Mjedis

Mishi i rritur në laborator do të jetë e ardhmja e ushqimit

Bruce Friedrich ka qenë një vegjetarian për 30 vjet, por kohët e fundit ka provuar përsëri shijen e mishit. Hamburgeri i laboratorit është përshkruar nga Bill Gates si e ardhmja e ushqimit; i bërë me mish të rritur në laboratorë, nga qelizat e kafshëve.
Friedrich ishte në konferencën TED (Technology, Entertainment and Design) për të folur për mënyrën se si mishi i rritur në laborator mund të ushqejë një popullsi gjithnjë në rritje dhe të zgjidhë çështjet mjedisore.

Firma "Beyond Meat" (Përtej Mishit) ishte gjithashtu në Vankuver për t'u dhënë delegatëve një shije të zëvendësuesit të mishit. "Përtej Mishit", sëbashku me firmën nga Silicon Valley, "Impossible Foods", tashmë ofrojnë alternativa të mishit në bazë të bimëve, por ka edhe dhjetëra firma që eksperimentojnë me zhvillimin e produkteve të mishit që marrin qelizat e kafshëve të gjalla dhe rrisin mishin.

Friedrich mendon se publiku do të provojë shijen e mishit me bazë qelizore deri në vitin 2020, ku çmimi i një hamburgeri do të shkojë deri në 50 dollarë. Themeluesi i Institutit të Ushqimit të Mirë, një organizatë që mbështet krijimin e mishit nga bimët, thotë se ky lloj mishi do të jetë e ardhmja.

Deri më tani janë rreth 14 projekte, të cilat po zhvillojnë mënyra për të rritur mishin dhe për ta përmirësuar atë deri në prodhimin masiv, duke shpresuar që çmimi të ulet. Friedrich bën fushatë për një qasje të re në prodhimin e mishit. Mishi i kultivuar, ose mishi i pastër siç është quajtur për shkak të ndikimit të ulët mjedisor, ka aftësinë për të transformuar bujqësinë, tha Friedrich për BBC. "Ne duhet të sigurojmë midis 70 dhe 100% më shumë mish në vitin 2050", tha ai.
Sipas tij, kërkesat e një popullsie gjithnjë në rritje, sëbashku me ndikimin mjedisor të bujqësisë intensive, do të thotë se fermerët duhet të shikojnë mënyrat alternative të prodhimit të mishit. "Ne nuk mund të ndryshojmë natyrën njerëzore kështu që duhet vetëm të ndryshojmë mishin", shprehet Friedrich.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë