Drejtësia

Arben Ahmetaj ankimon në Apel sekuestrimin e 2 vilave në Palasë dhe Hamallaj

Gazeta Si – Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahemtaj ka ankimuar në Gjykatën e Apelit sekuestron ndaj 2 vilave në Palasë dhe në Hamallaj.

Ahmetaj kërkon heqjen e sekuestros preventive për vilën në Hamallaj, e bashkëjetueses së tij Eriola Hoxha, po ashtu edhe për vilën tjetër në Palasë në pronësi të ish-gruas Albina Mancka.

Dy javë më parë Arben Ahmetaj i konsideroi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas. Ai iu drejtua me një ankim Apelit të GJKKO pasi iu ushtrua kontroll në vilën në Hamallaj me argumentin se është i paligjshëm pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty.

Por, gjykata e rrëzoi ankimimin duke thënë kontrolli ishte i rregullt dhe më pas u vendos edhe sekuestro e dy vilave.

Sekuestrimi vjen në një kohë kur ish-zëvendëskryeministri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 akuza.

Ato i përkasin dy procedimeve penale, që janë bashkuar në një të vetme. Çështja e parë është për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe mban numrin 277/1, ku Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre.

Ndërsa e dyta, me numër 30 është për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë” në bazë të një kallëzimi tjetër të bërë ndaj tij.

Dy ditë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani, në një bashkëbisedim informal me gazetarët, tha se në vilat e kontrolluara dhe të sekuestruara nga BKH në pronësi të ish-gruas dhe partneres së ish-zvkryeministrit, janë gjetur prova që mund të japin indicie të rëndësishme për të thelluar hetimin e SPAK për inceneratorët.

Sipas burimeve paraprake, Dumani është shprehur se po vlerësohet marrja në pyetje e ish-ministrit të Financave.

PO ashtu, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me letërporosi disa shteteve në kuadër të hetimeve për Ahmetajn, ku kërkon informacion për lëvizjet e tij fizike dhe financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë