Ne rrjet

Mirë koronavirusi, po injoranca a ka ilaç?

Nga Endri Shabani- Në qytet fillon të përhapet gripi. Ti nuk e merr seriozisht, sepse beteja me gripin është një ritual vjetor që nuk meriton as vëmëndje. Pastaj ti dëgjon thashetheme lartë e poshtë që njerëzit po vdesin nga gripi. Kryesisht të rinjtë. Mirëpo nuk i beson, sepse mediat dhe autoritetet zyrtare thonë se nuk ka arsye për tu shqetësuar dhe bëhet fjalë për një grip të zakonshëm. Madje qeveria vendos në mbajë një marshim masiv të ushtrisë në qytet, për të fesuar suksesin ushtarak të vendit. Dy ditë më vonë gjërat fillojnë të degradojnë, qeveria fillon të pranojë se situata është serioze dhe merr masa ekstreme. Anullohen aktivitetet masive, mbyllen shkollat, izolohet qyteti dhe bëhet
e ndaluar me ligj të dalësh në publik pa vendosur maskë. Spitalet mbushen tej kapacitetit. Vdesin me qindra njerëz në ditë, por nuk ka kush t’i varrosë. Priftërinjë dalin nëpër qytet duke i bërë thirrje njerëzve të mos i mbajnë të vdekurit në shtëpi. I gjithë ky makth zgjat gati një vit dhe mbaron duke marrë me vete deri në 100 milionë njerëz në të gjithë botën…
Kjo nuk është ndonjë faqe nga romani “Murtaja” e Kamysë, por një pasqyrë e perspektivës së banorëve të Philadelphia-s në Amerikë, që jetuan pandeminë e “gripit Spanjoll” rreth 100 vite më parë (1918 – 1919). Një pandemi që shkaktoi dyfishin e viktimave të Luftës së Parë Botërore, dhe që njihet si pandemia që ka vrarë më shumë njerëz në historinë e botës moderne.

E megjithatë, për të paktën 10 mijë vite sëmundjet masive janë një kërcënim i vazhdueshëm për njerëzimin. Vetëm në 500 vitet e fundit bota ka njohur të paktën 15 pandemi gripi, të cilat kanë vrarë deri në 3 milionë njerëz. Ndërkohë gripi i zakonshëm përllogaritet se vret 250’000 deri në 650’000 njerëz çdo vit.

Që kur bota filloi të njohë perandoritë e para, bashkë me to erdhi edhe përhapja e sëmundjeve në nivel global (pandemi), rrezikshmëria e të cilave ka shkuar krah për krah me nivelin e dijes apo injorancës njerëzore.

Rreth 2400 vite më parë, në botën antike u përhap Malaria.  Një sëmundje që u zvarrit ndër shekuj në botën antike, dhe që mendohet se i mori jetën Aleksandrit të madh, të cilin nuk e kishin mposhtur dot ushtritë më të fuqishme të kohës. Që paraziti që shkakton Malarien ndodhej në barkun e mushkonjave do të zbulohej vetëm 2300 vite më vonë. Kështuqë njerëzit e kohës as nuk e dinin nga iu vinte e keqja, dhe as nuk dinin si të mbroheshin.

Rreth 1800 vite më parë, ushtarët romak që ktheheshin nga Azia Perëndimore kishin marrë me vete edhe sëmundjen e Li-së. Mark Aurelius, perandori filozof, që i kishte mbijetuar betejave ushtarake, do të vdiste nga kjo sëmundje misterioze. Bashkë me të vdiq edhe një e treta e popullsisë së perandorisë (rreth 5 milionë njerëz). Perandoria Romake kishte arritje të jashtëzakonshme në shkencë, por në atë kohë askush nuk e kishte idenë  çfarë ishin viruset dhe si transmetoheshin. Ato do të zbuloheshin 17 shekuj më vonë, dhe misteri i tyre do vazhdonte edhe për ca dekada të tjera.

Rreth 600 vite më parë, mongolët gjatë luftës me evropianët në qytetin që është sot Krimea, iu kaluan Murtajën. Bakteret do të zbuloheshin vetëm 300 vite më vonë, kështuqë në atë kohë njerëzit nuk e kuptonin mirë nga vinte sëmundja, si transmetohej dhe si mund të kurohej. Prandaj, kur në brigjet e Siçilisë mbërriti anija e parë me ushtarë të sëmurë (një pjesë e të cilëve kishin vdekur rrugës), askush nuk e kuptoi rrezikun që iu kanosej. Shumë shpejt sëmundja u përhap në të gjithë qytetin, dhe nga aty në të gjithë Evropën. 

Pasi bakteri filloi të bënte kërdinë, njerëzit kuptuan se duhet të qëndronin larg tregjeve ku mblidheshin turmat, dhe të shmangnin kontaktet me njerëzit e sëmurë. Elitat filluan të linin qytetet dhe të largoheshin për në rezidencat e tyre në fshat, e në mal, duke e marrë sëmundjen me vete. Nga ana tjetër, anijet vahzdonin të përhapnin bakterin në çdo breg. Pikërisht në atë kohë, dhe për ironi të fatit, në Italinë e Veriut, u aplikua për herë të parë izolimi për 40 ditë i njerëzve që kishin ardhur nga zonat e prekuara. Nga aty buron edhe termi ‘karantinë’ (dyzetë).

Por ishte shumë vonë. Pandemia u përhap kudo duke zhdukur komunitete të tëra, dhe duke vrarë rreth 60% te popullsise evropiane (50 milione njerëz), përfshi edhe mbretereshën e Anglisë dhe një nga piktorët e mi të preferuar, Holbein.

Rreth 200 vite më pare, në Indi u shfaq sëmundja e Kolerës, e cila u soll në Evropë nga ushtarët britanik, dhe vrau miliona njerëz për vite të tëra. John Snow, që njihet si një nga themeluesit e epidemologjisë, arriti të kuptojë se sëmundja përhapej nga uji dhe bindi autoritetet që të mbyllnin çezmat publke në Londër. Autoritetet në Paris bënë të njëjtën gjë, dhe urdhëruan që të mos pihej uji i çezmës, pa u zierë, duke ulur kështu në mënyrë të ndjeshme përhapjen e sëmundjes.

Mirëpo, 40 vite mbas ketij zbulimi, kompozitori i famshëm Tchaikovsky, mendonte se bakteri ishte fans i muzikës klasike. Kështuqë një natë, teksa luante me miqtë në një nga klubet e Parisit, i sfidoi ata duke iu thënë se udhëzimet e qeverisë ishin budallallëqe. Dhe për ta vërtetuar këtë, piu një gotë ujë nga çezma, duke injoruar këshillat e kamarierit. Mirëpo doli që sëmundja nuk pyeste për “Liqenin e Mjelmave", kështuqë të nesërmen, Tchaikovsky u bë viktima e njëqindmijëenjë e Kolerës në Francë.

Rreth 100 vite më parë, në Mars 1918 në mes të ushtarëve amerikan u shfaq një grip agresiv, i cili vriste kryesisht të rinjtë, pasi provokonte një reaksion ekstrem të sistemit imunitar. Megjithëse ky grip ishte tepër i rrezikshëm, dhe përhapej me shpejtësi, qeveria amerikane vendosi ta mbante të fshehte lajmin, dhe të detyronte mediat të mos raportonin.

Siç u përmend në fillim të këtij shkrimi, kulmi i papërgjegjshmërisë ishte kur në 19 Shtator të atij viti, gjashtë muaj pas nisjes së epidemisë, kundër këshillave të mjekëve, autoritetet vendosën që të zhvillonin një paradë ushtarake në Philadelphia. Përpara paradës zyrtaret siguruan publikun se qeveria kishte gjithçka nën kontroll. Por një javë më vonë, qyteti u kthye në një varrezë masive, ku autoritetet spitalore, por edhe kompanitë funerale, u gjetën krejt të papërgatitura për të menaxhuar situatën. Qyteti u vendos në izolim total, dhe qindra të sëmurë vdiqën nga uria, pasi nuk guxonte të shkonte njeri t’i ndihmonte. 
Duke qenë në mes të Luftës së Parë Botërore, ushtarët amerikanë e përhapën virusin në Evropë, nga ku mori edhe emrin ‘Gripi Spanjoll’. Mori këtë emër pasi Spanja ishte i vetmi shtet ku mediat raportonin lirisht për ecurinë e sëmundjes, por edhe sepse popujt gjithmonë ja hedhin fajin të tjerëve. Brazilianët e quanin "Gripi Gjerman", ndërsa Senegalezët e quanin "Gripi Brazilian".

Në perfundim të luftës, raportohet se bilanci i viktimave të saj ishte 16 deri në 40 milion njerëz. Ndersa gripi mendohet se vrau deri në 100 milion vetë, dhe zuri rreth 40% te popullsise botërore. Mes të prekurve ishte edhe mbreti i Spanjës dhe presidenti i SHBA-se, Wilson, të cilit raportohet se i ranë të fikët gjatë konferencës së Versajës. 
Ne 2020, bota po njeh një pandemi tjetër. Është një sëmundje që po vazhdoi me këto ritme, mund të prekë deri në 70% të popullsisë, dhe të vrasë mbi 10 milion njerëz brenda pak muajve. Deri tani ka shënuar rreth 5000 viktima dhe ka sëmurur rëndë mijëra të tjerë. Pa kursyer mjekë, liderë fetarë, ministra shëndetësie, kongresmenë apo senatorë. Madje dyshohet se mund të ketë prekur edhe Papa Francis dhe Presidentin Trump, gjyshi i të cilit vdiq nga gripi i Spanjës 100 vite më parë.

Pavarësisht teorive qesharake se shqiptarët kanë imunitet nga virusi, Shqipëria mbetet brenda zonës së rrezikut. Madje ne kemi një rrezik të shtuar për shkak të disa arsyeve shtetërore, ekonomike dhe sociale.

Nga pikëpamja shtetërore, ne po paguajmë pasojat e mënyrës se si është qeverisur për 30 vite. Spitalet tona edhe pa filluar pandemia mezi ja dalin të ofrojnë shërbimet e nevojshme. Buxheti për shëndetësinë në vend që të shkojë për spitalet, përfundon në xhepat e oligarkëve dhe politikanëve. Nga ana tjetër prej vitesh po vuajmë nga largimi i personelit spitalor, duke patur më pak mjekë dhe infermierë për numër popullsie se shumë vënde të ballkanit. Sipas OBSH 20% e të prekurve kalojnë në komplikacione shëndetësore, pasi virusi dëmton mushkrinë. Për pasojë këta persona shpëtohen vetëm nga trajtimi spitalor, mirëpo kur nuk ke mjaftueshëm maska oksigjeni shumë prej tyre mund të vdesin edhe pse në një shtet tjetër do shpëtonin. Nga ana tjetër, mbingarkesa e spitaleve dhe mungesa e personelit mund të sjellë kolaps të sistemit shëndetësor, duke bërë të pamundur kurimin e pacientëve të tjerë që nuk janë prekur nga coronavirusi, por kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Nga pikëpamja ekonomike, ndryshe nga shoqëritë më të zhvilluara në botë, ne ende i bëjmë pagesat me para në dorë, çka rrit qarkullimin e virusit përmes shkëmbimit të parave. Së dyti, sektorët më të mëdhenj të ekonomisë janë të tillë që kërkojnë prezencën fizike të punëtorit në punë. Por edhe në sektorët e tjerë ku puna mund të bëhet nga shtëpia, kjo nuk ndodh pasi shumë prej shefave shqiptarë vuajnë nga sindroma e gjermanit tek filmat e Kinostudios, dhe duan t’i numërojnë punëtorët në zyrë tre herë në ditë. Për pasojë, shpesh ditët e mosprezencës në punë nuk paguhen, duke detyruar kështu mijëra punonjës të shkojnë në punë të sëmurë, duke përhapur virusin në nivele të pamenaxhueshme.

Nga pikëpamja sociale, ne i përkasim një kulture mesdhetare, ku kontaktet fizike i kemi të afërta. Ne japim dorën, ne puthemi në dy faqe, ne qëndrojmë shumë afër njëri tjetrit kur flasim dhe ne e kemi për turp t’i themi tjetrit që po ruajmë veten, pasi perceptohemi si “frikacak” apo “egoist”. Në përgjithësi kjo kulturë është e mirë për shëndetin mendor, por kur vjen puna tek përhapja e virusit, bëhet e vështirë që njerëzit të tejkalojnë zakone të trashëguara brez pas brezi.

Që kjo të ndodhë duhet që frika të jetë shumë e madhe dhe që konsensusi social të jetë shumë i gjërë. Por të dyja këto rrezikohen nga një virus tjetër social: vetëbesimi i tepruar.

Ky vetëbesim i tepruar fillon me politikanët tanë, të cilët e morën me nge çështjen e virusit. Me parimin “virusi pret, partia s’pret”, kryeministri Rama e injoroi situatën në Italinë fqinje, dhe organizoi kongresin disa ditor të partisë së tij, megjithëse (siç po mësojmë tani) kishte të paktën një javë që virusi kishte hyrë në Shqipëri. Për të mos mbetur mbrapa, presidenti Meta organizoi një manifestim masiv, për pjesëmarrjen në të cilin u angazhuan ish kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës Basha. Pra, ashtu siç kanë bërë për 30 vite, ata që janë në krye të elitës politike, vendosën në rrezik shëndetin e një populli të tërë vetëm për axhendat e veta politike.

Por ndryshe nga herët e tjera ku pasojat i paguajmë vetëm ne, këtë herë duket se as ata nuk janë të mbrojtur, pasi në skenën botërore ky virus ka shpalosur një sens të paparë ironie. E nisi me zëvendës ministrin e shëndetësisë së Iranit, i cili dilte nëpër media për të treguar se qeveria e kishte situatën në kontroll. Vazhdoi me Italinë fqinje, ku kryetari i një partie në Firenze u sëmurë pikërisht në festën që organizoi për të kundërshtuar “masat e panevojshme” të qeverisë ndaj pandemisë. Apo në SHBA ku zuri pikërisht kongresmenin që ankohej se kongresi po shpenzonte shumë para për këtë sëmundje, ndërkohë që numri i prekurve ishte i vogël. Të shohim se si do sillet me ‘cubat’ e politikës shqiptare, të cilët, për më tepër kanë probleme respiratore.
Ana tjetër e medaljes është një pjesë e publikut që e njohin veten si të pathyeshëm. Eshtë një grup personazhesh mitike që duken sikur kanë dalë nga librat e historisë së mesjetës. Disa besojnë që si Mujo Uqinaku mund t’i dalin ballas gripit, se kanë pirë qumësh zanash. Disa e pandehin veten për Gjergj Elez Alinë, dhe janë të bindur që do triumfojnë mbi bajlozin që vjen nga përtej detit. Të tjerë mendojnë se virusi nuk e kap dot furgonin e Vlorës, dhe për pasojë zë vetëm ata të Fierit. Pasuar këta nga një ushtri e tërë bullistësh injorantë e të papërgjegjshëm që kanë marrë situatën në dorë, duke vënë në siklet çdo njeri që përpiqet të bëjë gjënë e duhur. Për pasojë, ashtu si një shofer i papërgjegjshëm vë në rrezik jetën e shumë kalimtarëve, edhe këta kamikazë virologjik mund të marrin në qafë jo vetëm veten, por njerëzit më vulnerabël në shoqëri.

Sigurisht, kjo lidhet edhe me mungesën e besimit ndaj institucioneve, si dhe me dëshirën për të qetësuar veten nga ankthi që të jep mospasja e situatës në kontroll. Por lidhet edhe me mentalitetin primitiv të disave, të cilët e shohin jetën e njeriut sikur të jetë skedinë futbolli. E kam fjalën për ata të cilëve nuk ua mbush syrin virusi, meqë maksimumi mund të vrasë vetëm 3-4 % të popullsisë. Mentalitete të tilla monstruoze nuk meritojnë përgjigje serioze, por do të doja vetëm tu kujtoja se ata vetë përbëjnë më pak se 0.000000001 të popullsisë së botës, por kjo nuk na jep të drejtë t’i heqim qafe. Maksimumi mund t’i mbledhim në një anije kozmike dhe t’i çojmë të kolonializojnë Marsin, ku mund të mbijetojnë lirisht pa larë duart. Por Elon Musk është ende mbrapa me këtë projekt.

Megjithatë betejën nuk e kemi me njëri-tjetrin, por me virusin. Dhe në një kohë kur nuk kemi qeverinë apo shtetin që duam, na mbetet të përpiqemi të kemi shoqërinë që duhet. Prandaj na duhet të angazhohemi për të ndërgjegjësuar edhe figurat legjendare mes nesh që të marrin masa sevirusi nuk ka kursyer as mbretër e as perandorë, as labë, e as veriorë. Na duhet të përpiqemi, sepse duam apo s'duam, ndajmë të njëjtën botë dhe fatet tona janë të ndërlidhura. Të armatosur vetëm me fjalën dhe durimin, sepse, vërtet shkencëtarët mund të shpikin ilaçe dhe vaksina kundër gripit, por dija dhe përgjegjshmëria (fatkeqësisht) nuk injektohen me shiringë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë