Libra

‘Ngjyrat e Shqipërisë’, libri që të mëson etnografinë duke u argëtuar

Nga Gazeta Si- Ajo është një arkitekte dhe nënë e re. Përveç profesionit ka edhe pasione përmes të cilave prej disa vitesh kanë lumturuar njerëzit, por njëkohësisht edhe ka nxjerrë të ardhura.

Pasionet ajo i zhvillon nën pseudonimin DAKUNA që për publikun mbetet ende mister se nga vjen dhe çdo të thotë ky emër.

Asaj i pëlqen të bëjë skica frymëzuar nga gurra popullore, historia dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë. Skicat, spilat, gotat, çantat, bluzat dhe motive të tjera shpesh kanë kapërcyer edhe oqeanin për të shkuar që dekorojnë mjediset e shtëpive të shqiptarëve, por edhe të të huajve.

Dakuna është në platformën ndërkombëtare të shitjeve ETSY.

Por këtë herë ajo ka ardhur me një libër të titulluar “Ngjyrat e Shqipërisë” ku shpaloset një pjesë e etnografisë së vendit.

Dakuna tregon për Gazetasi.al në një intervistë të shkurtër se libri ka për qëllim mësimin përmes argëtimit.

Si e keni konceptuar librin "Ngjyrat e Shqipërisë"?

Libri është konceptuar si një libër informues, argëtues dhe edukues gjithashtu. Nëpërmjet këtij libri mendohet që të sjellim më afër kulturën shqiptare me anë të etnografisë. Një pasuri kombëtare shumë e pasur që pak i është kushtuar vëmendje në këtë formë.

Libri vjen në formë argëtuese nëpërmjet ngjyrosjes dhe vizatimit të lirë.

Po ashtu është edhe edukativ nëpërmjet të mësuarit direkt dhe indirekt. Direkt ku fëmijë të moshave të vogla të mësohen me ngjyrat dhe numrat dhe indirekte për tu afruar më shumë me prindin në këtë proces me anë të vizatimit të lirë ku fëmijëve do t’u duhet të kërkojnë në burime të tjera për ta realizuar atë.

Informimi bëhet nëpërmjet skicave minimaliste për ti orientuar më pas në një përshkrim të shkurtër mbi veshjen. Është edhe argëtues me ngjyrosje dhe vizatim të lirë.

Vetë procesi i ngjyrosjes është menduar ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim në treg. Nuk ka ngjyrosje brenda kontureve.

Kjo në mënyrë që të zhvillohet fantazia e fëmijëve dhe jo vetëm aftësia për të ngjyrosur.

Në libër ka edhe fletë të bardha në fund me një detaj nga këto veshje popullore për vizatim të lirë.

Gjithashtu libri është edhe edukues ku fëmijët kanë mundësi të mësojnë numrat dhe ngjyrat që në moshë të vogël, të ndihmuar edhe nga prindërit.

E veçanta e këtij libri është se me anë të një barkodi shkon te faqja e instagramit @mymuseislove dhe merr informacione se si të bëjnë një kërkim më të avancuar për fjalën që është përcaktuar për vizatim të lirë.

 Kujt i drejtohet libri?

Libri i drejtohet moshave 4 deri 99 vjeç. Për fëmijë dhe të rritur, prindër, gjyshër apo dashamirës të etnografisë, ngjyrosjes dhe vizatimit.

Si lindi ideja?

Në kohën e pandemisë ngjyrosja vizatime të tilla në kohën e aktivitetit të ngjyrosjes me djalin dhe kështu më erdhi ideja të bëj një libër.

Nga ajo që kam kuptuar në promovimin e librit tuaj në Instagram, shoh që është përkthyer në anglisht dhe gjermanisht. Brenda të njëjtit libër apo përkthimi vjen në tre libra, pra në tre gjuhë? Pse?

Në shqip janë të përshkruara secila nga veshjet me karakteristikat kryesore. Nga vjen, çfarë materialesh apo si përdoren. Ky informacion është përkthyer në anglisht dhe gjermanisht.

Në këto dy gjuhë pasi ka shumë interes nga shqiptarët jashtë vendit për ilustrimet popullore që unë bëj.

Në kopertinë citohet "Vëllimi i Parë". Në sa vëllime e keni menduar?

Dhe një vëllim është i sigurt. Vëllimi i dytë do të jetë “veshje për burra’. Jam duke punuar me ilustrimet tani që kam në dorë informacionin e bollshëm nga literatura.

Çfarë duhet të presë publiku në vëllimin e radhës dhe kur del?

Do ketë informacion për këtë kategori veshjesh. Do të ketë një ndryshim të vogël në formatim. Po në përgjithësi si çdo seri, do jetë i ngjashëm me të parin.

Ka libra të ngjashëm me autorë shqiptarë?

Në dijeninë time jo, sidomos për Etnografinë të trajtuar në këtë mënyrë. Ku mëson nëpërmjet argëtimit.

Kush është Dakuna?

Duke pritur për ta njohur dhe unë.

Pse vendosët ta publikonit nën këtë pseudonim?

Sepse kështu njihet ajo çka unë kam bërë këto vite nën këtë emër!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë