Drejtësia

Dosjet e nxehta të SPAK: Prova të reja në vilat e sekuestruara të Arben Ahmetajt! Letërporosi në disa shtete, mund të ketë fshehur pasurinë jashtë

Gazeta Si - Në vilat e kontrolluara dhe të sekuestruara nga BKH në pronësi të ish-gruas dhe partneres së ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj, janë gjetur prova që mund të japin indicie të rëndësishme për të thelluar hetimin e SPAK për inceneratorët.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, në një takim informal me median, është shprehur se po vlerësohet marrja në pytje e ish-ministrit të Financave.

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me letërporosi disa shteteve në kuadër të hetimeve për ish-ministrin e Financave, ku kërkon informacion për lëvizjet e tij fizike dhe financiare.

Mes kërkesave është edhe ajo për Austrinë për sqarimin nëse ish-ministri ka qëndruar në një hotel të paguar nga një prej pronarëve të inceneratorëve.  

Dumani tha se SPAK-un nuk e pengon asgjë për ta marrë në pyetje Ahmetajn dhe shtoi se gjatë kontrollit të shtëpive të bashkëjetueses së tij janë gjetur prova.

LEXO EDHE:
- Apeli lë në fuqi sekuestron e 34 pasurive të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij
- Inceneratorët, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK për 4 akuza

“Nuk i marrim leje askujt për të thirrur këdo të jetë për ta marrë në pyetje, Arben Ahmetajn apo kushdo që të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerësoi se në këto ambiente mund të gjendeshin prova, - shpjegoi Dumani. - Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, si masë sigurie me qëllim që mos tjetërsohet pronësia”.

Dumani shtoi se çdo gjë është në verifikim. “Kemi nisur letërporosi në shumë shtete, jo vetëm në një shtet, kërkon kohë, ka që janë përgjigjur, ka që janë në proces, hetimi përfshin çdo gjë (përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë). Patjetër që do e thërrasim Ahmetajn, nëse do e shikojmë të nevojshme”.

Akuzat

Dy ditë më parër, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mospranojë ankimin e bërë nga ish-ministri Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij kundër vendimit të kontrollit të banesës, atij personal dhe këqyrjes së komunikimeve telefonike.

Gjyqtari Dhimitër Lara vendosi të mos shqyrtojë në themel pretendimet e ngritura nga mbrojtja në ankim, pasi vendimi i dhënë nga Shkalla e Parë është i ankimueshëm vetëm nga prokuroria në rast të rrëzimit të kërkesës.

Sipas dy avokatëve të Ahmetajt, Henrik Ligori dhe Ardian Visha, vendimi për kontrollin e banesës është antikushtetues, sa kohë nuk është marrë leje më parë në Kuvend.

Mbrojtja gjithashtu pretendon se edhe procedura e ndjekur për të kryer kontrollin dhe aksesimi i komunikimeve telefonike të bashkëjetueses së deputetit Ahmetaj është i paligjshëm.

SPAK po heton ish-ministrin Arben Ahmetaj për 4 akuza: “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe "fshehje pasurie".

Stela Gugallja

Në kërkim për çështjen e inceneratorëve është shpallur në kërkim edhe Stela Gugallja, një nga administratoret e kompanive, e cila dyshohet se është jshtë Shqipërisë.

Sipas Dumanit, SPAK nuk ka një përgjigje nga autoritete austriake, por thjesht kanë një proces ekstradimi.

“Nuk kemi përgjigje zyrtare nga autoritetet austriake. Thjesht dimë që ka një proces ekstradimi, por nuk dimë për vijimin e tij, pasi janë autoritete të tjera që merren me procedurat”. Dumani është pyetur në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe se pse nuk sekuestrohet.

“I takon prokurorit të çështjes. E para, ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh madhe. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet ti gjendet pronari real se nesër pasnesër të çon në arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit”, - tha ai.

Ervis Martinaj

Një tjetër çështje e nxehtë, është edhe zhdulja e Ervis Martinajt prej verës së shkuar, për të cilin Dumani tha se biznesmeni vijon të jetë i pandehur nga SPAK.

“Ça bashkëpunimi të kërkojmë me Prokurorinë e Kurbinit, ne e kemi në hetim, në kuadër të hetimit, ne kemi informacionet tona. Jeton Lami ka preferuar të heshtë dhe të mos japë deklarime, - vazhdon Dumani. - E para, ngjarjen e ‘Don Boskos’, nuk e ka në hetim Prokuroria e Posaçme. Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e ‘Don Boskos’, ‘u ngjall’ apo ‘nuk u ngjall’ Ervis Martinaj". Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore, kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë”, ka thënë kreu i SPAK.

Adriatik Llalla

Për Dumanin, procesi për ekstradimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla vijon në Itali, ndërsa shtoi se ka besim se ai do të riatdhesohet për vuajtjen e dënimit.

"Adriatik Llalla ka përfituar nga Gjykata e Apelit në Romë marrjen e pasaportës me qëllim lëvizjen brenda territorit italian. Procesi vijon në Itali për ekstradimin e ish-kryeprokurorit të Shqipërisë Adriatik Llalla”, - sqaroi ai.

Avokati i ish-kreut të Prokurorisë, Adriatik Llalla deklaroi pak kohë më parë se klienti i tij kishte fituar të drejtën e azilit politik në Itali, por sipas SPAK, në Itali vazhdojnë procedurat e ekstradimit dhe vendimi i Gjykatës së Apelit të Romës ishte për revokimin e masës së sigurisë.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg për fshehje pasurie në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë.

Çështja "McGonigal"

Sa i takon çështjes "McGonigal", ku opozita kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkak se në aktakuza ka dalë edhe emri i kryeministrit Rama, Dumani thotë se prokuroria nuk njofton se kur kryen hetime.

“Nuk do merrni ju dhe askush përgjigje, prokuroria nuk jep njoftim kur heton njerëz. Nuk ka procedim zyrtar asnjëherë. E quajmë të tejkaluar këtë temë. Është çështje e prokurorit dhe mund të vendos të mos e ndajë me askënd”, - shtoi kreu i SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë