Drejtësia

Hetimet për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, flet avokati i Stela Gugalljas: Jeton e lirë në Austri, ka kundërshtuar ekstradimin

Gazeta Si - A është ndaluar apo jo Stela Gugallja, e shpallur në kërkim për llogari të drejtësisë shqiptare në kuadër të hetimeve për inceneratorët. Mediat me heret raportuan se po, por Klodian Skënderaj, avokati i Stela Gugalljas ka përgënjeshtruar lajmin.

Sipas tij, ajo jeton e lirë me familjen e saj në Vjenë në pritje të procesit gjyqësor dhe se SPAK është në dijeni se ajo ka kundërshtuar ekstradimin.

“Nuk është ndaluar apo arrestuar Stela Gugallja, e cila jeton në Austri. Klientja ime po kundërshton ekstradimin, vetë SPAK është në dijeni. Stela Gugallja jeton e lirë me familjen e saj në Austri, në pritje të procesit gjyqësor”, tha ai.

Gugallja pritet që të dalë para një gjykate në Vjenë për masë sigurie, ndërsa më pas mund të zbatohen procedurat për ekstradimin e saj drejt vendit tonë.

LEXO EDHE:
- Klodian Zoto e Stela Gugallja boshatisën arkat e inceneratorit të Elbasanit para se të zhdukeshin
- Skandali me inceneratorët, shpallen në kërkim ndërkombëtar Stela Gugallja dhe Klodian Zoto
- SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Urdhër arresti edhe për dy shefat e PPP-ve të inceneratorëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja (Video)
- SPAK çon në gjyq dosjen për inceneratorin e Elbasanit. Nën akuzë Koka, Bllako, Mërtiri, Zoto e Gugallja
- Inceneratorët, Tabaku: Si u zhvatën 430 mln euro përmes lidhjes në qeveri me treshen Zoto-Gugallja-Mërtiri
- Lidhjet e Zotos dhe Gugalljas, dy të kërkuarve të tjerë të inceneratorëve

Nga burime në rrugë jozyrtare, mësohet se SPAK i është drejtuar me kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e ekstradimit, ndërsa autoritetet austriake janë në pritje të mbërritjes së kërkesës dhe dosjes në ngarkim të të pandehurës.

SPAK e akuzon Gugalljan se në bashkëpunim me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin kanë korruptuar zyrtarë për fitimin e koncensioneve të inceneratorëve dhe ndaj tyre është ngritur akuza e korrupsionit aktiv.

Stela Gugallja është administratore e kompanisë “Albtek Energy” që ka ndërtuar inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.

Në dy dosjet e inceneratorëve janë marrë të pandehur 30 persona, mes tyre zyrtarë si ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako, të cilë janë në burg në pritje të gjykimit.

Inceneratorët ishin projekte të ndërtuara me fondet e shtetit shqiptar, ndaj ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa fiktive të përvetësuara nëpërmjet kësaj skeme.

Sipas SPAK, buxhetit të shtetit i është shkaktuar rreth 3.7 milionë euro dëm. Prokuroria thotë se Lefter Koka ka marrë para në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive.

Nga hetimet e kryera, SPAK konfirmon se u provua se është shkelur ligji gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, me negocim dhe pa shpallje paraprake të njoftimit.

Organi i akuzës thotë se leja koncesionare dyshohet se është marrë nëpërmjet ryshfetit, ndërsa kompania me pronare Stela Gugalljen, i lëshonte fatura fiktive për punë të pakryera kompanisë së Klodian Zotos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë