Ne rrjet

Rekord rastesh të reja, OBSH: Tetori dhe nëntori, muaj të vështirë për Europën

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur sot alarmin për një rekord të ri rastesh të reja me koronavirus, duke raportuar se 307.930 persona ishin infektuar me Covid-19 në 24 orë.

OBSH raporton po ashtu se u shënuan 5500 vdekje në 24 orë, duke e çuar totalin e viktimave nga pandemia mbi 817 mijë. Rritja më e lartë  e rasteve raportohet në 3 vende, India, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.

Një nga zyrtarët më të lartë të OBSH-së, Hans Kluge, paralajmëroi nga ana tjetër se Europa me shumë gjasë do të ketë rritje të viktimave ditore gjatë muajve tetor dhe nëntor.

 “Situata do të bëhet edhe më e vështirë. Në muajt tetor dhe nëntor do të shohim një nivel më të lartë vdekshmërie”, deklaroi Hans Kluge, drejtor i OBSH për Europën. Eksperti i OBSH u drejtoi gjithashtu një mesazh atyre që mendojnë se fundi i pandemisë do të vijë me krijimin e vaksinës. “Është e sigurt që jo”, tha Kluge sipas të cilit nuk ka siguri nëse vaksina do të jetë efikase për të gjithë popullsinë.

Rastet me koronavirus po rriten me ritme alarmante në shtetet europiane gjatë javëve të fundit. Franca dhe Spanja po raportojnë shifrat më të larta, e të dyja i kaluan 10 mijë rastet ditën e shtunë. Megjithatë në 24 orët e fundit, Franca raportoi rreth 7 mijë raste, duke shënuar rënie krahasuar me një ditë më herët.

Numri i të infektuarve me COVID-19 në të gjithë botën ka arritur në rreth 29 milion. Shtetet e Bashkuara mbeten vendi me më shumë infeksione, më tepër se 6.4 milion raste.

India ia ka kaluar Brazilit, duke zënë vendin e dytë me 4.7 milion. Infeksionet në shtetin më të madh të Indisë, Maharashtra, që përfshin kryeqytetin financiar të vendit, Mumbai, arritën në 1 milion, duke frenuar përpjekjet e vendit për të ringjallur ekonominë. Brazili ka 4.3 milion raste.

Ndërkohë, një artikull në revistën New England Journal of Medicine arrin në përfundimin se përdorimi i maskës nga të gjithë "mund të ndihmojë në zvogëlimin e fuqisë së sëmundjes dhe të bëjë që një pjesë më e madhe e infektimeve të reja të jenë pa simptoma".

Nëse ky përfundim është i saktë, thuhet në artikull, përdorimi i maskës mund të shërbejë si një formë vaksinimi "që do të sillte imunitet dhe në këtë mënyrë do të ngadalësonte përhapjen e virusit", ndërkohë që bota është në pritje të një vaksine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë