligjit.

Që do të thotë se nëse ndërtesa juaj është plasaritur për shkak të një tërmeti të vogël, ju vështirë se do të kompensoheni për këto nga organet publike.

Nëse nuk është një tërmet me përmasa të jashtëzakonshme, në fakt, qeveria vështirë se lëviz; madje edhe në këtë rast mbështetja ekonomike dhe logjistike shpesh është e kufizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë