Libra

‘Nesër dhe përgjithmonë’ i Ermal Metës vjen në shqip, Arlinda Dudaj: Pse ua sugjeroj të rinjve

Nga Gazeta Si - “Në fund, unë shfajësoj të gjithë personazhet e mi, madje edhe më mizorët. Historia është një lumë në përmbytje, ndodh që dikush për të shpëtuar veten e lë të mbytet dikë tjetër. A do ta quajmë atë një vrasës? Jo, është thjesht një qenie njerëzore që nuk kishte zgjidhje tjetër”. Kështu do të shprehej kantautori Ermal Meta për romanin e tij të parë “Nesër dhe përgjithmonë”.

Në librin e tij Ermal Meta bën një guidë në vitet e diktaturës rreth Tiranës, burgut të Spaçit, goja e ferrit, ku u torturuan dhe u vranë qindra disidentë shqiptarë, njerëz fantazmë të “riedukuar” nga regjimi i Enver Hoxhës. Nuk kishte asgjë çfarë mbetej nga jeta e të burgosurve të zvarritur nën sytë e hekurt të statujës së tij, Diktatorit.

Ermal Meta në një dhomë në burgun-minierën e Spaçit, ku është vendosur një pjesë e librit: këtu u torturuan dhe u vranë qindra njerëz me vullnetin e diktatorit Enver Hoxha

“Nesër dhe përgjithmonë” që u botua fillimisht në Itali nga shtëpia botuese “La Nave di Teseo”, ka ardhur tashmë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Botuesja Arlinda Dudaj thotë për Gazetën “Si” se libri vjen në shqip nën përkthimin e Agim Doksanit.

“Ai ia ka dalë më së miri ta bëjë të flasë shqip një histori kaq shumë shqiptare”.

Romani ka në qendër protagonistin Kajan, një djalë i lindur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe duket se është një udhëtim i çmendur drejt ekzistencës së një personi, i cili e gjeti veten mes gjërave që nuk i imagjinonte kurrë t’i jetonte.

Romani "Nesër e përgjithmonë"

Libri do të promovohet më 26 tetor në ambientet e sallës “Tonin Harapi” te Liceu Artistik, ku i pranishëm do të jetë dhe vetë Ermal Meta tanimë nën “petkun” e shkrimtarit.

Më pas, këngëtari do të kthehet në vendlindjen e tij, në Fier në 27 tetor në Teatrin e Bylisit e për ta mbyllur këtë tur 3 ditor me Shkodrën te “Arka”.

Mediat italiane e kanë cilësuar këtë libër më së shumti formues, ku Ermal Meta rrëfen historinë e Kajanit, që rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX, një shpirt i ndjeshëm i katapultuar në botë të largëta.

Jemi në vitin 1943, Kajan jeton në një fermë me familjen e tij dhe gjyshin Betim në fshatin shqiptar. Prindërit e tij janë partizanë dhe janë në male duke luftuar kundër nazistëve. Ekzistenca e Kajanit rrjedh disi larg mizorive të luftës, derisa një ditë një dezertor gjerman i quajtur Cornelius troket në derën e tyre, duke kërkuar strehim.

Ushtari është një pianist i aftë dhe Kajan i vogël vendos të shfrytëzojë rastin për të mësuar. Ai tregon se është një student i disiplinuar dhe i talentuar dhe zhvillon një marrëdhënie dashurie të brendshme me ushtarin. Pak para dorëzimit të gjermanëve, një trupë naziste pushton fermën. Të tre dëgjojnë të shtënat, të fshehura në një derë kurthi të nëndheshme.

Tensioni rritet derisa gjermanët zbulojnë vendin e fshehjes: pikërisht aty Kornelius del pa hezitim dhe edhe një herë, duke vrarë bashkatdhetarët e tij, i shpëton jetën Kajanit.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Kajan është një profesor i nderuar i muzikës. Ai do të dashurohet me një nga studentet e tij, Elizabeta. Por ka një problem, Elizabeta është vajza e një tradhtari. Një luftë e re do të fillojë për Kajan.

Ndonëse bëhet fjalë për një histori në vitet e largëta të komunizmit, për botuesen Dudaj ky libër i shërben gjithkujt, por më së shumti ajo ua sugjeron të rinjve për t’u njohur me të shkuarën.

“Ky libër na shërben absolutisht të gjithëve, por sidomos do t’ia sugjeroja brezit të ri që dinë kaq pak për historinë tonë nën komunizëm, për të shkuarën e largët antifashiste, por edhe sepse Ermali ka gjetur mjete shumë të vyera që t’i jep letërsia për të depërtuar thellë që nga historia vetë duke ndërfutur shumë suspancë e deri te personazhe shumëngjyrësh që ka arritur të krijojë e që ta bëjnë librin të domosdoshëm për t’i shkuar drejt fundit”, shprehet Dudaj për Gazetën “Si”.

Sipas saj, ky roman është lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë, pasi gjuha e përdorur është e thjeshtë, por nga ana tjetër e fuqishme dhe depërtuese.

“Ka shumë elementë të njohur dhe histori shumë përfaqësuese brenda këtij libri që e bëjnë të aksesueshëm nga të gjithë. Është një libër që na bashkon të tërëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë