Ne rrjet

Nga djegia e doganave e aksionet me viktima. Të gjitha përpjekjet e Kosovës për të bërë ‘zap’ veriun

Që prej shpalljes së pavarësisë në 2008-n, qeveritë në Kosovë janë përpjekur kush më pak e kush më shumë që të marrin kontrollin e veriut problematik të vendit dhe në disa raste këto përpjekje kanë kushtuar edhe jetë njerëzish.

Fati i Veriut si tokë as nën kontrollin e Beogradit dhe as të Prishtinës u përcaktua dy ditë pas 17 shkurtit 2008, ditës së shpalljes së Pavarësisë.

Protestuesit serbë në atë kohë dolën në protesta kundër Pavarësisë dy ditë pas shpalljes së saj dhe në këto protesta dogjën dy pikat doganore të Jaronjës dhe Bërnjakut dhe vunë barrikada duke bllokuar rrugët që lidhnin veriun me pjesën tjetër të territorit të Kosovës.

Protesta e serbëve vazhdoi për disa muaj. Kosova kërkoi ndihmën e UNMIK, misioni ndërkombëtar paqeruajtës nën patronazhin e OKB-së, për të vendosur rendin në këtë pjesë të vendit. Në mars, gjatë një përleshjeje mes protestuesve serbë me forcat ndërkombëtare mbetet i vdekur një polic ukrainas i UNMIK.

Kosova jo vetëm që nuk kontrollonte veriun, por as pikat kufitare të kësaj pjese me Serbinë, Jarinjën e Bërnjakun. Mungesa e kontrollit lulëzoi kontrabandën dhe trafikun e drogës, ndërsa veriu u shndërrua në një parajsë për grupet kriminale dhe të shumëkërkuar serbë.

Në korrik të 2011, Qeveria e Kosovës ndërmerr aksionin e parë për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare. Gjatë aksionit mbeti i vrarë efektivi i forcave speciale, Enver Zymberi. Serbët vendosën barrikada dhe dogjën sërish dy pikat kufitare.

Barrikadat qëndruan për muaj me radhë, deri në qershor të 2012-s, kur KFOR-it nisi disa operacione për heqjen e tyre. Aksioni i KFOR u prit me protesta dhe përleshje me serbët. Tre qytetarë serbë dhe një ushtar i KFOR-t mbetën të plagosur.

Kosova mori pjesërisht kontrollin e pikave doganore, me kushtin që punonjësit në to të ishin pjesë e misioneve ndërkombëtare, jo shqiptarë. Situata përshkallëzohet sërish në shtator të 2013-s, kur vritet në Zveçan një doganier lituanez i EULEX. Ai u ekzekutua gjatë kohës që po shkonte në vendin e punës në Jarinjë.

Në janar të 2017-s Serbia u përpoq që të fuste në Koksovë trenin me mbishkrime e parrulla nacionaliste. Mes mbishkrimeve ishte edhe “Kosova është Serbi”. Treni parashikohej të hynte nga Rashka për në veri të Kosovës. Autoritetet kosovare u vunë në gatishmëri dhe forcat speciale ROSU u vendosën në pikën kufitare. Treni nuk u lejua të hyjë.

Një muaj më vonë, në shkurt të 2017-s, komuna veriore me shumicë serbe e Mitrovicës ngriti një mur në urën e Ibrit. Muri qe jetëshkurtër. Autoritetet e Qeverisë së Kosovës e rrëzuan atë pak ditë më vonë.

Tensionet kulmuan në mars të 2018-s, kur Kosova sapo kishte festuar dekadën e parë si shteti i pavarur. Në këto ditë, kreu në atë kohë i të ashtuquajturës zyra e Kosovës në Qeverinë serbe, Marko Gjuriç sfidoi vendimin e Prishtinës dhe hyri ilegalisht në veri të vendit.

Një aksion i gjerë dhe i beftë i forcave të Kosovës, ku u angazhua kryesisht reparti special ROSU çoi në arrestimin dhe më pas dëbimin e tij për në Serbi.

Në maj të 2019-s policia e Kosovës ndërmori një aksion antikontrabandë, ku arrestoi një shtetas rus të UNMIK-ut, që fillimisht e akuzoi se kishte penguar një operacion antikontrabandë në veri të vendit, ndërsa më pas u tha se ishte punonjës i shërbimeve inteligjente ruse.

Në shtator të 2021, Kosova vendosi që të zbatojë për herë të parë reciprocitetin e targave me Serbinë. Serbët u çuan sërish në protestë dhe bllokuan sërish rrugët me kamionë e barrikada të tjera me inerte. Forcat speciale të Kosovës u zhvendosën në këtë zonë, ndërsa Serbia afroi tanket në kufi, ngriti avionët e helikopterët si formë presioni.

Pas ditësh të tëra ngërçi e tensionesh, situata u qetësua edhe me presionin e fortë ndërkombëtar që i kërkoi Kosovës të tërhiqej nga kjo masë për një moment të dytë. Momenti i dytë, sipas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit duhej të ishte dita e sotme, por sërish pas protestave të serbëve dhe ndërhyrjes ndërkombëtare u shty për në shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë