Teknologji dhe Inovacion

Në 2022-shin u rrit përdorimi i internetit në Shqipëri, kryesisht për e-mail, lajme dhe blerje online

Përdorimi i internetit nga familjet, bizneset e individët ka shënuar rritje gjatë vitit të shkuar sipas raportit të fundit të INSTAT.

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë 2022-shit nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 82.6% e popullsisë, nga të cilët 91.6% e përdorin disa herë gjatë ditës.

99.9% e individëve kanë përdorur aparat celularë / telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Ndërkohë 23.5% e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit, 20.8% nëpërmjet kompjuter / desktop dhe 13.1% nëpërmjet tabletit.

98.5% kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 0.2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Individët e përdorin internetin kryesisht për e-mail e lexim lajmesh online

Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, përfaqësojnë 82.6% të popullsisë në studim.

Ky tregues ka regjistruar rritje rreth 3.3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021. Ndër to, përdoruesit e shpeshtë të internetit përfaqësojnë, 91.6% të individëve (që përdorin internet disa herë gjatë ditës), ndjekur nga ata që e përdorin çdo ditë me 7.0% dhe 1.2% ata që përdorin internetin të paktën një herë në javë.

Aktivitetet që kryhen nëpërmjet internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës të cilat kanë regjistruar rritjet më të larta janë: dërgimi / marrja e email-it (11.4 pikë përqindje), për të lexuar lajme online / gazeta apo revista (11.3 pikë përqindje) si dhe pjesëmarrja në votime online për çështje shoqërore apo politike (rreth 10.3 pikë përqindje).

Rritet aksesi i familjeve në internet

Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96.5%, krahasuar me 88.3% të vitit 2021. 90.3% ose 665.362 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor) tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12 pikë përqindje.

Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.), është 99.2%, krahasuar me 99.1% që ishte në vitin 2021.

Më shumë blerje online, rrobat me peshën më të madhe

Blerjet “online” janë kryer nga 34.7% e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “në 12 muajt e fundit”, nga momenti i kryerjes së intervistës, tregues i cili është rritur prej rreth 13.3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Produktet që zënë peshën më të madhe janë rroba / këpucë / aksesorë me 90.8%, të cilat kanë treguar një rritje nga viti 2021 me 1.9 pikë përqindje. Gjatë vitit të shkuar, rritjen më të lartë e kanë shënuar blerjet online për produkte kozmetike, bukurie dhe mirëqenie me 18.9%.

Internetin po e përdorin dhe të moshuarit

Përdorimi i internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës tek të rinjtë e moshës 25 – 34 vjeç është 96.8 %. Individët e grup-moshës 65 – 74 vjeç, të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin zënë 36.9%, tregues i cili është tkurrur me 14.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021.

Rritet përdorimi i e-qeverisjes

Gjatë vitit të shkuar të gjitha kategoritë për kontaktet elektronike nëpërmjet internetit me autoritetet publike dhe disa shërbime publike, si faqet e internetit në lidhje me detyrimet e qytetarëve (p.sh, deklaratën tatimore, njoftimin për zhvendosje), të drejtat (p.sh përfitimet sociale), dokumentet zyrtare (p.sh letërnjoftim, certifikatë të lindjes), shërbimet arsimore publike etj kanë shënuar rritje.

Rritja më e lartë është shënuar për kategorinë “shkarkimi apo printimi i formularëve zyrtarë” me 37.6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021 ndjekur nga kategoria “marrje informacioni nga faqet ose aplikacionet e internetit” e cila ka shënuar rritje me rreth 19.3 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë