Një milion specie në planet janë të kërcënuara të zhduken nga njerëzit. Në një studim të publikuar të hënën nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit (IPBES), thuhet se këtë vit janë vlerësuar humbjet më të mëdha të gjallesave që janë parë ndonjëherë.
Raporti paraqet një pamje të zymtë të një planeti me një popullsi gjithnjë e në rritje, me konsumim të pangopur që po shkatërron botën shtazore dhe bimore. Sipas IPBES, shkalla globale e zhdukjes së gjallesave, është tashmë qindra herë më e lartë se ajo që ka qenë gjatë shekullit të kaluar.
Habitati i ngushtuar, shfrytëzimi i burimeve natyrore, ndryshimet klimatike dhe ndotja, janë shkaktarët kryesorë të humbjes së gjallesave, duke kërcënuar më shumë 40% të amfibëve, 33% të koraleve dhe mbi një të tretën e gjitarëve të detit.
"Shëndeti i ekosistemeve mbi të cilat varet jeta e njeriut, po përkeqësohet vit pas viti,” thotë Robert Watson, kryesues i IPBES, duke shtuar se duhet një transformim i madh për të shpëtuar planetin.
Raporti vjen gjashtë muaj pasi Paneli Ndërqeveritar i OKB mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) paralajmëroi se bota ka edhe 12 vjet kohë për të shmangur ngjarjet katastrofike që do të vijnë nga ngrohja globale.
Të dhënat treguan se ashtu si me ndryshimet klimatike, njerëzit janë fajtorët kryesorë të dëmtimit të biodiversitetit, duke ndryshuar 75% të tokës dhe 66% të ekosistemeve detare, që nga kohët para industriale.
Raporti thekson ndikimin katastrofik të rritjes së popullsisë dhe kërkesës në rritje. Gjithashtu, vë në dukje se popullsia e botës është dyfishuar (nga 3.7 në 7.6 miliardë) në 50 vitet e fundit dhe produkti i brendshëm bruto për person, është katër herë më i lartë. Më shumë se një e treta e tokës në botë dhe 75% e ujërave të ëmbël, përdoren për prodhime në favor të njerëzve.
“Ne duhet të veprojmë si kujdestarë për jetën në Tokë dhe jo ta shkatërrojmë atë,” tha Sandra Diaz, pedagoge ekologjie në Universitetin e Kordovës.
Diaz tha se vendet në veri të globit, janë faktorët kryesorë për dëmin e natyrës, për shkak të niveleve të tyre "të paqëndrueshme" të konsumit.
Ndotja e detit nga plastika është rritur dhjetë herë që nga viti 1980, me një mesatare prej 300-400 milionë ton mbetje të hedhura çdo vit. Ndotja e ekosistemeve bregdetare, ka shkaktuar më shumë se 400 "zona të vdekura" të oqeaneve, duke krijuar një sipërfaqe më të madhe Mbretëria e Bashkuar. Këto zona janë kaq të “uritura” për oksigjen sa që nuk mund të kenë gjallesa detare.
“Nuk është tepër vonë për të bërë ndryshime, por vetëm nëse fillojmë tani të merremi me çdo vend të ndotur,” tha Watson, duke shtuar se kjo do të kërkonte rishikim të sistemeve ekonomike dhe ndryshime në politikat sociale.
Ndërsa Diaz shprehet se qeveritë duhet të zbatojnë ndryshime drastike tani për të shmangur një të ardhme të tmerrshme, ku siguria e ushqimit dhe klimës do të jetë në rrezik.
Ndryshimi i klimës ka kontribuar tashmë në humbjen e biodiversitetit, duke shkaktuar rritje të nivelit të detit, njëkohësisht duke shkaktuar edhe thatësira të mëdha.
Raporti tregoi se ne mund të përmirësojmë qëndrueshmërinë në bujqësi, duke planifikuar detin dhe tokën në mënyrë që të sigurojmë ushqim për njerëzit, por edhe për speciet që jetojnë në këto habitate. Sugjerime të tjera përfshijnë reformimin e zinxhirëve të furnizimit dhe reduktimin e mbeturinave ushqimore.
Kur bëhet fjalë për oqeane të shëndetshme, raporti rekomandon kuotat efektive të peshkimit, zonat e mbrojtura të përcaktuara dhe reduktimin e ndotjes që shkon nga toka në det.
Rachel Warren, pedagoge e ndryshimeve globale dhe biologjisë mjedisore në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se qeveritë duhet të përqëndrohen në restaurimin e ekosistemeve të shkatërruara ose të degraduara, pasi kjo ndihmon për trajtimin e humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimin e klimës.
“Biodiversiteti mbështet shërbimet e ekosistemit si pllenimin, parandalimin e përmbytjeve, pastrimin e ujit dhe ajrit dhe ruajtjen e tokës. Ne jemi në rrezik të humbim shërbimet vitale të ekosistemit të cilat do të kenë pasoja të mëdha dhe negative për qytetërimin njerëzor,” shprehet ajo. /CNN/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.