Njerez

Tiranë/ Në një urban udhëtojnë bashkë… ti, virusi dhe arroganca

Ora nuk ka shkuar ende 7 e 15 e mëngjesit dhe autobusi i linjës së Kristalit që të shpie deri në Allias nuk duket ende.

Përpara pandemisë kjo linjë qarkullonte çdo 10-15 minuta edhe pse me kushte mizetrabël; pa ventilim dhe pa kondicioner. Tanimë kur shumëçka është përmbysur ose ka ndryshuar, kjo linjë dhe të tjerat qarkullojnë çdo 30 minuta, pa marrë parasysh marzhin e vonesës subjektive.

Një zonjë aty pari më thotë se “sot po vonohet dhe unë duhet të jemë në punë. Po këta kështu e kanë zanat, tani kanë gjetur justifikimin e pandemisë”.

Një zotëri që edhe ai po vërtitet rreth vetes se akrepat çuditërisht kur pret nuk lëvizin hiç, po bëhet vonë për punë, më thotë se transporti i është kthyer një hall i madh më vete.

Ora kalon e një çerekën dhe turiri i autobusit shquhet që çan rrugën ngadalë si breshkë në të majtën tonë.

“Ja kështu ecin për qejf, nuk duan tia dinë që ne jemi vonë për punë, lëre rregullat që nuk i zbatojnë”- përpiqet zotëria të shtyjë përpara bisedën derisa secili të ulet në sediljen e vetë pasi autobusi të ketë prekur stacionin.

Teksa përpara muajit mars, kur u shpall COVID-19 si pandemi globale, veprimi që karakterizonte njerëzit ndërsa prisnin në stacion autobusi, ishte hapja e çantës, çelja e portofolit për të nxjerrë monedhat që do të paguhej bileta, tanimë është shtuar edhe një veprim tjetër mekanik, i bezdisshëm, ku e toleron veten të bësh edhe hile, fundja në vullnetin tënd e kanë lënë; vendosja e maskës, që përpara se të mbërrijë autobusi çalë-çalë në stacion e ke patur të strukur në çantë mes shumë sendurinash, në bërryl, apo thjesht në dorë që të mos të të hante kohë në turravravrapin e ngjitjes në autobus nën presionin e kohës.

Për hir të së vërtetës, perceptimi im për mëngjesin e sotëm, duke marrë parasysh që ishte edhe dita e parë e shkollës për arsimin parauniversitar, ishte se Tirana do të ishte e zhurmshme dhe do të kishte dyndje, veçanërisht në urbanët e të gjitha linjave, teksa të gjithë i janë rikthyer punës pas pushimeve.

Në stacion nuk kishte më shumë se 10 veta, këtë do ta vëreja mandej edhe në stacionet e Unazës dhe Tiranës së Re me linjat e të cilëve kreva gjysma udhësh për të kuptuar nëse zbatohej apo jo protokolli anti-COVID-19.

Në autobusë nuk kishte mbipopullim siç ndodhte në kohën para pandemisë, por kjo nuk do të thotë që ti ishe e qetë sepse ishe e mbrojtur nga respektimi i masave.

Autobusi vetë nuk dispononte dezinfektant, as maska shtesë për pasagjerët nëse ndonjë syresh nuk do të kishte një të tillë, vetë njërëzit, që sipas marrëveshjes së bashkisë me kompanitë e linjave, respektimi i masave do të mbetej në ndërgjegjen e qytetarëve, tingëllonin fare pa ndërgjegje me maskat poshtë hundës, në qafë, në bërryl, pa maska fare.

Në çdo stacion hipnin pasagjerë të rinjë dhe zbrisnin syresh të tjerë e autobusi sa vinte e mbushej duke qenë e pamundur të respektohej kapacitetieti i lejuar 70%  që të pengon të ulesh dy veta ngjitur.

Në stacionin e radhës tabloja ndryshon; sediljet mbushen të gjitha, ka njerëz më këmbë ngjitur me njëri-tjetrin dhe dikush që kollitet pas teje, ti instiktivisht me dorë ngjesh maskën pas hundës dhe gojës sikur koronavirusi të jetë petale trëndafili dhe nuk mund të depërtojë poret e maskës 60 lekëshe që ke blerë në farmacinë e parë të lagjes.

“Zonjë a e dini që nuk lejohet të ulesh ngjitur me dikë tjetër në autobus? Mbi të gjitha jeni edhe pa maskë”- iu drejtova një zonje të kujdesur mirë për lukun e saj zyrtar, që me siguri dhe ajo në botën e saj ishte nën presion të kohës për në punë duke mezipritur ta hiqte qafe edhe atë ditë për të pritur fundmuajin apo fillimmuajin tjetër për atë rrogë të mallkuar a bekuar që të shlyente detyrimet dhe kënaqësitë e familjes.

Iu drejtova edhe fatorinos për tiu kërkuar pasagjerëve të respektonin rregullat, të paktën për veten time nuk doja njeri të ulej në sediljen ngjitur me mua, fundja po kujdesesha për shëndetin tim, po respektoja disa masa jo vetëm kombëtare, por tashmë globale sërish në të mirë të shëndetit tim dhe atij të përbashkëtit dhe po kryeja detyrën si gazetare sepse nëse nuk do të zbatoja unë ato rregulla, për çfarë do të shkruaja vallë?

Fatorinoja, profili tipik i njeriut që nuk ka asgjë në  dorë, por që e vesh veten me pushtetin që do të donte të kishte vuri në punë motorrin e arrogancës që prej kohësh e njohim mirë “lejohet të ulesh edhe kështu, fundja nuk më bëhet vonë fare”- mu përgjigj fatorinoja me tërsëllime dhe maskën e zezë të ulur deri në gushë.

Në vrik e sipër, zonja bri meje, hapi çantën dhe nxorri maskën e zezë e duke iu ngatërruar veprimet me mendimet pa menduar u ngrit vetëtimthi në sediljen përpara pasi në stacionin e radhës dy pasagjerë zbritën.

E njëjta gjë edhe në linjën e unazës dhe Tiranën e Re. Pako njerëz presin në stacion, nuk ka dyndje, por problematikat e thekshme janë reduktimi i orareve, teksa njerëzit nuk përfitojnë shërbimin kur ju nevojitet dhe mosrespektimi I protokollit anti-Covid-19.

“Shkoj në punë në Porçelan. Ora është 7 e 30, unë duhet të jemë në 8:00, ai po vjen për shtatë palë qejfe. Kështu çdo ditë të lume. Mendova se do ndryshonte diçka në shtator me fillimin e shkollave, por hiç”- më thotë një zonjë rreth të 60-ve.

Edhe autobusi unazës derisa mbërrin tek stacioni përballë ish ekspozitës, i duhet të pushojë disa herë si një pleqëri e lodhur.

Autobusi është firzamonikë, me kapacitet të bollshëm, por edhe aty tabloja laramane. Asnjë respektim rigorozosh masash përkujdesjeje ndaj shëndetit.

Gjithçka e lënë në ndërgjegjen e nevojtarëve në një sektor me propabilitet shumë të lart për tu infektuar nga COVID-19 ku grumbullimi i më shumë se dy personave është i pashmangshëm.

“Nuk dua ta vendos maskën, pse ty do të të pyes?! Prandaj nuk lihet në ndërgjegje, por duhet dikush ta kontrollojë”- më gjegjet një djalë i ri.

Kur nuk ka dyndje në stacion, si e kanë zgjidhur qytetarët transportin në Tiranë?

Duke mosvërejtur atë dyndje të para pandemisë dhe nevojën e pashmangshme të transportit publik, due marrë parasysh që jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për përdorimin e autobusëve, u përpoqa të gjeja një përgjigjje se si e kanë zgjidhur qytetarët transportin.

Kompanitë e taksive në kryeqytet thonë se po punojnë normalisht, fluksi i punës së tyre është ai i para pandemisë.

“Puna na u rrit vetëm kur transporti publik ishte i bllokuar”- tregon Gëzimi nga një kompani taksishë në kryeqytet.

Kurse Agimi më thotë se ka klientë të cilët janë në punë në institucione shtetërore dhe private të cilët e pajtojnë çdo muaj që kur kanë rinisur punën “sepse nga njëra anë kanë frikë dhe nga ana tjetër transporti publik ka probleme me oraret dhe nuk mbërrin asnjëherë në kohën e duhur”.

Kurse Rixhin Qoshja i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban thotë se për shtatorin janë shtuar autobusët dhe kapaciteti ka mbërritur nga 30-50% për shtatorin.

Por qytetarët nevojtarë që I kanë oraret të përcaktuara për në destinacionin ku janë nisur nuk vënë re asnjë përmirësim në shpeshtinë e mundshme të orareve.

Por përderisa nuk ka asnjë anketim, sondazh apo studim të këtyre llojeve në vend, gjykimi mbetet tek perceptimi. Njerëzit e kanë zgjidhur transportin në mënyra alternative sipas mundësive dhe rrethanave të tyre.

Kompanitë 35 mln lekë humbje për korrikun. Çfarë po ndodh mes tyre dhe bashkisë e qeverisë?

Nga njëra anë kemi një marrëveshje mes 12 Shoqërive të Licensuara të Transportit Urban në kryeqytet dhe Bashkisë Tiranë ku protokolli i Sigurisë është në ndërgjegjen e qytetarvëe, nga ana tjetër kemi dëshmitë e shoqërive të transportit që nuk po ia dalin dot financiarisht dhe do të shkojnë drejt falimentimit teksa Qeveria sipas tyre është indiferente dhe nuk ka asnjë “shenjë që po përpiqet për ne”.

Rixhin Qoshja, Transporti Urban

“Kemi bërë disa takime me bashkinë, por asnjë zgjidhje. Drejtoria e Përgjidhshme e Transportit Rrugor na fali taksat vjetore dhe loboi për rrogën e qershorit, që ka ngecur tek tatimet të cilat nuk e kanë disbursuar ende. Kaq. Termat financiar ku konsistojnë kërkesat tona janë në dorë të qeverisë dhe ajo nuk po e vë ujin në zjarr. Nga evidencat që ne dorëzojmë çdo muaj në bashki rezulton se humbjet për korrikun janë 35 mln lekë të reja. Humbjet do të vijnë duke u thelluar. Në shtator u hodhën në qarkullim edhe abonetë, që do të thotë më shumë njerëz, më pak të ardhura, më shumë humbje”- shpjegon Rixhin Qoshja.

Sipas tij situata e transportit publik është dëshpëruese pasi siç e shpjegon ai “nga njëra anë është paniku I COVID-19 dhe protokolli në transport është në ndërgjegjen e qytetarëve, por që deri tani edhe pse janë gjetur shkelje nga bashkia dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk janë vendosur gjoba, nga ana tjetër janë humbjet tona dhe asnjë shpresë për zgjidhje.”

Kjo gjëndje është paralajmëruar prej nesh, shpjegon Qoshja, para së të rifillonim shërbimin me kërcënime . Përveç falimentimit dhe mbylljes sërish të shërbimit, e vetmja zgjidhje është kjo që bëhet sot, sipas tij.

“Mbetet në ndërgjegjen e gjithësecilit prej nesh për të përdorur shërbimin e transportit aq sa mund të jetë i pranueshëm për të mbrojtur shëndetin. Është e kotë që bëjmë video duke qëndruar brenda në autobus. Kjo nuk është zgjidhja e problemit... Unë e kam thënë se jemi gati të angazhojmë edhe 20% të flotës rezervë për të bërë të mundur uljen e ngarkesës së pasagjerëve, por kjo nuk mund të bëhet me frymën e shenjtë. Ky premtim realizohet nëse plotësohen kërkesat financiare që ia kemi bërë të ditur qeverisë muaj përpara. Për sa kohë asnjë nga politikëbërësit nuk e kanë në plan të bëjnë minimumin e tyre për transportin publik, ato që do të vuajnë janë përdoruesit e shërbimit, punonjësit dhe vetë operatorët. Duke parë reagimin e shtetit për këtë shërbim, unë uroj që të vazhdoi të paktën në këtë mënyrë, pasi pa shërbim fare nuk do të ishte aspak mirë për të gjithë. Por nëse vazhdon kështu dhe humbjet rriten, falimentimi është përgjigjja”-thotë Qoshja.

Kurse Bashkisë Tiranë i duhet kohë ti përgjigjet gazetës “Si” për një problem jo të ri, por që zien që prej 7 muajsh.

“Por s’mund te le gjithçka dhe të jap përgjigje menjëherë për ju”- përgjigjet bashkia.

Teksa presim përgjigjen e bashkisë, historia ka treguar që faji fatin e ka të qenit jetim, por në një kohë pandemie globale, ku në një pjesë të mirë të shteteve numri i infektimeve të reja është rikthyer me rritje çdo ditë dhe në Shqipëri trendi i rasteve është rritës dhe vdekjet të jenë prezent, nuk duhet lënë zbatimi i masave në ndërgjegjen e njerëzve të një shoqërie të varfër dhe nevojtare duke rrezikuar deri në palcë shëndetin përgjatë një shërbimi të domosdoshëm dhe me risk të lartë për tu infektuar në një luftë pa vullnet zgjidhjeje mes institucionesh dhe bzinesesh ku qytetarët dhe punojësit janë viktimat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë