Vende dhe Udhetime

Në Gjeorgji ka një fjalë që nuk përkthehet në asnjë gjuhë tjetër

Nga David Farley- Unë e ngrita gotën time të verës si një boksier i cili sapo ishte shpallur fitues pas 12 raundesh. Rreth meje, 10 njerëz të tjerë gjithashtu ngritën gotat ndërsa burri në krye të tryezës dha një dolli. Kjo nuk ishte dollia e parë e ditës. Nuk ishte as e dyta. Dollia e gjashtëmbëdhjetë? E njëzet? Nuk e di, e kisha humbur numërimin.

Mirësevini në një supra, një festë tradicionale gjeorgjiane. Në Republikën e Gjeorgjisë, këto vakte epike bëhen për raste të veçanta ose, në këtë rast, pa ndonjë arsye të madhe. Unë isha në rajonin malor Racha në pjesën veri-perëndimore të vendit dhe para meje ishte një pjatë e bollshme tipike gjeorgjiane: troftë e zhytur në salcën e arrave, një byrek me fasule me mish që quhej “lobio”, buke e pjekur me djathë, mish qingji, mish pule me një salcë hudhre të quajtur shkmeruli dhe, sipas traditës gjeorgjiane, tre lloje të ndryshme buke. Të gjitha këto në një vakt që zgjat goxha dhe mund ta gjesh në shtëpitë e çdo banori dhe unë e gjeta në shtëpinë e një miku.

Nuk kishte hapësirë ​​të mjaftueshme për sasi të bollshme të ushqimit në tryezën e gjatë, drejtkëndëshe, kështu që gratë e shtëpisë filluan të grumbullonin enët e mbushura me ushqime njëra mbi tjetrën.

Nuk ishte vetëm vera që më bëri të ndihem i trullosur dhe i hutuar. Isha në “gjendje kome të rëndë ushqimore”. Ose, më konkretisht po përjetoja shemomechama, një fjalë gjeorgjiane e papërkthyeshme. Mako Kavtaradze, themelues i “Muzeu i Recetave” tha se, për gjeorgjianët, shemomechama do të thotë kur je i ngopur, por vazhdon të hash, e tepron me ushqimin.

Por më konkretisht, siç tha Meri Gubeladze, kuzhiniere e famshme, shemomechama do të thotë kur nuk keni pasur ndërmend të hani aq shumë, por e keni bërë pavetëdije. Zakonisht është kur diçka shijon aq shumë sa nuk mund t’i rezistoni. Ju ia veni fajin ushqimit e jo atij që e ha dhe kjo ndodh shumë shpesh.

"Unë e dua këtë fjalë," tha Tekuna Gachechiladze, kuzhinier dhe pronar i restorantit të njohur “Tbilisi Culinarium Khasheria”.

Ai tha se nuk e mban mend herën e parë që e ka dëgjuar fjalën “shemomechama” por është diçka që i ndodh shpesh. Zakonisht ndodh kur ha vonë, kur pas një dite të gjatë pune në kuzhinë përfundoj duke ngrënë një supra dhe edhe pse mund të mos jem fare i uritur, unë ha dhe ha derisa në fund ndodh shemomechama.

Fjala shemomechama dhe kuptimi i saj është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me supra pasi në fund të fundit, arritja e shemomechama në një supra është e pashmangshme.

Kjo mund të jetë një arsye e madhe pse kjo fjalë u zhvillua brenda dhe rreth një kulture kulinarie si ajo e Gjeorgjisë.

"Ekziston një ide për ushqimin gjeorgjian që e bën atë të papërmbajtshëm dhe në kontekstin e një feste, kur kaq shumë pjata të ndryshme janë në tryezë, është gjithmonë joshëse të hani vetëm pak më shumë nga sa keni nevojë, sepse vaktet gjithmonë duket se janë si një festë atje” tha Darra Goldstein, një ndër personat që merr pjesë shpesh në vakte të tilla.

Çelësi për të kuptuar shemomechama është se fjala sinjalizon një mungesë qëllimi, është sikur diçka të detyron të hash vetëm pak më shumë, edhe pse nuk e ke qëllim. Thjesht ndodh.

Carla Capalbo, autore e librit “Tasting Georgia” thotë se një nga 'rregullat' kryesore të supres është që pjatat e servirjes të rimbushen vazhdimisht dhe mysafiri të ketë një truzë të mbushur.

Ushqimi dhe pijet shpesh lidhen me identitetin e një kombi, veçanërisht si një mënyrë për të dalluar veten nga të tjerët. Në Gjeorgji, ekziston një lidhje e fuqishme midis ushqimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar.

Por, si mund të kishte lindur një fjalë e tillë nga kjo kulturë ushqimore?

"Përfundimi i vetëm në të cilin mund të arrij është se gjeorgjianëve nuk u pëlqen të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre," tha Gubeladze. Ne shpesh ia hedhim fajin 70 viteve të okupimit Sovjetik, ku shteti po merrte çdo vendim. Por gjithashtu, është më lehtë të fajësosh shemomechama sesa të pranosh se je një person që ha shumë!”

Patjetër që u ndjeva si një derr në kohën që supra kishte mbaruar. Unë dhe miqtë e mi shkuam një shtëpinë e një miku dhe kur arritëm atje, pronari i shtëpisë këmbënguli që të hanim. Në i thamë që nuk mund të hanim më, por ai e kishte vendosur se do të hanim. Mbi të gjitha, në Gjeorgji ata thonë se një "mysafir është një dhuratë nga Zoti".

Dhe kështu, me këtë, ne u ulëm në një tryezë në oborr dhe filluam një festë të re përsëri dhe si duket, shemomechama do të qëndrojë dhe për ca orë të tjera me ne.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë