Art dhe Kulture

“Mural Fest”… kur fasadat e qytetit marrin ngjyra

Fasadat e “pajeta” dhe ngjyrë gri të kryeqytetit do të lulëzojnë në ngjyra e stile të ndryshme e do të përpiqen të flasin përmes artit.

20 artistë nga bota nëpërmjet “Mural Fest”, një prej festivaleve më atraktive për të gjithë ata që e duan të bukurën, jo vetëm do t’u japin shpirt mureve më të bukura të qytetit, por edhe do të lënë gjurmë në hapësirat urbane të tij.

Kuratori Helidon Haliti shprehet se “Mural Fest” synon një zhvillim të ri për Tiranën, duke e renditur atë bri qyteteve kryesore të botës.  

“Mural Fest për momentin është një vazhdimësi e një projekti tejet të suksesshëm të rehabilitimit të pallateve të Tiranës, projekt i nisur nga Edi Rama dhe Anri Sala, i cili solli në një mënyrë revolucionin e një fillimi të ri për zhvillimin e Tiranës. Mural Fest do lërë vepra të mëdha cilësore dhe që do hyjnë në hartën e muraleve të botës”, thotë Haliti për Gazetasi.al, ndërsa shton se “këto vepra përveçse do zbukurojnë kryeqytetin, do ta bëjnë Tiranën një muze të hapur të pikturës së eksterierit si dhe futjen e saj në hartën botërore, me emra shumë të mëdhenj në artet publike”.

Ky festival në njëfarë mënyre vjen edhe si simbolikë e shprehive të lira artistike, duke ringjallur pikturën monumentale, dikur reminishencë e sistemit të mbyllur.

“Ky festival bëhet prej vitesh në shumë qytete dhe kryeqytete të botës. Unë dhe kuratori i dytë i saj Kiriakos Josifidhis kemi mbi 22 vjet qe bashkëpunojmë dhe këtë herë iu përgjigjëm ftesës së Dekor Tirana për të kontribuar në kurimin e këtij edicioni...”, vijon Haliti.

Muret që tashmë kanë nisur të ngjyrosen janë ato më të lartat te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, dhe në qendër të Tiranës. Të veshura me ngjyra, ato duket se do të shërbejnë si një nxitje për transformimin e Tiranës në kryeqytetin e artit dhe kulturës apo si një urë tregimesh të reja vizuale në Europë.

Artistët më në zë të Europës, pjesë e këtij projekti duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, WD nga Indonezia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia, në këto kohë veprimtarie artistike në Tiranë do të kenë fasadat si kanavacë e galeri arti.

“Unë kam bërë një përzgjedhje në mes të 200 artistëve. Këtë vit kam ftuar 10 artistë shumë cilësorë dhe të njohur në fushën e tyre si dhe 10 asistentët e tyre të cilët i shoqërojnë kudo. Ata do të sjellin kreativitetin e tyre duke u ndier të lirë të pikturojnë në një festival që pikërisht këtë ka si lajtmotiv”, thotë Haliti.

E teksa artistët e huaj këto ditë përpiqen të lënë gjurmët e tyre me magjinë e ngjyrave dhe ndërthurjen e elementëve, nuk u shpëtojnë dot syve kureshtarë të qytetarëve.

“Atje ku ne po pikturojmë, mahnitja është shumë e madhe pasi muret që po pikturojmë janë tejet të mëdha, dhe mënyra e pikturimit me dorë të lirë duket pothuajse e pabesueshme. Duhet të punosh deri në 12 ditë dhe këtë mund ta bëj vetëm një artist, ndërkohë që magjia ngrihet dalëngadalë”, shpjegon kuratori Haliti.

Duke e cilësuar këtë festival në Tiranë, si një fëmijë 3-vjeçar që ka lindur me pjekuri e vazhdon me seriozitet, Haliti do të zbulojë se në botë arti mural i ka fillesat nga lëvzja “Street Art” që në vitet 1997.

“Është një lëvizje e Street Art që i ka fillesat rreth viteve 1997 dhe në këto momente prek kulmin e saj. Kemi fatin që Tirana do pasurojë muret nga më të mëdhenjtë e Europës”, thotë Haliti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë