Mjedis

Na ishte njëherë Tirana e gjelbër

Nga Blerina Goce-Ema është një nënë e re me dy fëmijë të vegjël, e cila prej disa vitesh jeton në Tiranë. Ajo zgjodhi të zhvendoset në kryeqytet me bashkëshortin e saj, me dëshirën që të kishin një të ardhme me më shumë mundësi për vete dhe për fëmijët.

Sot, asaj i mungon shpesh qyteza e saj e lindjes.

“Erdha me shumë dëshirë në Tiranë. Morëm një shtëpi me kredi te “Astir”-i. Bashkëshorti im punon dhe paguhet mirë. Unë jam pa punë, sepse duhet të merrem me djalin e vogël. Tani kemi gati 3 vjet që jemi zhvendosur, por shpesh më merr malli të kthehem andej nga erdhëm. Për fëmijët e vegjël, qytetet e vogla janë më mirë. Tirana është shumë e zhurmshme, kaotike dhe e kam të vështirë të gjej një vend të qetë e me gjelbërim, ku të ndjehem e qetë me fëmijët e mi”, shprehet ajo.

Tirana është qyteti, të cilin e synojnë të gjithë: për të ndjekur studimet, për të jetuar, por edhe për të investuar. Rritja e numrit të popullsisë në kryeqytet ka rritur edhe sipërfaqet e betonizuara. Por a kanë qenë ato në raport të drejtë?

“Nëse do të donim një përgjigje sasiore për atë se sa janë shtuar ndërtimet në Tiranë gjatë viteve të fundit, do të na duhej të studionim statistikat e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë në këto vite dhe t’i karahasonim me stokun e ndërtimeve të kryera më parë, si për gjithë qytetin, edhe për blloqet urbane, që formësojnë strukturën e qytetit. Studime të tilla nuk gjenden as për Tiranën dhe për asnjë qytetet në vend”, shprehet për gazetën “Si”, urbanisti Gentian Kaprata, ndërsa vijon se padyshim çdo qytetar i thjeshtë, edhe pa qenë një urbanist, e sheh “se ndërtimet janë shtuar shumë në qytetin tonë në këto vitet e fundit”.

“Mjafton të bësh disa qindra metra shëtitje në rrugët e qytetit dhe dallohen disa kantiere ndërtimi, ku punohet në të njëjtën kohë. Këto kantiere të sotme, që gjenden në çdo bllok banimi, por edhe në zonat qëndrore të qytetit, janë ndërtesat e reja që po i shtohen qytetit të sotëm dhe të ardhshëm”, vijon Kaprata.

Edhe për urbanistin Flamur Kuçi, Tirana është qyteti, ku historikisht tregu i ndërtimeve ka qene më dinamik se në të gjithë qytetet e tjera.

“Ky është një aspekt në thelb pozitiv për qytetin, por njëkohësisht paraqet edhe sfida të rëndësishme.  Në fakt Tirana ka patur në qendër sfidën midis nevojës për të ndërtuar nga njëra anë dhe nevojën për hapësira publike nga ana tjetër. Në 30 vitet e fundit, këtë sfidë e ka fituar ndjeshëm ndërtimi në kurriz të hapësirave publike. Për shkak të profitabilitetit të sektorit të ndërtimit, bashkia ka qenë e paaftë dhe e pavullnetshme të bëhet mbrojtëse dhe garante e hapësirave publike. Nga ana tjetër ajo ka qenë e paaftë të planifikojë një shtrirje të qytetit, që të siguronte komplekse ndërtimore që siguronin edhe hapësirat e nevojshme publike.”, shprehet ai.

Për inxhinierin e gjelbërimit dhe arkitektin Andi Papastefani, sipërfaqet e gjelbëruara janë treguesi më i rëndësishëm për një qytet të jetueshëm.

“Tirana, për një kohë të gjatë ka patur një normë të mirë gjelbërimi, rreth 10 metër katrorë gjelbërim për banor, shifër kjo e kënaqshme. Gjatë tranzicionit kemi zbritur në 2.8 metër katror gjelbërim për banorë”, shprehet për gazetën “Si”, Papastefani, ndërsa shton se “minimumi i kërkesës së gjelbërimit për një qytet të jetueshëm është 7 metër katrorë gjelbërim për banor”. 

Pavarësisht se kemi një ndjeshmëri më të madhe për gjelbërimin vitet e fundit, sidomos në sezonin e mbjelljeve të pemëve në vjeshtë, nuk duhet të heqim sytë nga timoni, që të arrihet një normë gjelbërimi e pranueshme. Kjo është një punë kolosale, jo afatshkurtër, por e realizueshme”, vijon ai dhe nënvizon se “Parku i dytë, mushkëria e dytë e Tiranës është imediat”.

Ndërsa urbanisti Kaprata, bën një krahasim mes sipërfaqes se betonizuar dhe gjelbërimit, shprehet se kjo përgjigje mund të jepet në bazë të standardeve, të cilave iu referohemi.

“Sipas standardeve të qeverisë, raporti i sipërfaqes së betonuar me atë të gjelbëruar është i mirë dhe po përmirësohet përditë e më tepër. Kurse sipas teknikëve dhe qytetarëve, ku futem edhe unë, po ndodh krejt e kundërta dhe kjo faktohet nga matjet e agjencive më të mira të botës. Bile edhe kjo biseda jonë e sotme, e vërteton faktin që kemi një ‘betonizim të Tiranës’ sepse në të kundërt nuk do flisnim për këtë temë.”

Sipas Kapratës, duhet kuptuar kjo ndjesi kolektive, ky perceptim i gjerë shoqëror, sipas të cilit cilësia urbane e jetës tonë është shumë e keqe, por edhe gjetjet e studimeve të institucioneve ndërkombëtare, se “Tirana ka probleme të rënda urbane, të cilat vijnë pikërisht prej këtyre raporteve, që janë përmbysur në këto vite në avantazh të betonizimit të hapësirës së hapur dhe të gjelbër”.

Urbanisti Flamur Kuçi thekson se në vitet e fundit është vënë re një fenomen, ku ndërtimet e reja janë bërë kryesisht duke shndërruar hapësira, që dikur kanë qenë të gjelbra, si: lulishtja para Kuvendit, lulishtja e monumentit “Partizani i panjohur”, hapësira e “7 xhuxhave”, pjesë të Parkut të Liqenit, hapësira poshtë Digës, etj.

Madje, sipas Kuçit, këtij fenomeni nuk i kanë shpëtuar edhe territore të ish-ndërmarrjeve shtetërore, të privatizuara me qëllim shndërrimin e tyre në pallate banimi.

“Pikërisht këto sipërfaqe mund të kishin qenë më shumë të përshtatshme për t’u destinuar për qëllime dhe hapësira publike”, vijon ai.

Sipas Kuçit, megjithëse sektori i planifikimit të territorit nuk ka instrumenta transparentë për të monitoruar këto raporte, në 10 vjeçarin e shkuar, Tirana llogaritej të kishte rreth 0.5 m2 gjelbërim për frymë.

“Kjo ishte një sipërfaqe krejt e pamjaftueshme dhe shumë larg normës minimale prej 4 m2 gjelbërim për frymë, që llogaritet si sipërfaqja minimale e nevojshme për një qytet normal. Në fakt. kjo sipërfaqe ishte edhe shumë larg situatës së metropoleve të mëdha, të cilat e kanë edhe më të vështirë për të siguruar sipërfaqe të gjelbra, për shkak të presionit të madh të ndërtimit në këto metropole. Dukshëm, Tirana ka patur një defiçencë të konsiderueshme në këtë drejtim.”

Kuçi vëren se Tirana konsideron vetëm Parkun e Liqenit si mushkëri të rëndësishme në trupin e qytetit, por asaj pothuaj i mungojnë totalisht mjediset jetike të gjelbra në nivel lagjesh dhe blloqesh banimi.

“Në vitet e fundit, shihet një trend i sofokimit të çdo hapësire të lirë edhe brenda blloqeve të banimit, ndërkohë që sfida e gjelbërimit bëhet edhe më e madhe. Përtej një iniciative më shumë propagandistike për mbjellje pemësh në park, Tirana ndjeshëm po ul çdo ditë sifërfaqet e gjelbra, çka përbën një fenomen shqetësues të uljes së kualitetit të jetesës në këtë qytet kaq të rëndësishëm”, vijon Kuçi.

Për më tepër, sipas tij, përgjigja ndaj këtij fenomeni shqetësues nga Bashkia Tiranë është banale: “duke propozuar pallate, që zhvillojnë të ashtuquajturin ‘pyll vertikal’, i cili është vetëm një element marketimi pa asnjë vlerë reale në rritjen e kualitetit urban të qytetit.”

A i respektojnë lejet e ndërtimit rregullat urbanistike?

Për të dalë në përfundime të sakta nëse ndërtimet në Tiranë janë bërë, duke respektuar rregullat urbanistike, sipas urbanistit Gent Kaprata duhet të studiojmë dosjen tekniko-juridike të çdo leje ndërtimi të dhënë nga administrata e bashkisë, “gjë që s’e bëjmë dot, porse ne mund të dalim në përfundime përgjithësuese, të cilat na sigurojnë një kuptim të përafërt me realitetin e saktë”.

Në çdo legjislacion të planifikimit dhe zhvillimit urban dhe territorial, të çdo vendi, në çdo kohë, ka një lidhje të pazgjidhshme midis një leje ndërtimore dhe studimit pjesor të atij blloku banimi, ku gjendet trualli i ndërtimit të objektit.

“Kjo do të thotë se, nëse për një bllok nuk kemi një ‘studim pjesor’, çdo leje ndërtimi e dhënë në brendësinë e tij, nuk ka respektuar rregullat urbanistike. Por edhe kjo në vetvete nuk mjafton, sepse edhe kur kemi një studim pjesor mundet që leja të mos jetë dhënë në përputhje me kushtëzimet, që ka vendosur studimi pjesor. Kjo gjithshtu e bën lejen jo në përputhje me rregullat urbanistike”, shpjegon Kaprata.   

Po kështu, sipas tij, teoria dhe praktikat legjislative botërore na tregojnë për një lidhje të pazgjidhshme midis projektimit urban të një blloku banimi me planifikimin territorial të qytetit si një i tërë.

“Sepse është plani i përgjithshëm i një qyteti, që vendos rregullat dhe kushtëzimet teknike urbanistike për çdo bllok banimi, që i duhet bërë studim pjesor. Dhe në këtë kuptim, edhe lejet e dhëna në mungesë të një plani të përgjithshëm, pavarësisht ka studime pjesore apo jo, nuk respektojnë rregullat urbanistike.  Duket si një analizë shumë e ndërlikuar, por është shumë e thjeshtë! Nëse nuk kemi plan të përgjithëm dhe studime pjesore, çdo leje ndërtimi e dhënë nuk respekton rregullat urbane. Në nivel teknik, unë kam argumentuar në shumë raste se Tirana akoma nuk ka një plan të përgjithshëm territorial. Në këtë konteks të përgjithshëm, mund të thuhet se zhvillimi ndërtimor nuk është bërë në përputhje me rregullat urbansitikë!”, vijon urbanisti.

Nga ana tjetër, juridikisht Tirana ka një plan të hartuar nga arkitekti italian Boeri dhe të miratuar në vitin 2015 në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT), që do të thotë se në pikëpamjen juridike Tirana ka planin e saj.

“Kjo ndodh përshkak se qeverisja lokale dhe kombëtare e sotme përdor standarde të ndryshme qeverisëse, juridike dhe shkencore nga ato që përdor shumica e vendeve perëndimore dhe veçanërisht vendeve në zhvillim. Produkti i standarteve qeverisëse, juridike dhe shkencore të kësaj qeverie lokale dhe qëndrore, në fushën e planifikimit dhe zhvillimit territorial, është realiteti urban, që përjetojmë sot në Tiranë.”

Sot, cilësia e jetës urbane të qytetarëve, sipas agjensive më të rëndësishme botërore është përkeqësuar ndjeshëm. Referuar studimit ‘Indeksi i Cilësisë së Jetesës në Qytete 2020’ të Numbeo në vitin 2019, del se për gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, Tirana ishte kryeqyteti më i ndotur i Europës. Kurse, referuar ‘Rankimi i qyteteve sipas cilësisë së jetës urbane’ i Mercel, Tirana renditet në vendin e 175 nga 231 qytete të botës të marra në studim, për cilësinë e jetesës urbane në vitin 2018.

“Po t’i shtosh këtu edhe vlerësimin shumë negativ, që bën çdo qytetar, është e qartë për këdo se cila është gjendja reale. Në këtë kontekst, megjithëse juridikisht ne kemi një plan të përgjithshëm, në dimensionin praktik, ky plan nuk na ka ndihmuar të ndryshojmë gjendjen urbane të qytetit. Dhe kjo sipas meje do të thotë se praktikisht ne nuk kemi një plan për qytetin. Unë e kam quajtur, plani i kullave dhe pallateve”, - nënvizon Kaprata.

Ndërsa për urbanistin Kuçi, ajo që vihet re sidomos në 10 vitet e fundit është stimulimi nga Bashkia e ndërtimeve intensive, të larta, jo-proporcionale me karakterin e qytetit.

“Mjafton të shihen kullat në qendër të Tiranës, si: tek stadiumi, tek hotel “Sheraton”, tek ish-Muzeu i Shkencave, tek Hotel Tirana, tek Teatri i Operas apo pranë “ETC”, për të kuptuar trendin e mospërfilljes së rregullave urbanistike, kur bëhet fjalë për ndërtime spekulative.

Këto ndërtime as nuk përfillin rregullat bazë të urbanistikës, as nuk reflektojnë nevojën e qytetit për ndërtim. Ato reflektojnë veç nevojën e një grupi të vogël oligarkësh, që kanë mbështetje shtetërore, për të spekulluar me ndërtim.”, - komenton ai për gazetën “Si”.

Çfarë mund të bëhet?

Pyetja që mund të shtrojmë është se si mund të përmirësohet situata, në favor të një urbanistike të rregullt dhe për shtim të hapësirave të gjelbra?

Sipas urbanistit Kaprata, situata mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet nëpërmjet ndryshimit të standardeve qeverisëse, juridike dhe shkencore në fushën e zhvillimeve territoriale dhe urbane.

“Unë sapo kam përfunduar së shkruari një libër, që do t’i japi përgjigje edhe kësaj pyetje, si një nga komponentët e shumtë të çështjeve territoriale. Sepse problemet territoriale janë shumë më të gjera se mënyrat e bërjes apo ribërjes së qytetit dhe kanë ndikim shumë të madh në jetën e një kombi. Është mënyra sesi kemi zhvilluar territorin në këto 30 vite, që e ka formësuar këtë realitet urban të papranueshëm në të cilin jetojmë, por gjithshtu edhe modelin territorial të vendit. Është modeli territorial i vendit që ndikon në formësimin e modeleve socio-politike dhe ekonomike që ne kemi; bile edhe arsyeja pse po shpopullohet Shqipëria”.

Ndërsa urbanisti Flamur Kuçi thekson se, së pari dhe mbi të gjitha, ekuilibrimi i situatës në favor të hapësirave të gjelbra publike është çështje e vullnetit politik dhe jo e zgjidhjeve teknike.

“Zgjidhjet teknike nuk kanë munguar. Ajo që ka munguar historikisht është vullneti politik, për t’u bërë palë me interesin publik. Pushteti gjithmonë e ka gjetur më të lehtë dhe më ‘profitabël’ bërjen palë me interesin, për të ndërtuar në mënyrë spekullative në kurriz të hapësirave publike.

Së dyti, çdo ditë që kalon, Tiranës i vështirësohet mundësia për të risjellë këtë ekuilibër në një masë të pranueshme, duke i ulur kështu kualitetin e jetesës, madje duke i komprometuar parametrat minimalë të jetesës.”

Sipas Kuçit, “autoritetet e kanë të domosdoshme të kuptojnë, që edhe vetë sektori i ndërtimit në Tiranë do të dëmtohet ndjeshëm, nëse territori do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë të egër dhe pa rregulla urbanistike.”

Ndërsa për inxhinierin e gjelbërimit Andi Papastefani, fatmirësisht Tirana ka parkun kombëtar të Dajtit.

“Parku kombëtar i Dajtit është një pasuri e paçmuar për Tiranën. Parku duhet të jetë më i aksesueshëm, sidomos nga ana automobilistike.”, - thotë ai, ndërsa sugjeron që një pjesë e ndryshimit mund të vijë nga secili prej nesh.

“Një pjesë e rëndësishme e përmirësimit të gjelbërimit është ajo në shkallë të vogël, duke shikuar në lupën e gjelbër, çdo lagje, çdo rrugë, çdo ndërtesë, deri në çdo ballkon. Kjo është pothuajse luftë urbane dhe fitohet nëpërmjet sensibilizimit dhe edukimit.

Edukimit për një jetë ekologjike, duhet t’i japim rëndësi parësore, që në 8 vjeçare. Duhet të kthehen parcelat e gjelbra në këto shkolla, eksperimentet e biologjisë, edukimi duhet lidhur ngushtë me natyrën, ekologjinë, pemët, tarracat e gjelbra dhe ballkonet. Ky është brezi me vetëdije ekologjike, që do të kthejë parametrat e pranueshëm jetësorë të Tiranës.”, - vijon Papastefani.

Parqet në Tiranë

Sipas inxhinierit Andi Papastefani tri janë parqet kryesore sot në Tiranë: Pallati Presidencial, Parku i Madh i Liqenit Artificial dhe Kopshti Botanik.

Pallati Presidencial

Sipërfaqja 74 hektarë. Ndodhet në juglindje të Tiranës.

U konceptua si rezidencë mbretërore (për Mbretin Zog I) nga Giulio Berte dhe u përfundua në 1941 (pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste) nga Gherardo Bosio. Pietro Porcinai (një projektues i rëndësishëm në Itali dhe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore) kontribuoi në konceptimin e këtij parku. Janë rreth 70 lloj bimësh dhe shkurresh mesdhetare me moshë 60 -70 vjeçare, si: qiparisi, dafina, pisha, gështenja, oleandri e të tjerë. Parku zbukurohet nga skulptura nga Armando  Brazini dhe  Odise Paskali.

Parku i Madh i Liqenit Artificial

Sipërfaqja 150 hektarë. Ndodhet në jug të Tiranës.

Ai e ka origjinën në Planin e Përgjithshëm Rregullues të viteve 1939-1941 të projektuesve italianë. Ai u detajua më tej nga projektuesit vendas për hartimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të vitit 1957-1958 dhe u finalizua nga Zhelko Zhelkov, arkitekt gjelbërimi bullgar. Sipërfaqja ujore e liqenit është 48 hektarë. Edhe sot, pas 60 vjetësh parku ngelet mushkëria e vetme e Tiranës.  Ai është shumë popullor për banorët. Gjatë tranzicionit, parku u ndrydh dhe vuajti. Pas 2015, gradualisht po stabilizohet.

Kopshti Botanik

Sipërfaqja 12.5 ha.  Ndodhet në jug të Tiranës.

U themelua në vitin 1971 nga botanisti Mustafa Demiri. Është plotësisht produkt i specialistëve tanë. Misioni i kopshtit botanik është ai i njohjes, ruajtjes jashtë habitatit natyror, shumimit dhe përhapjes së florës së bimësisë të rrallë, të kërcënuar, apo me vlerë ekonomike. Në të rriten 1400 lloje e nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë. Kopshti varet nga Dekanati i Shkencave Natyrore. Është qendër studimi e praktike shkencore. Njëkohësisht dhe një vend çlodhjeje dhe argëtimi.

Parqet në Tiranë në vitet ‘20-‘40

Lulishtja Popullore para Akademisë së Shkencave sot, u rikonstruktua, u bënë mbjellje të reja, që shoqëronin rrapet mbi 100 vjeçarë, u pajis me shatërvan (1923- ekziston akoma sot) dhe me një mini-kopsht zoologjik. Parku rrotull rezidencës mbretërore (Akademisë së  Shkencave) ngeli hapësira më e madhe e gjelbëruar deri në 1941, kur u mbarua parku i Pallatit të Brigadave.

Lulishte të tjera në këtë kohë u realizuan mes ministrive, para kafenesë “Kursal”, në krah të  shtëpisë së oficerëve, etj.

Plani i Përgjithshëm Rregullues i vitit 1939-1943 parashikoi gjatë bulevardit të madh, një numër lulishtesh drejtkëndore midis ndërtesave administrative. Këto u gjelbëruan pas Luftës së Dytë Botërore.

Një nga këto është parku Rinia, parku i parë pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, rreth 1 hektar. Ky park u ndërtua me punë vullnetare. U mbollën midis të tjerave, bimë, si: paulonja, feoja, diervila, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë