Mjedis

Ndotja e detit, Shqipëria mund të paditet nga Kroacia dhe Italia

“Ne nuk kemi lumenj, kemi mbeturina me pak ujë”. Kështu e përshkruan Sazan Gurit ndotjen e pashembullt të lumenjve dhe deteve në vendin e tonë, e cila duket se ka kaluar sërish kufijtë duke alarmuar vende si Kroacia dhe Sllovenia.

Disa javë më parë, bregu kroat, sidomos Dubrovniku u mbush me pirgje mbeturinash që mbanin etiketa shqiptare. Edhe pse Kroacia po bën tre vite rresht që përballet me një situatë të tillë asnjë nga institucionet shqiptare nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar, duke bërë që paralajmërimet që vijnë nga Zagrebi zyrtar të marrin tone kërcënuese. Deputetët kroatë kanë paralajmëruar të enjten se do ta çojnë çështjen në Komisionin Europian dhe t’i kërkojnë Agjencisë Eurpiane të Mjedisit të marrë masa.

Me më shumë ose më pak jehonë në publik, herë pas here në mediat kroate shfaqen fotografi me grumbuj mbeturinash që lundrojnë në plazhe, breg të detit dhe kryesisht në pjesën e jugut. Këto janë mbeturinat që vijnë kryesisht nga Shqipëria, qe po pret me ankth qershorin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Por si do të ndikojnë këto imazhe në sytë e vendeve anëtare dhe si duhet të trajtohet kjo situatë?

Guri thotë për Gazetën Si se problemi i Shqipërisë nuk është legjislacioni, pasi në vitin 2014 vendi ynë e ka përshtatur legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit me atë të Bashkimit Europian, por zbatimi i tij.

“Nuk ka rëndësi nëse ne nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Sipas rregullave shteti duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për ndotjen e bregdetit kroat”, thotë ai. Në vend që t’ia ngarkojë këtë punë kompanive koncesionare, duhet të mbledhë ekspertë dhe institucione që mund të vënë nën kontroll dhe të ndalojnë ndotjen e lumenjve. Nuk është një mision i pamundur, e kanë bërë edhe vendet fqinjë para nesh. Mjafton që shteti të investojë një sasi të vogël parash në një strategji të qëndrueshme”, thotë ai.

Eksperti shpjegon se mbetjet shqiptare arrijnë në bregun kroat për shkak të dy rrymave të forta që kalojnë në detin Adriatik. Më e keqja sipas Gurit, është se Kroacia nuk është vendi i vetëm që e “ka zënë halli” me mbetjet shqiptare, sepse ato tejmbushin shpesh bregdetin e Malit të Zi, Sllovenisë për të ndaluar në Trieste të Italisë. Ai ngre alarmin se nëse Shqipëria nuk merr masa ka të ngjarë të paditet nga të katërta këto vende në Komision Europian.

“Edhe pse e fundit, Kroacia nuk është vetmja, pasi mbetjet shqiptare kalojnë në bregdetet e disa vendeve të rajonit dhe ndalojnë në Trieste. Nëse nuk bëjmë diçka, situata ka për t’u përkeqësuar edhe më shumë dhe do paditemi jo vetëm nga Kroacia, por edhe nga Mali i Zi, Sllovenia dhe Italia”, thotë ambientalisti.

Fundjavën e kaluar, bashkia e Dubrovnikut ka angazhuar një duzinë punonjësish dhe aktivistësh për të pastruar bregdetin. Sipas deklaratave të zyrtarit Marko Ivekoviq deri më tani janë mbledhur më shumë se 45 metra kub mbeturina. Ai shprehet se është i shqetësuar për bakteret që mund të përmbajnë këto mbetje, duke thënë për mediat se në lumenjtë shqiptarë depozitohen mbetjet nga më të rrezikshmet, deklarata që kanë alarmuar banorët e Kroacisë Jugore.

Sazan Guri

“Për shumë vite qyteti i Dubrovnikut po përballet me një katastrofë ekologjike të shkaktuar nga sasitë e mëdha të mbeturinave që vijnë nga Shqipëria. Ato kanë mbushur portin e Dubrovnikut dhe ishujve kroatë të Korculas, Mljetit, Sipanit, Kolocepit, Lastoves, Visit, Soltas. Pjesa më e madhe e këtyre mbeturinave është plastike” shkruan “Dalmacia News”.

Kroacia e gatshme të ofrojë ndihmë

Edhe pse nuk ka reaguar ende mbi këtë situatë alarmante, në mars të vitit të 2018-ës, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ndodhej në Dubrovnik, ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare. Ai deklaroi në atë kohë se shpresonte që kjo të ishte vetëm faza e parë, projektuese, për të menaxhuar shumë herë më mirë që ujërat e lumenjve të derdhen në det, pasi të pastrohen.

Projekti në fjalë financohet nga qeveria kroate dhe zbatohet nga UNDP dhe ka për qëllim krijimin e një rrjeti të përbashkët për parandalimin dhe reduktimin e rreziqeve të ndotjes së mjedisit detar. Gjithashtu objektiv i tij është edhe menaxhimi i emergjencave e forcimi i kapaciteteve të komuniteteve në Shqipëri për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike shkaktuar nga incidente detare si derdhja e naftës ose substancave të tjera të rrezikshme dhe të dëmshme. Por deri më tani, ky projekt duket se nuk ka dhënë rezultate.

Ekspertë në Kroaci kanë dhënë alarmin se situata është shumë e rëndë, ndërsa bëjnë apel për ndërhyrje të shpejtë. “Kam qarë kur shikoja mbeturina në det dhe në plazhet tona të bukura. Kjo situatë duket se nuk ka fund, kjo është shumë e rëndë, por nëse vazhdon kështu pritet një katastrofë mjedisore” -thotë ambientalisti Antun Poljanić për medit kroate. “Autoritetet tona takohen pa dyshim me përfaqësuesit e vendeve përgjegjëse për ndotjen e Adriatikut, por është e dobët dhe e pamjaftueshme. Ata takohen dhe pastaj thonë “mos e bëni më”, kështu që kjo është metodë e vjetër. Nuk ka asgjë të re! Shqipëria duhet të rimbursojë shpenzimet e të gjitha veprimeve të pastrimit që po ndërmerren. Shqipëria ndot vendin e vet, është e vështirë të mendoj për Kroacinë në një situatë të tillë” – tha ai

Sipas mediave kroate, shumica e mbeturinave janë shishe plastike, paketime plastike me margarinë, shishe gjalpi dhe kosi. Përveç mbeturinave shqiptare, ka mbeturina që vijnë nga grekët, malazezët dhe kroatët.

“Të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë vetëm për mbeturinat shqiptare ka edhe kroate. Ne tashmë kemi shumë mbeturina në bregun e detit. Duhen rreth 50 vite për ta pastruar bregdetin. Kjo është shumë kancerogjene, po vret njerëzit çdo ditë. Shishet plastike mbulojnë sipërfaqet e detit. Sipas ekspertëve, kjo mund të minimizohet duke zëvendësuar shishet plastike me një material më pak ndotës”, përfundon Poljanić.

Kush po i ndot lumenjtë shqiptarë?

Sazan Guri shpjegon se problemi fillon që nga thertoret dhe përfundon me rafineritë e naftës. Sipas tij faktori kryesor i ndotjes, janë ujërat e zeza dhe mbetjet bujqësorë, të cilat bashkohen me lumenjtë dhe përbajnë mbetje bakteriale që shkaktojnë probleme serioze për shëndetin e njeriut.

“Më të rrezikshmet janë ndotjet që vijnë nga thertoret apo punishtet e lëkurës, të cilat i derdhin mbetjet në lumenj. Bakteret e këtyre mbetjeve nuk treten në ujë, dhe janë pikërisht ato që shkaktojnë infeksionin e lëkurës”, thotë Guri. “Shumë nga lumenjtë që kanë ndotje të lartë, shkarkim të tyre kanë detet. Kjo sjell një transportim nga lumenjtë në det, duke përhapur më shumë ndotjen dhe duke sjell pasoja negative si në ekologji ashtu edhe në turizëm”, shton ai.

I pyetur se cili është bregdeti më i ndotur në vendin tonë, Guri veçon pa u menduar gjatë Gjirin e Lalzit. “Është zona më dendësinë më të madhe të banorëve dhe për pasojë edhe të mbetjeve. Lumi i Lanës, bashkohet me atë të Tiranës për t’iu bashkuar më pas lumit Ishëm, i cili derdhet në Gjirin e Lalzit. Ndotja e këtyre lumenjve është e papërshkrueshme, si me fekale, ndotje bujqësore, plastike, ashtu edhe vajra. Lumenjtë kanë një veti që vetë pastrohen duke u derdhur në det, por ndotja që u bëhet deteve është e pakthyeshme” thotë ambientalisti i njohur. “Bashkia po pastron vetëm qendrën e kryeqytetit, por mjafton të dalësh vetëm 200 metra larg qendrës për të kuptuat se në situata është një katastrofë”, shton ai.

Alarmi për ndotjen e lumenjve në vendin tonë është ngritur edhe nga kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt. Sipas tij, bazuar në statistikat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, krimi mjedisor në Shqipëri po rritet vrullshëm duke u kthyer në çështje shqetësuese. Lidhur me përpjekjet që po bëhen nga ana e qeverisë shqiptare për pastrimin e vendit dhe rritjen e turizmit, Borchardt u shpreh optimist duke nënvizuar si hapa pozitiv në këtë drejtim çuarjen në prokurori të 20 çështjeve të krimit mjedisor, vetëm gjatë vitit të kaluar.

Thuajse të gjithë lumenjtë e Shqipërisë paraqesin norma të larta ndotjeje, por duket se të gjithë janë dakort që më problematike gjendja mbetet në basenin Ishëm–Erzen. Në raportin e saj të fundit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar rezultatet e matjeve të kryera gjatë vitit 2017, duke përcaktuar se pikat më të ndotura i përkasin kryesisht Lumit Ishëm e Lumit të Gjanicës.

Të tjerë ekspertë thonë se një nga zonat më të ndotura në Shqipëri është zona e Gotullës, ku papastëria është ne nivele alarmante si pasoje e mbeturinave që derdhen në këtë plazh nga prurjet e lumenjve Droje dhe Ishëm. Ndotja e lartë e mjedisit duket se po venit këtë zone të virgjër, e cila prej kohesh nuk ka njohur qoftë edhe një ndërhyrje të vetme nga instancat përkatëse.

Sazan Guri thekson se kohët e fundit në vendin tonë janë hapur edhe shumë rafineri të volga duke çuar kështu në një rritje të pashembullt të niveleve të ndotjes pasi të gjitha mbetjet e tyre derdhën në lumenj, por shton se as kompanitë industriale nuk mbeten pas.

Ndërkohë, sipas një studimi të kryer Qendra “Ekolëvizja” dhe të financuar nga Qeveria Suedeze, edhe Lumi Erzen është kthyer po ashtu në një kosh për mbeturinat. Përfaqësues të kësaj qendre thonë se arsyeja kryesore e ndotjes është mos grumbullimi mbetjeve nga ana e bashkisë, pasi fshatrat ku kalon lumi Erzen, nuk ka kosha ku banorët të hedhin mbeturinat.

Në këtë mënyrë si bizneset ashtu edhe banorët duket se janë të detyruar që të përdorin lumin si depo mbeturinash. Organizatat kanë bërë thirrje edhe më parë që lumenjtë të mos përdoren si landfill-e, sepse ato po shkatërrojnë natyrën, turizmin dhe ekonominë e vendit dhe se mbi të gjitha ato po shkatërrojnë shëndetin e njeriut, por thirrjet duket se kanë shkuar deri më tani në vesh të shurdhët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë