Rrjetet sociale kanë krijuar një botë në të cilën të gjithë duken të lumtur, por a ka ndonjë mënyrë që njerëzit të frenojnë pakënaqësinë e tyre?
“Rreth pesë vjet më parë përpara se të shtrihesha për të fjetur, mora një njoftim në telefon nga një miku im i cili më tregonte se ishte shumë i kënaqur, pasi kishte marrë çmimin si gazetari më i mirë. Ndjeva që koka po më rrotullohej, po shtrëngoja dhëmbët dhe pasi e urova në mënyrë që të tregohesha e sjellshme, nuk fjeta deri në mëngjes nga zilia,” thotë Rebeka Smith asistente në universitetin e Londrës. “E njëjta gjë më ndodhi edhe në universitet disa vite me parë kur pash fotografitë në Facebook, të dikujt nga shkolla ime të cilin e njihja shumë pak. Ajo kishte shkuar në një lokal nate me miqtë e saj dhe dukej shumë e kënaqur, ndërkohë që unë duhet të rrija duke punuar për të mbaruar projektin tim. Për një moment mendova se do më pushonte zemra", shtoi ajo.
Jetojmë në epokën e zilisë. Të gjithë kanë zili për diçka, zilia për karrierë, për kuzhinën, për fëmijët, pushimet, mënyrës e të ngrënit. Gjatë gjithë kohës njerëzit janë të përfshirë në këtë vorbull dhe rrjetet sociale po i shtyjnë më shumë drejt saj. Sipas Aristotelit qeniet njerëzore gjithmonë e kanë ndjerë zilinë. Në shekullin e katërt ai e përcaktoi atë si “dhimbja për fatin e mirë të tjetrit” e cila është nxitur nga ideja se “të tjerët kanë atë që ne duhet të kemi”, ndërsa në kohën e internetit dhe rrjeteve sociale Etan Kros psikolog në universitetin e Miçiganit thotë se zilia tashmë po shkon në ekstrem. “Ne jemi të bombarduar vazhdimisht nga “jeta e fotoshopit” dhe kjo na bën që të ndjejmë zili për gjërat që bëjnë të tjerët,” shprehet ai.
Psikologja Rachel Andrew thotë se shikon gjithnjë e më shumë zili në dhomën e saj të këshillimit nga njerëz që nuk arrijnë stilin e jetesës që duan. “Përdorimi i platformave të ndryshme përforcon këtë mosmarrëveshje thellësisht shqetësuese për psikologjinë e njeriut. Unë mendoj se rrjetet sociale kanë bërë që njerëzit të gjithë të krahasohen me njëri-tjetrin,” shpjegon ajo.
Në të kaluarën njerëzit mund të kishin zili vetëm për fqinjët e tyre, por tani ata krahasojnë veten me të gjithë botën. Ekspertët e terapisë së sjelljes e quajnë këtë “krahasim”. Andrew ka vënë re te pacientët e saj se të gjithë ata që përdornin hashtagun #nofiltër mashtrojnë, në mënyrë që t’i tregojnë të tjerëve se fotografitë e tyre janë natyrale. “Shumica e njerëzve intektualizojnë atë që shohin në rrjetet sociale edhe pse e din se këto imazhe nuk janë reale,” thotë ajo. Nëse fotografitë që në shikojmë janë pjesë e asaj që synojmë dhe nuk e kemi atëherë ndjenja e zilisë shtohet më shumë.
Për të parë se sa shfaqet ndjenja e zilisë në rrjetet sociale, ekspertët hartuan një studim për të shqyrtuar marrëdhëniet e personave nëpërmjet Facebook-ut. Pjesëmarrësit morën tekste pesë herë në ditë për dy javë, duke i’u treguar fotografi dhe statuse të ndryshme për arritjet e miqve të tyre, për të parë se si do të ndiheshin në ato momente. Përfundimet ishin të habitshme. Sa më shumë që kuptonin se miqtë e tyre ishin të lumtur, aq më shumë ishin ziliqarë për ta. Asnjë grup moshë apo klasë sociale nuk është imun ndaj zilisë. Andrew thotë se në klinikën e saj , sheh gra të reja të cilat ndjekin llogari të caktuara në instagram, për të gjetur teknika frymëzimi ose teknika kozmetike dhe përfundojnë duke pasur zili, gratë që kanë më shumë gjëra se ato. Gjithashtu, ndjenja e zilisë shihet dhe midis biznesmenëve, grave të moshuara dhe adoleshentëve që fillojnë të kërkojnë strategji dhe këshilla në rrjetet sociale për të qenë të suksesshëm sa ata që shohin.
Tek disa njerëz të tjerë, ndjenja e zilisë është në një formë edhe më të keqe. Ekspertët thonë se shumë njerëz kryejnë veprime ekstreme nga ndjenja e zilisë. “Ne shohim jetën që kemi ndërtuar në internet, ku tregojmë pjesën më të mirë të vetes dhe humbasim lidhjet që kemi në jetën reale. Kjo ndjenjë na tjetërson dhe nuk jemi më të vendosur për të arritur synimet tona,” thotë Andrew “Nuk jemi origjinal dhe kemi zili për ata që shikojmë rreth nesh,”shton ajo.
Në shikojmë hashtagun #OutfitOfTheDay, në instagramin tonë dhe duam që të vishemi në të njëjtën mënyrë si ajo ç’ka shohim, shohim mëngjeset me lule në tavolinë të një mikeje dhe menjëherë krijojmë një mëngjes të tillë. Ndërkohë që jemi të zënë për të gjetur këndin e përsosur të kamerës, jeta jonë mbulohet nga një kapacitet verbues qw na duket i përsosur, por në vetvete jemi bosh.
Psikoterapistja Patricia Polledri e cilëson zilinë, diçka edhe më të rrezikshme, njerëzit ziliqar mund të krijojnë abuzim emocional dhe akte të dhunshme kriminaliteti. “Zilia dëshiron të shkatërrojë atë që dikush tjetër ka. Njerëzit ziliqarë jo vetëm që i duan gjërat për vete, por bëjnë çdo gjë të mundur që të tjerët të mos i kenë. Kjo pjesë nuk është më një zili. Kjo është një urrejtje e pastër,” thotë Patricia Polledri.
Kjo ndjenjë është shumë e vështirë për t’u shmangur nga njerëzit ziliqarë. Ata duhet të marrin ndihmë sepse mund të i’u shkaktojnë dëme të tjerëve pa asnjë arsye. Ekspertja shprehet se nuk është e interesuar për shkaqet rrënjësore të zilisë, më e rëndësishme është të përqendrohemi më shumë të ajo që njerëzit duhet të bëjnë për ta shmangur këtë ndjenjë. Sipas saj të gjithë njerëzit duhet të edukohen që në fëmijëri për të shmangur ndjenjën e zilisë.
“Qëllimi duket filozofik por është një mënyrë për të jetuar në një botë, ku duhet të pranoni faktin se mund të mbijetoni dhe pa pasur gjërat që të tjerët kanë dhe nëse nuk i keni kjo ju bën më pak të denjë,” shton ajo. Gjithashtu, një mënyrë tjetër për të shmangur ndjenjën e zilisë është edhe përdorimi i paktë i rrjeteve sociale. Ata thonë se ne duhet të fokusohemi më shumë te gjërat që duam të arrijmë në jetë.
“Kur po postoja arritjet e mia në karrierë kohët e fundit në llogarinë time të Facebook, burri im më pyeti se pse doja ta bëja këtë. Unë i thashë se dëshiroja të lexoja mesazhet e përgëzimi, të tjerët duhet ta dinin isha e suksesshme.Ai më tha se kjo ishte një arsye shumë e kotë dhe për një moment u ndjeva e turpëruar. Nuk ka gjë më të keqe për egon e një bashkëshorteje,” thotë Rebeka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.