Portofol

Projektligji / Sigurimi i banesave nga tërmeti do të bëhet me detyrim, përfshihen edhe banesat sociale me qira dhe ato në proces legalizimi

Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, qeveria ka përgatitur projekt-ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

Projekt-ligji i nxjerrë për konsultim publik, ka si qëllim mbulimin e humbjeve financiare nga tërmetet. Detyrimin për t’u siguruar e kanë të gjitha banesat, përfshirë ato sociale me qira dhe ato në proces legalizimi.

Pjese nga projektligji per sigurimin e detyrueshem te termeteve

 “Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave të paluajtshme: banesa; seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme. Nuk zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër - kallami ose të ngjashme; ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Detyrimin për sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre.”

Sigurimi që paguhet nga poseduesit e banesave do të rinovohet çdo 1 vit, ndërsa për shtresën në nevojë do të paguajë shteti.

Vlera e tij do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Projektligji parashikon ngritjen e Fondit Kombëtar për Tërmetet, i cili do të menaxhojë sigurimet e banesave por edhe të gjithë shumën e akumuluar nga ky sigurim i detyrueshëm.

Ky projekt-ligj, siç shpjegohet në relacionin shoqërues, vjen si nevojë e adresimit të ndikimit social dhe fiskal të tërmeteve, për të siguruar fondet e nevojshme për rindërtimin e banesave, nisur nga tërmeti shkatërrues I 2019, që preku 200.000 njerëz në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin dhe duke shkaktuar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik të vlerësuar në 7.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet:

a) të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen;

b) kërkesa për kompensim të dëmeve morale;

c) sendet brenda banesës së objektit të siguruar;

d) shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave;

e) humbjet financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar.

Shuma e sigurimit

1. Shuma e sigurimit, sipas këtij ligji, është limiti maksimal i dëmshpërblimit.

2. Shuma e sigurimit është e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Bordit Drejtues të Fondit Kombëtar të Tërmeteve, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat.

3. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) përqind të vlerës së dëmit dhe mbulohet nga subjekti i siguruar për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë