Njerez

Nënë Tereza, humanistja që jeton ende

“Unë mund të bëj gjëra që ju nuk mundeni, ju mund të bëni gjëra që unë nuk mundem, së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha”, kështu do të shprehej simboli shqiptar dhe botëror i humanizmit, shenjtorja Nënë Tereza.
Nënë Tereza e Kalkutës, shenjtorja shqiptare, me veprat e saj të panumërta të bamirësisë dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe përkujdesjes arriti të pushtojë botën dhe të fitojë Çmimin Nobel për Paqen. Dita e sotme (26 gusht) përkon me ditën e lindjes së humanistes botërore, ku shënohet 109-vjetori i lindjes së saj.
Gruaja me një fizik shumë të vogël, por me zemër tepër të madhe që pushtoi tërë botën lindi më 26 gusht 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Gonxhe Bojaxhiu, e lindur dhe e rritur në një familje thellësisht katolike iu afrua baballarëve misionarë jezuitë në famullinë e Krishtit Mbret në Shkup, Maqedoni, si një vajzë e re, një përvojë që e çoi atë të bëhej murgeshë dhe misionare sapo të mbushte 18 vjeç.
Pasi u dërgua në Indi si mësuese, ajo kuptoi se misioni i saj i vërtetë ishte në Kalkuta, mision i cili filloi në 1948-n, ku lëvizi përgjithmonë për të ndihmuar fëmijët, për të trajtuar vdekjen dhe për të mirëpritur “të vegjlit”.
Ndërkohë, pas Luftës së Dytë Botërore, ajo kuptoi se duhej të linte manastirin dhe të ndihmonte të varfrit, duke jetuar në mesin e tyre.
Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë gra iu bashkuan misionit të saj, aq sa në vitin 1950 ajo themeloi ‘Misionarët e Bamirësisë’. Gjithmonë vihej në pah mirësia e saj, pasi jo rastësisht fiton Cmimin Nobel për Paqen më 1979. Me rastin e dhënies së Çmimit Nobel për Paqen, shenjtorja me një buzëqeshje të ëmbël dha edhe një mesazh kundër abortit dhe në favor të jetës. Dhe sigurisht që thënia e saj mori famë dhe i reziston ende kohës: “Nëse një nënë mund të vrasë fëmijën e saj, kush i ndalon njerëzit të vrasin njëri-tjetrin?”.

Nënë Tereza merr Çmimin Nobel për Paqen

Nënë Tereza e Kalkutës, ende një shembull i bamirësisë
Nënë Tereza nga Kalkuta ende konsiderohet një shembull i bamirësisë dhe njerëzimit, edhe pse kanë kaluar gati 22 vjet nga vdekja e saj.
Për të nderuar jetën dhe veprën e humanistes së madhe shqiptare, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, organizon një sërë aktivitetesh, duke filluar me vendosjen e kurorave para pllakës përkujtimore ku gjendej shtëpia e Nënë Terezës në Sheshin e qytetit; e ndërkohë në sallën e Institutit do të promovohet librat e autorit Anton Nikë Berisha: “Nëna Tereza në shtatë shpalime”.
Edhe në vitin 2010, në njëqindvjetorin e lindjes së saj, qeveria indiane krijoi një monedhë festive ‘5 rupi’, e njëjta e përdorur nga misionarja kur ajo filloi të punojë në lagjen e lagjes ‘Motijhil’. Ndërkohë, mbi varrin e saj të bardhë është shkruar një varg i marrë nga Ungjilli, i cili thotë: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç unë ju kam dashur”.
Nënë Tereza vazhdon të jetojë mes nesh përmes frazave, thënieve, aforizmave që na çojnë drejt dashurisë absolute. E gjithë jeta dhe vepra e saj ofrojnë dëshmi për gëzimin që sjell dashuria dhe vlerën e gjërave të vogla të bëra me shumë dashuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë