Më të mirat 2022

As tërmetet, zjarri dhe as pandemia s’i trembën shqiptarët se mund të humbasin pasuritë

Nga Gisela Troplini - Në tregun botëror të sigurimeve, ngjarjet e mëdha vendosin trendet dhe të ardhmen e tyre. Por jo në Shqipëri.

Pas tërmetit të rëndë të 2019-s, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportoi se përveç kërkesës për dëmshpërblim nga sigurimet e pronës, e cila kapi vlerën e mbi 4 mld lekëve, asgjë tjetër nuk pësoi rritje.

Në fund të dhjetorit 2019, një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, numri i kontratave për sigurim të pronës ishte rritur me vetëm 0.08%. Ndërsa nga dhjetori 2020 në atë 2021 rritja ishte me 1.79%.

Blerim Bytyçi, drejtor i marketingut në kompaninë e sigurimeve, Eurosig, në Shqipëri tha për Gazetasi.al se interesi për të siguruar pronën u shtua pas tërmeteve, por nuk u jetësua asnjëherë.

“Pas lëkundjeve të forta sizmike të tërmeteve të 2019, interesi për sigurimin e pronës ishte mjaft i lartë. Por, ishte thjesht interes për të marrë informacion mbi sigurimin e pronës, pasi kjo nuk u konkretizua nga konsumatori. Janë interesuar me mijëra familjarë dhe biznese, por vetëm 0.1 % e tyre u pajisën me sigurim prone”, -shpjegon Bytyçi, duke treguar dhe se në disa vende të Europës Jug-Lindore, sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është bërë i detyrueshëm.

“Në këtë mënyrë në rast dëmtimi të pronave, të siguruarit nuk i mbajnë sytë nga qeveria, por marrin dëmshpërblim maksimal për dëmet që u shkaktohen pronave të tyre.”

Ndërkohë, vetë AMF në studimin e bërë post-tërmetit, thekson se edhe rritja që ndodhi ishte rezultat i rritjes së pjesës së risiguruesve. Nga shifrat publike, në vitin 2020 dhe 2021, qeveria ka shpenzuar 660 milionë euro për programin e rindërtimit, ku përfshihen dëmshpërblimet e dhëna dhe rindërtimi i banesave të dëmtuara.

Foto ilustruese nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Gazeta "Si"

Në raportet e fundit të tregut të sigurimeve, vërehet një rritje në vlerë e sigurimeve të pronës për rastet e zjarrit, specifikisht. Vetëm në 8 mujorin e parë 2022, të ardhurat totale nga ky sigurim ishin 1.39 mld lekë, duke u renditur të dytët pas sigurimeve të mjetit, që janë sigurime të detyrueshme.

Bytyçi nga Eurosig tregon se edhe në këtë tregues ka ndodhur në fakt e njëjta gjë, ku interesi ka mbetur vetëm në informim dhe jo praktikë.

“Faktikisht nuk ka pasur rritje të konsiderueshme të sigurimit të pronës dy vitet e fundit. Rritja ka qenë konstante gjatë 10 viteve të fundit. Zjarret kanë qenë prezente çdo vit, por as kjo nuk i ka bërë qytetarët shqiptarë të sigurojnë pronat e tyre. Ne kemi ndërmarrë fushata të shpeshta informuese dhe edukative lidhur me sigurimin e pronës, por fatkeqësisht nuk janë përkthyer në rritje të numrit të familjarëve apo bizneseve të siguruara”.

Pandemia ishte një tjetër ngjarje, tashmë normalitet, që ndikoi drejtpërdrejtë në tregun e sigurimeve, që rriti ndërgjegjësimin, kontrata dhe të ardhurat për sigurimin e jetës e shëndetit. Por përsëri, trendi nuk preki Shqipërinë.

Bytyçi thotë se dhe pandemia “dështoi” të ndërgjegjësonte shqiptarët të siguronin shëndetin. “Megjithëse kemi kosto më të ulët se i gjithë rajoni dhe Europa, jemi në shifrat më të ulëta të Sigurimit Vullnetar të Shëndetit në gjithë rajonin. Një pjesë e mirë e qytetarëve u gjendën të papërgatitur edhe financiarisht për të përballuar sëmundjen. Ndërkohë ata që kishin një Sigurim Shëndeti, kostot iu përballuan nga kompania, duke i lehtësuar ata nga ana financiare”, -shpjegon ai për Gazetasi.al.

Nga statistikat e AMF-së, rritja e sigurimit të shëndetit nga 2020-a në 2021-shin raportohet vetëm 0.01%. Në vitin 2020, qeveria krijoi 2 paketa financiare anti-Covid në ndihmë të familjeve shqiptare, që në total kapën vlerën e mbi 120 mln eurove.

Foto ilustruse nga Tirana gjatë kufizimit të Covid-19, 2020

Kreu i departamentit të marketingut nga kompania e sigurimeve, Eurosig, pret që për vitin 2023 të ndodhë një rritje, por jo domethënëse.

“Shqipëria renditet e fundit në gjithë Europën për sigurimin e pronës, megjithëse tarifat janë më të ulëtat në rajon dhe Europë. Ky sigurim qytetarëve u kushton më pak se 1 euro/m2 në vit dhe sërish jemi në shifra të papërfillshme. Normalisht një apartament prej 100 m2 nuk kushton më shumë se 80 euro/vit, duke mbuluar dëmet që shkaktohen nga zjarri, eksplozioni, stuhitë, tërmetet, etj. Këtu përfshihen edhe dëmet që i shkaktohen pronës, edhe dëmet që i shkaktohen mobilimit apo pajisjeve shtëpiake”, - shpjegon ai duke theksuar se edhe kostot e ulëta nuk bindin as bizneset dhe as individët të sigurohen.

Ndërkohë, nga shifrat e fundit të AMF-së, për periudhën janar-gusht 2022, 72.8% të sigurimeve ishin motorike, duke qëndruar përsëri të parët, pasi këto lloj sigurimesh janë të detyrueshme e jo vullnetare.

“Urojmë dhe shpresojmë që qytetarët ta kuptojnë që shëndeti dhe prona nuk mund të lihen në ‘dorë të fatit’, por ato duhen siguruar për të pasur një jetë të sigurt financiare”, - e mbyll fjalën e tij, përfaqësuesi i Eurosig për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë