Libra

Nëntë muaj pas sulmit, Salman Rushdie paralajmëron se shprehja e lirë është nën kërcënim

Nga Gazeta Si - Nëntë muaj pasi u godit me thikë, autori i njohur Salman Rushdie në një fjalim të rrallë publik ka paralajmëruar se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënim.

Rushdie, 75 vjeç, dha video-mesazhin në British Book Awards të hënën, ku iu dha çmimi “Freedom to Publish”.

Sulmi në një festival letrar në Nju Jork e la atë të verbër në njërin sy.

Rushdie është më i njohur për romanin e tij të vitit 1988 “Vargjet Satanike”.

Libri, të cilin disa myslimanë e kanë cilësuar si blasfemi, u ndalua në disa vende brenda disa muajsh nga botimi i tij dhe ndezi protesta në libraritë në mbarë botën.

Udhëheqësi i Iranit bëri thirrje gjithashtu për vrasjen e zotit Rushdie në 1989 dhe vendosi një shpërblim prej 3 milion dollarësh (2.4 milion £) për kokën e autorit.

Ndërsa pranoi çmimin e tij, Rushdie tha se beson se liria e shprehjes në Perëndim është në një pikë kritike.

“Tani jam ulur këtu në SHBA, më duhet të shikoj sulmin e jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët në shkolla”, tha ai. “Sulmi ndaj idesë së vetë bibliotekave. Është jashtëzakonisht alarmante, dhe ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për të dhe të luftojmë kundër saj shumë ashpër”.

Autori fitues i çmimeve kritikoi gjithashtu rishkrimin e librave të vjetër në kohët moderne për të hequr gjuhën e konsideruar fyese, duke thënë se librat duhet “të na vijnë nga koha e tyre dhe të jenë të kohës së tyre”.

“Dhe nëse është e vështirë për t’u marrë, mos e lexoni, lexoni një libër tjetër”, tha ai.

Ai u shfaq me syze dielli me një lente të lyer që mbulonte syrin e lënduar dhe dukej më i dobët se zakonisht.

Para se të sulmohej në skenë në Nju Jork, Rushdie ishte gati të mbante një fjalim për mënyrën sesi SHBA ka shërbyer si një parajsë për shkrimtarët e mërguar nën kërcënimin e ndjekjes penale.

Shkrimtari britaniko-amerikan me origjinë indiane u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pasi u botua “Vargjet Satanike”.

British Book Awards e vlerësoi Rushdie me çmimin e tyre “Freedom to Publish”, i cili “pranon vendosmërinë e autorëve, botuesve dhe librashitësve që mbajnë qëndrim kundër intolerancës, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballen”. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë