Vende dhe Udhetime

Në Malësinë e Prishtinës, aty ku zana e malit të ndëshkon nëse sillesh keq

Nga Megi Iskurti - Fill sapo i largohesh qytetit të Prishtinës dhe merr rrugën drejt Grashticës që të shpie në Malësinë e Gollakut, vëren rrallimin e shtëpive që shfaqen tek-tuk të shpërndara nëpër kodra të buta, katunde të zbrazët, në distancë nga njëri-tjetri, ku gjithësecili ka diçka të re për të treguar.

Gollaku është një trevë malore në veri dhe lindje të Prishtinës, e shtirë midis lumit Batllava dhe Krivareka,ajo vazhdon drejt Serbisë Jugore duke përfshirë edhe Medvegjën me disa rrethina.
Nëse pyet për këto fshatra, mikpritja është fjala kyçe, emëruesi i përbashkët që sfumon të gjithë kujtimet e trishta të luftës që kjo trevë evokon nga e kaluara.

“Fshatrat e Gollakut, ose siç njihet ndryshe Gallapi, shquhen për mikpritjen e tyre karakteristike. Edhe pse në këto fshatra kanë ndodhur krime të tmerrshme lufte të përmasave të mëdha thuajse në çdo shtëpi, mikpritja dhe thjeshtësia e banorëve u bën aq përshtypje vizitorëve, sa të gjithë fokusohen aty.”-tregon Rrahman Vllasaliu për Gazetasi.al, e thërrasin bacë dhe është diku tek të tetëdhjetat.

“Në këto anë thuhet se ekziston një zanë mali e cila i ndëshkon fshatarët saherë që ata sillen keq. Duke qenë se për ne infrastruktura është shumë e rëndësishme për të komunikuar fshat me fshat, zana thuhet se shpesh ka shkaktuar rrëshqitje të rrugës kryesore.

Kanë ardhur edhe ekspertë të sigurisë rrugore të cilët nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim tjetër rrëshqitjes së herëpashershme të rrugës. Kështuqë ne dalim sërish tek fjala e të moshuarve dhe e besojmë gojëdhënën. Prandaj të gjithë banorët sillen mirë”-shton ai me një gjysmë buzëqeshje të trishtë në fytyrë.
Në fakt, në dyert e pakta që kanë mbetur hapur në këto fshatra, banorët të tregojnë gojëdhëna nga më të ndryshmet, dhe ti mund të vëresh lehtësisht se sa shumë janë të ngërthyer ata pas tyre, duke i përdorur edhe si shpjegim për shumë shkaqe natyrore.

Rruga kryesore përkedhelet mes pamjeve të shumta piktoreske ku gjithë çfarë të sheh syri janë hapësira të gjelbërta e të pamata që të çojnë në një destinacion, fshatin Marec.
Mareci është fshati më i madh jo vetëm i Malësisë së Gollakut por i gjithë Republikës së Kosovës. I shtrirë në 112 km2, rreth 30 km larg Prishtinës, çdo metër i hapësirës së tij gëlon gjurmë të lashta mistike dhe historike.
“Banorët e këtij fshati kanë komunikuar me zjarr dhe me tym deri vonë për shkak të madhësisë territoriale. Shumë prej tyre nuk janë njohur kurrë me njëri-tjetrin, gjë që është e veçantë në Kosovë pasi ne dallohemi për afërsinë farefisnore.
Një tjetër specifikë është moslejimi i martesave brenda fshatit edhe pse ai është më i madhi. Kjo për arsye se kur diskutohet për gjenezën e Marecit, legjenda e themelimit të këtij vendbanimi sqaron se Mara kishte qenë një grua e ve, me katër djem që vinte nga Korça e Shqipërisë, e fisit Krasniqi.

Lagjet e Marecit e morën emërtimin sipas djemve të saj që u vendosën në fise të ndryshme të fshatit.
Duke qenë se shumë fise kishin ardhur nga këta vëllezër, pleqtë tregojnë se të rinjtë nuk kishin të drejtë të martoheshin brenda Marecit.”-tregon për Gazetasi.al A.Vitia, një banor i fshatit i cili sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe po punonte për të ngritur biznesin e tij, atje në një ndër pikat më të larta të Marecit.
Shpërnguljet e banorëve kanë nisur që nga vitet 70' ndërsa tani kanë mbetur vetëm dhjetra shtëpi.


Shtëpi e braktisur në fshatin Marec, gazeta “SI”

Në rikthimet e shpeshta sidomos gjatë stinës së pranverës dhe verës, ata merren më bujqësi, blegtori e sidomos me bletari.
“Marecin ia vlen ta vizitosh dhe për shkak të një elementi tjetër, kalaja e Artanës, fortifikata e ish-qytetit më të madh në rajon.


Kalaja ndodhet ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës dhe përbëhet nga dy pjesë të ashtuquajtura Kalaja e sipërme dhe Kalaja e poshtme. Në këtë kala ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Novobërdës. Ajo ka pasur funksion mbrojtjeje gjatë periudhave të ndryshme. Mirëpo, shpjegimet dhe supozimet teorike për vjetërsinë e kalasë janë endur midis mesjetës dhe antikitetit.”-tregon për Gazetasi.al A.Kllokoqi, një banor që jetonte shumë pranë saj.
Kalaja e Artanës dikur ishte i dyti qytet më i madh pas Londrës, dhe mbetjet arkeologjike të saj, tregojnë shumë për historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar.

Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.
Nëse afrohesh të vizitosh kalanë, të gjithë banorët të tregojnë si element të parë faktin që ky vend ka qenë gjithmonë i pasur me minerale, në të cilin më parë janë gjendur edhe minierat që kanë arritur të prodhojnë deri në 6000kg ar në vit dhe janë përdorur nga raguzët, venedikasit e hebrejtë.
Shumë pranë kalasë, mund të veresh herë pas here grupe turistësh tek vizitojnë tyrben e “Sheh Mehmetit” i cili njihte të rinjtë njëri me tjetrin dhe i martonte.
Sipas gojëdhënave, sot njerëzit që duan të gjejnë fatin e jetës brenda 24 orësh, duhet të shkojnë tek tyrbja dhe të rrotullojnë tjegullat e saj, si ritual.

Tyrbja e "Sheh Mehmetit"

Të paktë janë fshatarët që has rrugës por të shumta janë dëshirat që shprehin për t’u urdhëruar në shtëpi, tek të ftojnë për të ngrënë mjalt bio dhe frutat e mbjella në oborre.

Fshatrat e Gollakut nuk u përngjajnë shumë fshatrave tipikë shqiptarë. Aty beteja e përditshme nuk është as për ujin, as për energjinë elektrike e as për mungesën e rrugëve lidhëse.
Sfida e vetme është ruajtja e traditës. Mikpritjes dhe mistikës, togfjalëshi që të ndërmendet sa herë bëhet fjalë për malësinë e Gollakut…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë