Propozimi i fundjavës

‘Naiviteti’ i Europës, një model i vjetër përballë një bote që po ndryshon

Europa është naive që beson se një model ekonomik liberal do t’i mbijetojë zhvendosjes globale të shtyrë nga Kina dhe SHBA-ja. Kështu shprehet guverantori i Bankës Qendrore belge.

Pierre Wunsch, në një intervistë me “Financial Times”, u shpreh se politikbërësit europianë po ndjekin akoma nisma si tregjet e hapura dhe subvencione të ulëta, politika që nuk pasqyrojnë më realitetin gjeopolitik që ka dirigjuar Trump dhe Pekini.

“Tregtia e lirë dhe reduktimi i ndihmës shtetërore funksionojnë në një botë me rregulla. Kjo botë nuk ekziston më dhe nëse ti vazhdon ta kërkosh edhe pse nuk ekziston, ti je naiv”, thotë Wunsch.

Komisioni Europian vendos politikat tregtare dhe konkurruese për të gjithë bllokun dhe së fundmi ka negociuar marrëveshje tregtie të lirë me disa vende nga Amerika Latine, Australia, India dhe Indonesia. Por, Ëunsch e vë në pikëpyetje këtë qasje: “si mund të ndjekim ne rregullat që nuk i ndjek askush?”.

Në të shkuarën, thotë guvernatori, politikbërësit “po zbatonin një agjendë të mirë të tregtisë së lirë dhe njëkohësisht kufizua disa politika industriale”, një qasje që “në përgjithësi ishte e suksesshme, përveç faktit që ne mbetëm prapa në aspektin e inovacionit”.

Ky model ekonomik dhe politik, sipas Wunsch, tani po vihet nën presion të madh. Ai thekson veçanërisht industrinë me konsum të lartë energjie, ku Europa përballet me kosto strukturalisht më të larta, ndërkohë që vazhdon të synojë ruajtjen e prodhimit vendas. Sipas tij, Bashkimi Europian ka një “prirje për të mos pranuar kompromiset ekonomike”, duke shmangur zgjedhjet e vështira që lidhen me konkurrueshmërinë, ndërsa në realitet “thjesht nuk je konkurrues, kjo është e gjitha”.

Në thelb të argumentit të tij qëndron ideja se Europa nuk ka arritur të kuptojë sa shumë ekonomia globale është larguar nga një treg i barabartë. Ai thekson se subvencionet e Kinës dhe politikat proteksioniste të Shteteve të Bashkuara kanë ndryshuar ndjeshëm kushtet e konkurrencës ndërkombëtare.

Bota ka ndryshuar, prandaj nuk mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë dhe të marrim të njëjtat përgjigje përsëri e përsëri, kur ato kanë dështuar në një farë mase në të kaluarën”.

Në një punim të fundit të Bankës Qendrore të Belgjikës, Wunsch bën një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj strategjisë ekonomike të BE-së, duke argumentuar se Brukseli po shmang vendimet e vështira mes ambicieve klimatike, konkurrueshmërisë dhe hapjes ekonomike.

Komisioni Europian gjatë dekadës së fundit ka promovuar një agjendë të gjelbër shumë ambicioze, përfshirë synimin për arritjen e “net zero” (zero emetime) deri në mesin e shekullit. Megjithatë, krizat e njëpasnjëshme, pandemia e Covid-19, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti i fundit me Iranin, kanë çuar në zbutjen e disa politikave të gjelbërta, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e dobët ekonomike dhe konkurrueshmërinë në rënie ndaj SHBA-së dhe Kinës.

Në këtë kontekst, shumë vende po rishikojnë varësinë nga nafta dhe gazi pas krizës energjetike, duke konsideruar diversifikimin e burimeve. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka theksuar se kjo situatë mund të nxisë zhvillimin e energjisë bërthamore, duke kujtuar se shumë centrale në Europë u ndërtuan pas krizave të naftës në vitet ’70.

Wunsch kritikon mënyrën si BE e trajton këtë situatë, duke thënë: “Na duhet një debat politik dhe jo narrativa të mëdha ku pretendohet se mund t’i kesh të gjitha njëkohësisht.”

Ai dhe bashkautori i tij, Geert Langenus, argumentojnë se Europa ka një prirje të fortë për rishpërndarje ekonomike dhe shmangie të riskut për shkak të “preferencave të thella shoqërore”, gjë që po pengon aftësinë e saj për të konkurruar në teknologjitë e reja.

Sipas tyre, në fusha si inteligjenca artificiale dhe robotika, BE-ja rrezikon të mbetet gjithnjë e më prapa si në inovacion ashtu edhe në aftësinë për të vendosur standarde globale. “Valë pas vale ne po mbetemi prapa në mënyrë gjithnjë e më të dukshme,” thotë Ëunsch. “Po përpiqemi të rregullojmë diçka që nuk e zotërojmë.”

Ai shton se të qenit “ndjekës” teknologjik, pra adoptues i teknologjive dhe jo krijues i tyre, mund të ketë qenë i menaxhueshëm më parë, por ritmi i sotëm i zhvillimit e bën këtë qasje gjithnjë e më të rrezikshme për të ardhmen ekonomike të Europës.

Në thelb të problemit, sipas tij, qëndron një kufizim politik më i thellë: “Në fakt kemi demokraci që nuk mund të marrin më vendime të vështira.”

Burimi: FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë