Ne rrjet

Putin urdhëron stërvitje taktike të armëve bërthamore pas ‘kërcënimeve perëndimore’

Gazeta Si - Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes të kryejë stërvitje për të testuar përdorimin e armëve taktike bërthamore.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Ria Novosti”, duke cituar burime të mbrojtjes.

Stërvitja që përfshin trupa të pozicionuara pranë kufirit me Ukrainën, specifikon ministria, "ka për qëllim ruajtjen e gatishmërisë së ushtrisë dhe pajisjeve për përdorimin luftarak të armëve bërthamore taktike në mënyrë që të garantojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Federatës Ruse në përgjigje ndaj deklaratave provokuese dhe kërcënimeve të zyrtarëve perëndimorë”.

Ndërkohë, Rusia sulmoi rajonin Sumi të Ukrainës me dronë dhe artileri gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës dhe administrata ushtarake e rajonit verilindor. Rajoni u granatua tetë herë, shkroi administrata në Telegram, duke shtuar se nuk ka raporte për viktima.

Forcat Ajrore thanë se kanë rrëzuar 12 nga 13 dronët e nisur nga Rusia në drejtim të infrastrukturës energjetike në Sumi.

Administrata rajonale tha se furnizimi me energji elektrike është ndërprerë përkohësisht në rajonet Sumi, Romni dhe Okhtirka.

Më 17 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Ukrainës, Ihor Klymenko, ka thënë se që nga fillimi i vitit 2024, “trupat ruse kanë granatuar rajonin e Sumit më shumë se katër mijë herë”.

Për më tepër, ushtria ukrainase raporton vazhdimisht për zbulimin e grupeve të sabotimit dhe të inteligjencës ruse në rajonin Sumi. Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë