Analize

Meta si Ivanovi!- Po Gruevski dhe Zaevi cilët janë?

Në mes të muajit prill, kur kriza politike nuk ishte përshkallëzuar , Lulzim Basha këshillonte Bashkimin Europian që të niste në drejtim të Shqipërisë një mision ekspertësh të ngjashëm me atë që BE bëri në 2015 në Maqedoninë e Veriut.

Grupi i ekspertëve të pavarur të pajtuar nga BE në rastin e Maqedonisë drejtohej nga juristi dhe diplomati gjerman i karrierës, Reinhard Priebe. Ai ia doli mbanë që të ulte Nikolla Gruevskin si Kryeministër dhe Zoran Zaev si udhëheqës të opozitës për të nënshkruar një marrëveshje të gjithanshme.

Thelbi i kësaj marrëveshjeje ishte ngritja e një prokurorie speciale që do të hetonte korrupsionin dhe akuzat e tjera të shpërdorimit të detyrës ndaj zyrtarëve të lartë. Ministra dhe njerëz të afërt të Gruevskit u morën si të pandehur njëri pas tjetrit, deri edhe vetë Gruevski në fund.

Vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme në dhjetorit të 2016. Zoran Zaev ja doli mbanë që të krijonte mazhorancën e re me ndihmën e partive shqiptare, duke u premtuar këtyre të fundit zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe vendosjen e shqipes si gjuhë zyrtare, dy pika që zvarriteshin prej kohësh nga ana e Nikolla Gruevskit.

Partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE nisi menjëherë protestat. Me tone nacionalizmi dhe shpesh slogane antishqiptare, protestat akuzonin Zoran Zaev se po shkatërronte identitetin kombëtar maqedonas. Kulmi i protestës ishte 27 prilli i 2017. Protestuesit e opozitës hynë me forcë në Parlament duke dhunuar dhjetra deputetë, mes të cilëve Zijadin Selën dhe vetë Zoran Zaev. Sulmi u interpretua si një mllef i protestuesve opozitarë kundër zgjedhjes së Talat Xhaferrit si kryetar i Kuvendit.

Por, nga hetimet e mëvonshme dhe nga identifikimi i aktorëve kryesorë të këtij sulmi, analistët dolën në përfundimin se sulmi në vetvete synonte shkaktimin e trazirave që të detyronte Presidentin George Ivanov që të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, të pengohej miratimi i qeverisë së re në Parlament dhe të zgjatej pushteti i Nikolla Gruevskit.

Ivanov nuk e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, por zvarriti dekretimin e mandatimit të qeverisë së re me arsye nga më të ndryshmet refuzoi një sërë vendimesh të qeverisë së re të Shkupit, përfshirë këtu edhe dekretimin e ligjit që e shndërronte shqipen gjuhë zyrtare ironikisht duke përdorur si argumente “kërcënimin e identitetit kombëtar” dhe “paqen sociale”.

Rastësisht, në kohën që Ivanov i vinte shkopinj në rrota qeverisë së re maqedonase, Shqipëria ndodhej në fushatë elektorale, ku Ilir Meta, si President i Zgjedhur drejtonte fushatën e LSI-së. Për gjuhën e përdorur prej tij në këtë fushatë, ku paralajmëroi se nuk do të dekretonte qeverinë e re nëse vidheshin votat, socialistët e krahasonin me Ivanov.

“Unë nuk jam Ivanovi, nuk jam as Edi Rama, as Lulushi, as Berisha”, u përgjigjej Ilir Meta akuzave të socialistëve.

Në fund të korrikut të 2017 Meta hyri zyrtarisht në Presidencë, ndërsa Monika Kryemadhi mori drejtimin e LSI-së. Në shtator të atij viti, Meta nuk u bë pengesë dhe Rama mori edhe zyrtarisht “timonin” i vetëm.

Lulzim Basha nga ana tjetër njohu rezultatin, megjithëse foli për parregullsi të mëdha dhe akuzonte socialistët për bashkëpunim me krimin e organizuar në blerjen e votave dhe kërcënimin e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama, kreu i PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës së Presidentit nga ana e Ilir Metës

Tensionet në Kuvend nuk munguan, por ato nuk ishin përtej “normalitetit” të klasës politike shqiptare. PD dhe LSI akuzonin njëri pas tjetrit ministrat dhe vetë Kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe oligarkët e korrupsion masiv me tenderat.

Operacioni “Vol-vo 4” në tetor të 2018 çoi në pranga dy ish-deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Pas këtij operacioni, Fatmir Xhafaj, njeri që ishte vënë në shënjestër të opozitës prej kohësh me akuzat se i vëllai drejtonte trafikun e drogës nga Vlora dhe se rezultonte i dënuar në Itali, dorëhiqet. Në vend të Xhafajt, Rama propozon Sandër Lleshajn.

Këtu nis përplasja e parë me Ilir Metën. Presidenti refuzon emërimin e Lleshajt, ndërsa Rama e paralajmëronte nga Kuvendi, që krisja e krijuar të mos shndërrohej në thyerje.

https://www.instagram.com/p/Bp155hDg8El/

Megjithatë, përplasja cilësohej “normale” dhe që nuk rrezikonte “paqen sociale të vendit”, ndaj në fillim të nëntorit, Meta dekretoi 30 qershorin 2019 si datë zgjedhjesh. Më vonë ai u tërhoq duke firmosur Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm. Pak javë më vonë pasoi përplasja e radhës. Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si pasues të Ditmir Bushatit në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtë herë, Presidenti nuk u tërhoq, ndërsa Rama si zgjidhje gjeti marrjen e këtij posti vetë dhe delegimin e kompetencave të Cakaj.

Deri në këtë pikë, përplasja Rama-Meta ishte ende një krisje, por krisje që po thellohej. Më 21 shkurt, PD dhe LSI djegin në grup mandatet parlamentare dhe hidhen në rrugë e sheshe kundër qeverisë, ku episodet e dhunës nuk munguan.

Presidenti bënte thirrje për protesta paqësore, por nga shumica akuzohej dhe akuzohet ende se nuk bëri aspak për zgjidhjen e krizës dhe uljen e palëve në tryezë. Meta mbrohet duke thënë se e kishte të pamundur të ulte palët në dialog përballë këmbënguljes së Ramës për të zhvilluar zgjedhje më 30 qershor dhe asaj të Bashës për të mos hyrë në zgjedhje pa largimin e Ramës.

Ditët para se të niste fushata, Kryeministri dërgoi një seri letrash publike në drejtim të Lulzim Bashës, ku e ftonte për dialog, por pa hequr dorë nga mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor.

Ftesat u refuzuan dhe më 1 qershor Edi Rama hapi fushatën, ndërsa Basha zotohej se zgjedhje më 30 qershor opozita nuk do t’i lejonte. Kështu kaluan ditët, Rama në fushatë dhe opozita në protesta, deri kur Ilir Meta kthehet nga Berlini, ku mori pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”.

Nëse në Maqedoni në prill të 2017, protestat e organizuara nga Gruevski nuk e bindën Ivanovin që të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, protestat dhe kërcënimi i opozitës në Shqipëri, bindën Ilir Metën, jo për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por për të anuluar 30 qershorin.

Këtu krisja siç duket u thye. Shumica e cilëson nul vendimin përmes një rezolute të miratuar në Kuvend me 100 vota pro. Rezoluta interpretohet edhe si një “paralajmërim” për shkarkim.

Në ditën që Kuvendi miratoi këtë rezolutë, Presidenti nxorri juristët e tij për të mbrojtur vendimin e anulimit të 30 qershorit, ndërsa një ditë më vonë “sinjalizoi” fillimisht përmes një deklarate dhe më vonë përmes një letre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se po shqyrton mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit.

Këto akte të Presidentit e kanë bindur Edi Ramën se janë vendime të një plani të mirëmenduar nga Meta dhe Berisha për të trazuar vendin, duke penguar hapjen e negociatave dhe sidomos reformën në drejtësi.

“Berisha dhe Meta kujtojnë se mund të më largojnë nga detyra me molotovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës. E kanë gabim! Unë jam shënjestra, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar e sjellë të ndërsyer në bulevard, ndërsa prerja e kërkuar në këtë gjah politik nuk jam unë, por vendi, që duhet ndalur para se të kapërcejë pragun e negociatave dhe të hapë dy kapitujt e drejtësisë”, deklaronte Rama nga Kuvendi.

Drejtësia ishte molla e sherrit edhe në Shkup. Atje prokuroria e posaçme nuk ngrit si produkt i një marrëveshjeje mes dy palëve jo në përmasat e reformës në drejtësi në Shqipëri. Edhe këtu, reforma në drejtësi mori votat e të dyja palëve në 2016, por ligjet e parashikuara prej saj u votuan vetëm nga mazhoranca.

Opozita akuzon Edi Ramën se e ka kapur reformën në drejtësi, sidomos me procesin e vettingut dhe emërimeve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa Rama flet për një proces që gëzon mbështetjen dhe ndihmën e ndërkombëtarëve, i cili do të finalizohet me ngritjen e SPAK-ut, që do të hetojë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë për aferat korruptive.

Rama thotë se gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian, rrugë që sipas tij po minohet nga opozita. Por opozita akuzon se Shqipëria po izolohet nga Bashkimi Europian dhe për këtë fajëson, sipas saj, lidhjet e Kryeministrit me krimin e organizuar dhe trafikantët.

Të dyja palët pretendojnë se kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe deklarojnë se pala tjetër po izolohet prej tyre. E vërteta është që nga qëndrimi “shpërfillës” si i Brukselit, si i Uashingtonit për të ndërmjetësuar krizën, sot më e izoluar duket Shqipëria.

Duke iu rikthyer paraleles me Maqedoninë, nëse për Rilindjen, Presidenti Ilir Meta po vepron si George Ivanov kundër Qeverisë, po rolin e Gruevskit dhe të Zaevit, kush po e luan në Shqipëri?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë