Ne rrjet

Nga lidere racionale e kompromiseve të mëdha, tek rrëfimet e prekshme pas një gote vere, të pathënat e Barrosos, Prodit dhe Blarit për Merkel

José Manuel Barroso (Presidenti i Komisionit Evropian, 2004-14)

Në 10 vitet që drejtova Komisionin Evropian, Angela Merkel ishte qartazi liderja më me ndikim në Evropë. Në samitin e saj të parë të G8, në 2006, ajo ishte relativisht e turpshme, ndoshta edhe pak e dyshimtë.

Dhe përshtypja ime është se kjo nuk kishte të bënte me të qenit grua. Në vend të këtij hamendësimi, gjendjen e saj e lidha me prejardhjen nga vinte: politikanët nga vendet me një të kaluar totalitare priren të jenë pak të rezervuar kur hyjnë për herë të parë në skenën evropiane ose ndërkombëtare.

Më kujtohet një bisedë me të dhe presidentin e Kilit, Sebastián Piñera. Piñera kishte hyrë në politikë në fund të epokës Pinochet, pas një karriere në biznes. Ajo e pyeti pse ai u angazhua në politikë sepse po përpiqej të krahasonte përvojën e saj politike, të ardhur edhe ajo nga një vend jo demokratik, me atë të presidentit kilian.

Merkel ishte shumë e sinqertë: ajo na tha se kur ishte shumë e re donte të bashkohej me Pionierët e Rinj, organizatën rinore të partisë socialiste të Gjermanisë Lindore, jo për shkak të ideologjisë së saj, por sepse kishte disa aktivitete interesante dhe disa udhëtime, por ajo e kuptoi se ajo kurrë nuk do të mirëpritej atje si vajza e një pastori të krishterë.

Qëndrimi i saj ndaj politikës lidhej me një mosbesim pragmatik ndaj pushtetit.

Kjo përfshinte gjithashtu, të paktën në fillim të marrëdhënies së saj me Nicolas Sarkozy, liderin e Francës, aleatin e saj më të madh në Evropë, një qëndrim shumë të qartë mosbesimi.

Unë isha në shumë takime me ata të dy për shkak të krizës së borxhit sovran dhe vështirë se mund të kishe gjetur një dyshe njerëzish më të ndryshëm për sa i përket temperamentit: njëri prej tyre një ‘kafshë’ e vërtetë politike intuitive, tjetra racionale, e matur dhe e detajuar.

E pashë të lënduar emocionalisht nga komentet e Sarkozy.  Me një gotë verë pas një darke – (Merkelit i pëlqen një gotë e mirë e kuqe) - ajo më rrëfeu se kishte dëgjuar presidentin francez duke thënë se Franca, ndryshe nga Gjermania, nuk duhej të kërkonte vazhdimisht falje për të kaluarën. Ajo pothuajse po qante kur po e tregonte atë episod.

Njerëzit kanë parë tek Merkeli imazhin e një politikaneje racionale deri në ftohtësi. Por e kam parë disa herë atë me emocion të sinqertë. Ajo është shumë gjermane, në fund të fundit, një patriote dhe një mbështetëse e pasionuar e ekipit gjerman të futbollit, e cila dikur iu ankua kryeministrit italian Mario Monti se lojtarët e vendit të tij ishin shumë agresivë në një ndeshje kundër skuadrës së saj.

E megjithatë ajo është shumë racionalisht pro-evropiane: përkundër dyshimeve të saj, ajo e lidhi fatin e popullit gjerman me Bashkimin Evropian dhe eurozonën, duke mbështetur përfundimisht të gjitha instrumentet për të mbrojtur monedhën e përbashkët.

Edhe me Sarkozin, ajo e dinte se ishte jetike për Gjermaninë dhe Francën të gjenin një bazë të përbashkët, dhe ajo punoi për këtë gjë.

Gjermania në epokën e Merkelit është kritikuar se ka lejuar interesat ekonomike të ndikojnë në qëndrimin e saj ndaj Rusisë. Kjo anashkalon mbështetjen e saj të fortë për sanksionet pas pushtimit rus të Ukrainës dhe fjalët e saj të qarta për helmimin e Alexei Navalny.

Me Vladimir Putin, i vetmi lider nga 2006, i cili është ende në pushtet, Merkel gjithmonë kishte tonin e duhur. Ajo ka treguar respekt për Rusinë dhe historinë e saj dhe nuk do ta kishte quajtur kurrë një "fuqi rajonale" siç e bëri Obama. Në të njëjtën kohë, ajo ishte gjithmonë jashtëzakonisht e vendosur në çështjet parimore.

Më kujtohet samiti BE-Rusi i vitit 2007 në Samara dhe një bisedë mes Putinit, Merkelit dhe meje. Kohët e fundit kishte pasur një këputje të sistemit të tubacionit Druzhba, i cili është vendimtar për transmetimin e gazit në Evropën Perëndimore dhe shtetet baltike. Ne e dinim se Rusia qëndronte pas saj, por Putin e mohoi atë, duke pretenduar se ishte një aksident. Merkel e ngacmoi shkëlqyeshëm.

“Pse nuk e riparoni”, pyeti ajo. “Është e shtrenjtë”, tha Putin.

“Ne do të paguajmë për të”, u përgjigj Merkel.

Putini e humbi durimin në atë moment. “Pse po mbroni gjithmonë Baltikun”, na pyeti.

Merkel kishte mësuar diçka nga Helmut Kohl: në Bashkimin Evropian duhet t'u kushtoni vëmendje të gjithëve, jo vetëm personaliteteve të mëdha dhe vendeve të mëdha.

Shumica e liderëve hyjnë në dhomë dhe shtrëngojnë duart vetëm me homologët e tyre. Merkel ishte ndryshe. Ajo do të përshëndetej edhe me ndihmësit e delegacioneve të ndryshme.

Pse po e bënte ajo? Mendoj se është pjesërisht temperamenti i saj, por ajo gjithashtu e dinte se mund të merrte më shumë informacion nga ndihmësit që kishin lexuar dokumentet me më shumë detaje sesa krerët e shtetit.

Toni Blair (Kryeministri i Britanisë së Madhe, 1997-2007)

Angela Merkel shpesh e ka përcaktuar Gjermaninë si shtet modern. Jo për sa i përket jetëgjatësisë së saj në detyrë, por në frymën se si ajo e ka sigluar: qetësi, e sigurt, e arsyeshme dhe racionale, sens i shëndoshë, bashkëpunues përtej kufijve kombëtarë, fillimi i reformave progresive në vend.

Unë isha i afërt me paraardhësin e saj, Gerhard Schröder, duke ardhur nga i njëjti krah i politikës si ne, por u njoha me Angela fillimisht kur ajo ishte lidere e opozitës dhe më pas si kancelare gjatë viteve të fundit si kryeministër kur krijuam një miqësi, që ka zgjatur edhe pasi u largova nga detyra.

Periudha e saj si kancelare ka përballuar krizën financiare, kërcënimin e populizmit, krizën e refugjatëve, Brexit dhe tani Covid. Menaxhimi i saj strategjik i vendit, si dhe kontributi i thellë në çështjet evropiane, ka qenë themeli i stabilitetit në një periudhë ndryshimesh dhe sfidash të thella.

Shumëkush do ta kujtojë kancelarinë e saj për menaxhimin e lartë të krizës, pragmatizmin dhe seriozitetin.

Por kujtimet e mia për ndërveprimet tona kanë të bëjnë po aq me ngrohtësinë, mençurinë dhe humorin e saj...

Gjatë gjithë krizës së eurozonës, ajo kreu një detyrë të vështirë: të ndihmonte vendet më të varfra të Bashkimit Evropian përballë kërcënimit ekzistencial për stabilitetin e tyre, duke mbajtur në krah opinionin publik gjerman, i cili mendonte se Gjermania nuk duhej t'i shpëtonte ato vende, reformat e të cilëve po ecnin shumë ngadalë.

Në fakt, trashëgimia e saj në Evropë tregon se ajo e ka drejtuar atë në kohë jashtëzakonisht të vështirë...

Ajo ishte antipopuliste e përparuar, në karakter dhe politikë. Udhëheqja e saj do të mungojë shumë.

Romano Prodi (Kryeministri italian, 2006-08)

Hera e fundit që takova Angela Merkelin ishte në Asiz në vitin 2018, kur fretërit françeskanë i dhanë çmimin për shkak të meritave të saj në ruajtjen e paqes në Evropë.

Gjatë ceremonisë kam reflektuar mbi arsyet pse ajo e meritoi çmimin: jo për deklaratat e saj të forta apo veprimet e papritura, por për suksesin në balancimin e interesave kombëtare të Gjermanisë me kërkesat e projektit europian.

Në të vërtetë, ndërsa pranonte rolin gjithnjë e më dominues të Gjermanisë në ekonominë e kontinentit, ajo ishte gjithashtu në gjendje të ndërmjetësonte midis presioneve nacionaliste dhe solidaritetit me partnerët evropianë.

Ajo arriti të gjente gjithmonë një kompromis përfundimtar si në krizën e refugjatëve.

Ajo ishte në gjendje të pajtonte presionet afatshkurtra me interesat afatgjata të solidaritetit evropian, i cili është i domosdoshëm edhe për rolin e ardhshëm të Gjermanisë në botë.

Falë besimit që i ka dhënë populli gjerman, kancelarja Merkel ka pasur mundësinë të zhvillojë një strategji të re evropiane pas pandemisë.

BE-ja e gjeneratës së ardhshme nuk është vetëm simboli i luftës së përbashkët kundër krizës, por mbi të gjitha një shenjë e pakthyeshmërisë së projektit evropian.

Kjo është trashëgimia e madhe që Angela Merkel do të lërë për të ardhmen e Gjermanisë dhe Evropës.

Marrë nga “The Guardian”/ Përshtati në shqip; Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë