Ngjarje

Ngjarja në Astir/ A largohet ISHMT nga përgjegjësia që mban çdo vit?

Ashensori i shkëputur në pallatin e kompleksit “Fratari” në Astir në të gdhirë të së dielës, ishte vendosur në mënyrë informale. Ai ishte i pakolauduar dhe nuk kishte marrë asnjëherë shërbime mirëmbajtjeje duke u kthyer në rrezik për banorët. Aktualisht, kompania e tregtimit të ashensorit që u shkëput, është vendosur nën hetim, tekniku i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve dhe administratori i firmës së mirëmbajtjes janë në procedim penal.

Ndonëse subjektet e përfshira në ngjarje janë private, përgjegjësia (që nuk u mor nga askush) i mbetet ISHMT-së, Inspektoratet Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Kjo sepse vetë ISHMT përcaktohet si “organi më i lartë për sa i përket kontrollit përfundimtar të të gjithë procesit të kontrollit të ashensorëve.”

Të dielën, ISHMT-ja njoftoi se pallati duhet të zgjedhë një administrator që kontrakton një Organ të Miratuar për kontrollin e ashensorëve. Duke e larguar situatën si barrë të vetën.

Por, kush është organi i miratuar?

“Organ i Miratuar” është organi i vlerësimit të konformitetit, i miratuar nga ministri përgjegjës, për kryerjen e detyrave specifike të vlerësimit të konformitetit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Thënë ndryshe, një kompani private apo person i licensuar që jep certifikimi final të një ashensori të ri, apo të punimeve të mirëmbajtjes apo remontit të një ashensori. Por përsëri, në fund, i takon Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Produkteve, pranë ISHMT-së, që të të japë OK e fundit, nëpërmjet “rolit kryesor përmbyllës”.

Gjithsesi, Inspektoriati kryen kontrolle në treg në bazë të riskut. Pasi ky proces të fillojë, ISHMT kryen kontrolle periodike në bazë të ankesave që mund të kenë gjithë pjesëmarrësit në këtë treg.

Në raportet vjetore, Inspektoriati tregon çdo vit inspektimet, kontrollet dhe masat që marrin kur konstatojnë shkelje, sepse kjo është detyra e tyre, që e kanë mohuar ditën e 12 shtatorit, pas shkëputjes së ashensorit në Astir.

Në raportin vjetor 2020, Inspektoriati ka kryer 425 inspektime në sektorin e produkteve mekanike ku bëjnë pjesë ashensorët, janë vendosur 230 masa administrative, nga të cilat 216 pezullime, 13 gjoba dhe 1 masë urgjente.

Madje ka kryer edhe inspektime mbi subjektet tregtuese të ashensorëve dhe ka marrë 3 masa në 38 kontrolle tregu.

Sipas të dhënave të Inspektoriatit, nga rreth 10.000 ashensorë në të gjithë Shqipërinë, vetëm 1.200 janë certifikuar, 10% e tyre. Ata të vendosur që nga viti 2020. Regjistrimi i ashensorëve në vendin tonë ka nisur në fund të vitit 2018. Sipas ISHMT-së, është një proces i ngarkuar prandaj ka vonuar kaq shumë.

Me këtë rend, çdo ashensor i vendosur para vitit 2018, që janë pjesa më e madhe, janë të pacertifikuar, të paregjistruar dhe rrjedhimisht nuk kontrollohen sepse “janë vendosur në mënyrë informale dhe nuk i ka askush në përgjegjësi.” Sigurisht, përveç banorëve që tashmë i banojnë ato pallate.

Deri në vitin 2017, në Tiranë numëroheshin rreth 5 mijë pallate, normalisht me ashensorë të pakontrolluar ose të lënë në dorën e administratorëve e banorëve. Por sipas të dhënave nga Bashkia e Tiranës, nga mbi 5 mijë pallate, vetëm 900 prej tyre kanë administrator, pra kontrolli i ashensorëve dhe përgjegjësia nëse ata rrezikojnë jetë, mbetet jetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë