Politike

Mustafa: Berisha s’e dinte qëndrimin e BE dhe SHBA. Ndryshimi i kufijve i domosdoshëm

Në një intervistë dhënë për Gazetën Si, Ragmi Mustafa komenton përplasjen në distancë mes Berishës dhe Thaçit. Thotë se ish-Kryeministri i Shqipërisë, në momentin që ka lëshuar deklaratën kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës nuk ka qenë në dijeni të qëndrimit të Brukselit dhe Uashingtonit për çështjen e kufijve të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa është një prej zërave më të fortë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Së fundmi ai ka qenë mjaft aktiv dhe mbrojtës i idesë së Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve.

Mustafa shpreson se nga bisedimet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit do të arrihet në përfundimin që Lugina t’i bashkangjitet Kosovës, edhe nëse ky bashkim do të kërkojë humbjen e Veriut të Kosovës. Sa u takon resurseve natyrore të Veriut, deklaron se në kuadër të dialogut mund të gjehet një zgjidhje që kënaq të dyja palët.

Për gjendjen e shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafa shprehet se ajo sa vjen e përkeqësohet, sidomos pas diskutimeve për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervista e plotë

Pyetja 1 - Para disa javësh u takuat me ish-Kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit postoi në rrjetet sociale qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi reagoi ashpër ndaj këtij qëndrimi duke e akuzuar Berishën për disa qëndrime të mbajtura në të shkuarën karshi Kosovës. Keni një koment për këtë përplasje?

Ragmi Mustafa - Në kohën kur jemi takuar me ish-kryeministrin Sali Berisaha nuk ishte i njohur qëndrimi zyrtar i SHBA-ve dhe Brukselit përkatësisht Bashkimit Europian, sepse ata gjatë gjithë kohës sa po zhvillohen bisedimet në mes Prishtinës e Beogradit kanë mbajtur qëndrimin e paprekshmërisë së kufijve dhe nuk kanë lejuar që edhe zgjithja e problemit të Luginës së Preshevës, që ka ngelur pa u zgjidhur që nga mbarimi i luftës së UÇPMB-së vitin 2001. Qëndrimi i këtyre dy institucioneve më të larta në botë dhe që kanë marr përsipër zgjidhjen e problemeve historike ndërmjet shqipëtarve e serbëve ndryshoi në mesin e kohës së takimit tonë me ish-kryeministrin e Presidentin e Shqipërisë zotin Berisha. Kam përshtypjen se ky i fundit nuk ka pasur njohuri lidhur me qëndrimin e Be-së dhe SHBA-së. Qëndrimi i tanishëm i tyre është që do të mbështesin me të gjitha mjetet shumë fuqishëm çfarëdo marrveshje që arrihet ndërmjet dy palëve negocuese Prishtinës e Beogradit. Qëllimi është që të arrihet paqe, stabilitet dhe normalizim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Ballkanin Per ëndimor, dhe të krujohen kushtet për integrimin sa më të shpejt të shteteve në pritje për hyrje në familjen e madhe Evropiane. Prandaj, zënkat ndërmjet zotit Berisasha dhe zotit Thaçi koincidojnë në mungesë të informacioneve madje edhe sjelljes së politikave të konsumit ditor gjë që i takojnë së kaluarës së afërt politike.

Pyetja 2 – Presidenti Hashim Thaçi thotë se bashkimi i Luginës me Kosovën do të propozohet me nisjen e dialogut me Serbinë në muajin shtator. Thotë gjithashtu se me korrigjim nuk nënkupton ndarje kufijsh mbi baza etnike dhe mohoi se do të pranonte një marrëveshje ku Veriu do t’i bashkangjitej Serbisë. Sa real është ky skenar? A mendoni se Beogradi do të pranojë kaq thjeshtë këtë propozim pa përfituar asgjë vetë?

Ragmi Mustafa - Me vet faktin se bashkësia ndërkombëtare BE, SHBA dhe Kombet e Bashkuara mbështesin çfarëdo marrveshje midis Serbisë e Kosovës, e besojmë shumë se edhe Beogradi zyrtar do të pranoj një kompromis të propozuar nga presidenti i Republikës së Kosovës për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës Brenda Republikës së Kosovës, Ndërsa, se si do të vijoj epilogu i bisedimeve nga muaji shtator në Bruksel le t’ia lëmë kohës kësaj çështje. Por, me rëndësi të madhe është se Presheva, Medvegja e Bujanoci po bëhen pjesë e bisedimeve në Bruksel. Prandaj, presim shumë që të arrihet një marrëveshje dy palëshe e garantuar nga BE dhe SHBA madje dhe nga Kombet e Bashkuar ku Lugina e Preshevës të jet Brenda pjesës integrale të Republikës së Kosovës sepse këtë ka pritur me shumë sakrifica jo më pak se 106 vite që nga shpallje e pavarësisë së Shqipërisë.

Pyetja 3 – Duket se ka një qëndrim pro në Bruksel dhe Uashington për këtë ide. Por, në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë druhen se në fund të këtij procesi, Kosova do të humbasë Veriun e pasur me minerale dhe rezerva ujore. Nëse Thaçi bie dakort për një marrëveshje të tillë, ku Lugina i bashkangjitet Kosovës dhe Veriu i bashkangjitet Serbisë, jo do ta mbështesni atë?

Ragmi Mustafa - Duke qenë se bisedimet lehtësohen nga BE dhe monitorohen nga SHBA-të madje edhe garantohet çfarëdo marrveshje e arritur paqësore edhe problem i pasurive natyrore të të gjej zgjidhjen e kënaqëshme dypalëshe. Ne besojmë shumë në autoritetet e BE-së dhe SHBA-së, në gjakftohësinë e tyre si ndërmjetësues dhe shkallën e lartë të mençurisë si dhe përvojat e mira të shumë vendeve në botë, të ngjajshme si kjo mes Kosovës e Serbisë të gjejnë si që përmendet çdo ditë kompromisin e madh dhe sa më pakë të dhimbshëm për dy palët bashkëbiseduese. Nga ana tjetër, kujtoj se edhe resurset njerëzore e në këtë rast resurset kombëtare në Luginë të Preshevës nuk janë më pakë të rëndësishme. Në rastin më të keq kur Lugina e Preshevës e banuar me shumicë popullsie shqiptare të mbetet jashtë territorit integral të Kosovës, kjo do të thotë mbyllja e perspektivës jetësor për shqiptarët dhe rikolonizimi i saj nga shteti serb për të satëh herë me radhë dhe gjithsesi me pajtueshmërinë e shqipatrëve, gjë që rëndon Akoma më shumë pozitën e shqipëtarve në Luginë të Preshevës. Një gjë e tillë ndodhi pas konferncës së Londrës vitin 1913 kur Shqipëria u pajtua me kufijt aktual që i ka, pastaj vitin 1945 kur Shqipëria u besoi autoriteteve Jugosllave që Kosova e gjithashtu shumë shqipëtar në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi të mbeten jashta trungut shqipëtar, kur dihet se Shqipëria gjer atë kohë kishte pushtetin mbi këto treva. Për çlirimin e Kosovës u dasht të kalojnë plot 87 vite të lirohet nga okupimi serb dhe tani a duhet vallë të priten aq apo më shumë vite të lirohen shqipëtarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Këtë po e them se edhe në rastin më të keq të mbetjes së Luginës së Preshevës jashta integritetit territorial të Kosovës, shqipëtarët e këtyre tre Komunava përkundrazi nuk do të heqin dorë kurrë nga kërkesa e tyre për jetësimin e referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992.

Pyetja 4 – Në Tiranë e Prishtinë janë të vetëdijshëm për gjendjen e shqiptarëve të Luginës dhe të gjithë e mirëpresin propozimin për bashkimin me Kosovën, por a besoni se kjo mund të realizohet pa u prekur territori aktual i Republikës së Kosovës?

Ragmi Mustafa - Në këtë çështje besojmë shumë, sepse iniciativa jonë shumëvjeçare e sidomos kjo e fundit në prezidencën e Republikës së kosovës fuqishëm u mbështet dhe në vijimësi po mbështetet nga presidenti i Kosovës, madje edhe nga një numër i madhë autoritetesh politike në Republikën e Kosovës. Sa i përkeat asaj se a preket ndonjë pjesë territorial e Kosovës këtë më së miri e din presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, politika e shqipëtarve të Luginës së Preshevës është që të tregojnë gadishmëri për bashkëngjitje me Republikën e Kosovës duke shprehur vullnetin politik të shqipëtarve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc sipas referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992. Nga ana tjetër rreth ruajtjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës do kujdesen institucionet e saja legjitime të dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të Kosovës si që janë: Parlamenti, Presidenti dhe qeveria e Republikës së Kosovës. Me vet faktin se presidenti i Republikës së Kosovës po e mbështet fuqishëm këtë kërkesë të shqipëtarve të tre Komunave me shumicë shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk konsiderojmë se do të jet një dëm territorial për Kosovën, përkundrazi kjo do të jet në dobi të saj.

Pyetja 5 - Jeni mjaft aktiv në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës duke denoncuar represionin socio-ekonomik dhe politik të Beogradit në rajon. Në këtë situatë diskutimi për korrigjimin e kufijve, si është gjendja në Luginë?

Ragmi Mustafa - Situata aktuale politike dhe e sigurisë në Luginë të Preshevës si zakonisht nuk ka ndryshuar në të mirë të shqipëtarëve. Tani, ajo akoma më shumë është e rënduar sepse ka më shumë se dy vite nuk janë parë forcat speciale të policisë Xhandarmëria serbe e cila është kthyer në rrugët locale të vendbanimeve me shumicë shqiptare me qëllimin e demonstrimit të forcës policore ndaj shqiptarëve të pambrojtur, rritjen e shkallës së pasigurisë, dëbimin e tyre dhe shkaktimin e incidenteve me qëllim të fabrikimit të konflikteve mes forcave policore dhe shqiptarëve të pambrojtur. Nga ana tjetër edhe përkundër diskriminimit në arsim, mosnjohjen e diplomave të arritura univerzitare në republikën e Kosovës, moslejimin e përdorimit të teksteve mësimore nga Kosova por edhe nga Shqipëria, kulturë, moslejimin e përdorimit të simbolit kombëtar, informim, zhvillim ekonomik përmbajtësor ku shkalla e papunësisë në këto tre Komuna është pesëfish më e lartë se mesatarja në serbi dhe ajo arrin gjer 70% të popullatës së aftë për punë e papunësuar. Nga ana tjetër serbia fillon të shtoj presionet ndaj ekonomisë private shqipëtare duke i dhënë flakën makinerisë për vendosjen e asfaltit të kompanisë shumë serioze “Saba Bellça” me qëllim që edhe ajo pakë ekonomi private të çvendoset në Kosovë si që kanë ikur plot të ngjajshme më herët nga represionet e invazioneve fiskale, me ç’rast arrin të ngrit edhe në shkallë më të lartë papunësinë e shqiptarëve. Me këtë detyron shqiptarët të migrojnë në drejtim të europës perëndimore ku nuk e kemi të vogël përqindjen e popullsisë që nga vitet e shtatëdhjetave të shekullit të kaluar e cila është prej 35 gjer 40% e popullsisë së gjithmbarshme shqipëtare në Luginë të Preshevës. Prandaj, sot është e domosdoshme që të gjendet zgjidhje fatlume për shqipëtarët e Luginës së Preshevës. Ne konsiderojmë se është një moment shumë i volitshëm për parandalimin e shpërnguljes së shqipëtarëve nga këto treva me metodat më të moderuara repressive serbe!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë